E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili prezanton masat për shëndetësinë



Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili parashtroi planin e ri të veprimit për reformimin e sistemit shëndetësor. Prezantimi u bë dje gjatë takimit të radhës të task-forcës për shëndetësinë, nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha. Pikat kryesore të planit që prezantoi ministri janë dixhitalizimi dhe informatizimi i sistemit shëndetësor. Këto shihen si një prioritet madhor, që do të bëjë të mundur ofrimin e shërbimeve cilësore ndaj të gjithë qytetarëve, duke zhdukur informalitetin në shëndetësi, duke luftuar korrupsionin e sjellë shërbimet më afër qytetarit. Ndërkaq një pikë e rëndësishme e këtij plani është përllogaritja e kostove në shërbimin shëndetësor spitalor. Po kështu me prioritet shihet respektimi dhe forcimi i Sistemit të Referimit, edukimi në vazhdim i punonjësve të shëndetësisë, akreditimi i institucioneve shëndetësore. Pasi u vlerësua shërbimi i urgjencave si një shërbim nga i cili varet prognoza e sëmundjes, ecuria e pacientit, u vlerësua si një detyrë e rëndësishme përcaktimi i hapave konkretë që duhen ndjekur për implementimin sa më parë të strategjisë së emergjencave. Ajo do të shërbejë për krijimin e një sistemi urgjence mbarëkombëtar, të unifikuar dhe sipas standardeve të një cilësie të lartë. U diskutua gjithashtu edhe mbi gjetjen e masave dhe zgjidhjeve konkrete të menjëhershme, afatmesme e afatgjata, për luftën ndaj korrupsionit në çdo hallkë të sistemit shëndetësor. Kryeministri Berisha theksoi se nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveç reformave të thella që sistemi i shëndetësisë të dalë një herë e mirë nga korrupsioni, të modernizohet e të përafrohet me standardet dhe modelet më të suksesshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›