Topi: Kriza, palët t’i drejtohen Kushtetueses
Ilir BABARAMO
Presidenti Bamir Topi i bën thirrje forcave politike që për interpretimin e Kushtetutës t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Në një intervistë për emisionin "5 pyetje nga Babaramo" në News 24 ai flet edhe për dekretimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë e Kushtetuese, ligjin e SHISH dhe tragjedinë e Gërdecit.
A ishin bisedimet të vështira?
Unë besoj që nga zhvillimet politike të kohëve të fundit, nga mungesa e një dialogu politik, nga akuzat e ndërsjellta në distancë, gjëja më e rëndësishme është afrimi në një dialog në tavolinë dhe besoj që kjo patjetër do të bënte, që edhe ecuria e bisedimeve do të kishte një metodikë të veçantë, kam parasysh që aktorët politikë nuk janë pa eksperiencë, kam parasysh që ka edhe disa detyrime që vijnë jo thjesht tek ata që kanë dhënë votën, por ka edhe detyrime ndaj partnerëve ndërkombëtarë për të ndërtuar një frymë dialogu, disa detyrime që kanë të bëjnë me zbatimin e një detyrimi, politik, kushtetues dhe institucional për vazhdimin e reformave. Besoj e dini që domosdoshmëria e një bashkëpunimi në Parlament është e lidhur me realizimin e disa reformave, të cilat kërkojnë një numër të caktuar. E thënë në mënyrë të përsëritur nga dikush, apo nga një krah politik, mund të marrë edhe një lloj konotacioni jo të këndshëm, por unë do ta thosha këtë ndarë nga praktika politike e partive politike, e them këtë si President i vendit, si Kryetar i Shtetit, i cili ka detyrimin që të japë herë pas here mesazhe, të bëjë apelin e duhur që përtej debatit politik, duhet patjetër një lloj vëmendjeje për disa prej institucioneve që përbëjnë zemrën e shtetit, përbëjnë thelbin e demokracisë dhe natyrisht këto institucione kurrsesi nuk mund të bien në gjendje pa rrugëdalje, e aq më shumë të paralizohen. Kjo është arsyeja që unë kam bërë thirrje të herë pas hershme, duke respektuar vullnetet politike të partive. Kam qenë shumë i vëmendshëm në këtë pikë, sepse ndjeshmëria është e lartë, por brenda vullneteve të partive politike duhet patjetër të ketë edhe një moment, i cili e tejkalon debatin e ditës, plotëson disa detyrime që janë madhore për institucionet e Shqipërisë, sikurse thashë për të ruajtur strukturën e institucioneve të shtetit dhe pastaj debati politik është pjesë e betejës për demokraci, e cila në një vend demokratik, në një Parlament demokratik ka qenë, është dhe do të jetë. Do të jetë një ditë shumë e zymtë momenti, kur nuk do të ketë debat politik, pasi askush nuk duhet të trembet nga debati politik. Uroj që ky debat politik të ketë sa më shumë argumente dhe pas debateve politike, patjetër që duhet të precipitojnë zgjidhje, përndryshe ne futemi në një rreth vicioz, shkëmbejmë akuza, nuk dalim në zgjidhje dhe njerëzit, ju siguroj, që janë gjithmonë në pritje të zgjidhjeve, të cilat janë të tilla që kanë të bëjnë me interesat e tyre dhe interesat janë nga më të larmishmet. Interesat janë për një qetësi, për një stabilitet politik, interesat janë për një rritje të mirëqenies ekonomike, interesat e njerëzve janë për të lëvizur të lirë, pra, për të përfituar atë që vendet ku ne mendojmë të aderojmë, vendet e Bashkimit Evropian i kanë arritur prej vitesh, i gëzojnë. Dëshiroj të them që cikli i jetës, cikli biologjik është i tillë që duhet të bëjë që të gëzojnë edhe ata njerëz, të cilët kanë përjetuar dekada në izolim, kanë dëshirë që në vitet që i kanë mbetur ta gëzojnë lirinë, demokracinë, jo thjesht në retorika verbale, por ta gëzojnë realisht dhe akoma më shumë, të mendojnë edhe për fëmijët e tyre, që kërkojnë të jetojnë në një vend, që i ka të gjitha kushtet për të qenë një vend me begati ekonomike, një vend që nuk ka nevojë që ta ripërsëris, që është në qendër të Evropës, që domosdoshmërisht kërkon një klimë politike bashkëpunuese, që kërkon patjetër të realizojë reformat më thelbësore, që çdo njeri do ta bënte të lumtur në vullnetin e gjithsecilit, por edhe me mundin personal të gjithsecilit. Pra, e thënë ndryshe, është një përgjegjësi e madhe e klasës politike, e cila duhet domosdoshmërisht, nuk mund të jenë dëshira, nuk mund të ketë sens voluntarizmi që unë dëshiroj e bëj, dëshiroj nuk e bëj, por përderisa merr mbi supe përgjegjësi para elektoratit, përpara shoqërisë, patjetër që ka edhe detyrime që gjërat duhet të zgjidhen, duhet të avancojnë. Patjetër që duhet të ketë secili kurajon që gjërat t'i pranojë realisht, por duhet të ketë edhe kurajon që mbi bazën e interesave që përfaqësojnë, të gjejnë atë që është pika e përbashkët. Dhe pikat e përbashkëta njeriu i gjen vazhdimisht dhe i ka mundësitë, boll të jetë gatishmëria, të jetë ai vullnet për të parë larg, për të mos mbetur shpeshherë peng i retrospektivave politike, të cilat patjetër ne na kanë mbajtur të frenuar për një periudhë të gjatë.
Tryeza që ju organizuat e kreu misionin e saj, apo nëse nuk gjendet një zgjidhje në Parlament për ato teknikalitete për të cilat palët debatojnë gjatë, do ta thërrisni sërish tryezën?
Unë mendoj që fakti që bisedimet kanë shkuar në Parlament, fakti që Partia Socialiste është rikthyer në Parlament, fillimisht për të kryer betimin, së dyti për t'u futur në bisedime konkrete në një komision të posaçëm, ku po diskutohet pikërisht për atë çështje që e ka mbajtur Partinë Socialiste jashtë Kuvendit, besoj që është një element, i cili duhet inkurajuar për të vazhduar atje. Nuk besoj që është momenti për të bërë parashikime se si do të shkojë. Unë jam i prirur të besoj që arritja e frymës së konsensusit për të riinstaluar dialogun është pararendës i një klime për të vazhduar e për të bashkëpunuar, për të gjetur një zgjidhje të përbashkët.
Në fakt kur debatojnë, ose dialogojnë dy parti lidhur me interpretimin që i bëhet Kushtetutës, duket si një dialog shurdh-memecësh, duket sikur flitet për gjëra krejt të ndryshme. Socialistët thonë që Kushtetuta nuk na e pengon, madje na e lejon hapjen e kutive, ndërsa Partia Demokratike thotë të kundërtën. Kush duhet të jetë arbitri që të vendosë të thotë se cila është e vërteta?
Në të tilla raste mos mendoni që Presidenti të jetë arbitër i opsioneve, pra nëse do të jetë ky opsion, apo ai. Patjetër që kur ka çështje të karakterit kushtetues, ka edhe mekanizma. Unë nuk dëshiroj të jap receta. Në një botë demokratike, kur ka çështje të keqinterpretimit janë institucione të tjera. Për definicion, institucioni që është garant i Kushtetutës është Gjykata Kushtetuese. Ju e dini që edhe në të kaluarën, edhe vendime apo dekrete të Presidentit të Republikës mund të kenë përfunduar në Gjykatë Kushtetuese dhe jo me të njëjtin përfundim që ka pasur dekreti i Presidentit. Presidenti ka qenë i detyruar si çdo institucion tjetër të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. çështja e interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, është një çështje tjetër pastaj, pasi u takon ekspertëve të partive politike që të gjykojnë me objektivizëm për mënyrën e interpretimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ka të bëjë me komisionet hetimore. Nuk është një çështje që i takon Presidentit.
Flasim për ligjin shumë të debatuar të SHISH-it. Kemi një deklaratë shumë të ashpër, madje më e ashpra që mund të jetë bërë nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër projektligjit që po diskutohet në Parlament. Ju keni një mesazh tuajin lidhur me këtë?
Mesazhi i Presidentit vjen gjithmonë në momentin kur ka të depozituar zyrtarisht ligjin e miratuar në Parlament. Pra, Presidenti flet me dekret dhe do të ishte gabim që unë të merrja një pozicion paragjykues për cilindo ligj, qoftë dhe për një ligj që po debatohet në strukturat parlamentare, po debatohet në media, ka prononcime. Pozicioni i Presidentit është në funksion të gjykimit që Presidenti i Republikës do i bëjë lidhur me përputhshmërinë e ligjit në momentin kur depozitohet në Presidencë. Ju i dini tre opsionet, janë të njohura, janë kushtetuese: një opsion është që kur ligji është në përputhje me parimet kushtetuese miratohet; kur Presidenti është i sigurt që ka mospërputhje kushtetuese, ka opsionin e kthimit; ka edhe një opsion tjetër, atë të heshtjes, i cili presupozon që pas pesëmbëdhjetë ditësh ligji futet në veprim. Sa kohë ky ligj nuk ka kaluar, pra jemi në periudhën e diskutimeve dhe të debateve, natyrisht që unë nuk mund të shprehem. Do të shprehem, e kam detyrim kushtetues ligjor që të shprehem në momentin kur ligji do të vijë këtu, në Presidencë.
A mendoni se ndoshta mund të ndërhyhet më parë, sepse situata është e tillë që kemi dhe një deklaratë nga zyra qendrore e NATO-s në Bruksel. Aleatët janë shumë të shqetësuar ...
Mund të ndërhyjnë shumë faktorë në këtë debat, absolutisht që procesi i miratimit të një ligji e ofron këtë mundësi që ka grupe interesi, të cilat ndërhyjnë, ndërhyn media, ndërhyjnë partnerët dhe patjetër është e drejtë absolutisht legjitime e të gjithë këtyre faktorëve që të ndërhyjnë në këtë debat. Presidentit nuk i lejohet që të ndërhyjë në këtë debat paraprak, sepse Presidenti ndërhyn vetëm në momentin kur ka ligjin në Institucionin e Presidencës dhe kur të tjerët nuk kanë ç'të thonë më, i takon Presidentit të flasë dhe të tjerët do të shohin se cili është opsioni i Presidentit.
Dje ishte dita e dyvjetorit të tragjedisë së Gërdecit. Njëzet e gjashtë viktima, procesi që zvarritet dhe që nuk ka përfunduar dhe që prej dy vitesh nuk kemi asnjë të dënuar. Si e shpjegoni ju këtë?
Këtu fusim një element tjetër, pa dashur të rikthehemi në eksperiencën e atij pozicioni që kam pasur në politikë, kur kisha diapazon të gjerë për të folur, madje edhe në eksperiencën e bashkëpunimit që kam pasur me emisionin tuaj, kemi folur gjerë e gjatë. Sot unë mund të them që ndarja e pushteteve duhet patjetër të respektohet në radhë të parë nga ky Institucion ku jam, çka do të thotë që unë respektoj të gjitha institucionet. Natyrisht, me performancën e mirë, apo të dobët të këtyre institucioneve, duhet thënë që unë pres si Kryetar i Shtetit dhe si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë që procese të tilla të ecin, të bëjnë progres në funksion të kohës, të mos ketë zvarritje natyrisht dhe të gjykohet drejt dhe me objektivitet për një çështje, e cila patjetër konsiderohet si një ngjarje shumë e rëndë në historinë e Shqipërisë moderne. Dëshiroj të inkurajoj në linjat parimore të gjithë ata që merren me procesin, për t'iu përkushtuar në mënyrë ligjore këtij procesi, i cili realisht ka një ndikim shumë kompleks në jetën e shoqërisë dhe të institucioneve, në jetën e njerëzve edhe sidomos në jetën e familjarëve të viktimave, për të arritur një proces të drejtë dhe në kohë. Pra, nuk më mbetet gjë tjetër veçse të riinkurajoj institucionet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre, të bëjnë punën për të cilën janë betuar dhe besoj që nuk ka asnjë lloj fryme për të paragjykuar një proces, i cili patjetër që do ta ketë finalen e tij.
Përse nuk i keni çuar zoti President emrat për t'i zëvendësuar?
Nuk është e vështirë për mua që të dërgoj dy njerëz në Parlament, por është një çështje, të cilën unë e kam bërë prezente dhe para aktorëve kryesorë politikë, e kam bërë prezent dhe para partnerëve ndërkombëtarë. Kam dashur që anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe ata që do të vijnë më prapa, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese që nga nëntë, janë gjashtë, kanë një kohëzgjatje nëntëvjeçare, është një ndërmarrje shumë e rëndësishme, do të doja të zgjidhen nga një Parlament ku të jenë të pranishëm të gjithë. Kam shpresuar që ata që do të dërgojmë, të jenë në një vendimmarrje të gjerë parlamentare, por ju siguroj që ata që kanë kaluar në afat, jam i detyruar që mbas një periudhe të gjatë pritjeje, jam i detyruar t'i dërgoj, ndërsa për pjesën tjetër unë uroj që të ketë një pjesëmarrje të gjerë parlamentare, për një vendimmarrje shumë të rëndësishme, për institucione kaq të rëndësishme, ku politika në mjaft raste është e detyruar që të orientohet, ta ketë si pikë referimi sistemin e drejtësisë.
E keni gati listën e këtyre dhjetë gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese?
Ashtu siç e kam paralajmëruar, do të ketë patjetër një konsultim të gjerë. Këto janë vërtetë përgjegjësi kushtetuese që i njihen Presidentit, por asnjëherë zgjidhjet dhe përzgjedhjet nuk duhet të jenë personale. Dëshiroj t'i jap një sfond më të gjerë. Asnjëherë njeriu nuk duhet të mendojë që di gjithçka edhe kur informacionin e ka të brendshëm, por duhet ta bëjë objekt të një diskutimi. është shumë e rëndësishme që të jenë zgjedhje shumë cilësore, mundësisht të pakontestuara, dhe të japin shansin dhe sigurinë që do të drejtojnë dy institucione shumë të rëndësishme, që do të japin drejtësi për një kohë relativisht të gjatë. Janë nëntë vjet. Nëntë vjet nuk janë pak. Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë kanë një kohëzgjatje prej nëntë vjetësh, ndërkohë që cikli i një mazhorance është katërvjeçar, cikli i një Presidenti është pesëvjeçar, ndërsa këto gjykata të rëndësishme kanë një cikël nëntëvjeçar. Pra, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm, duhet të arrijmë në finalen e një procesi që nuk duhet të ketë kontestime.
Nëse nuk ka zgjidhje në Parlament për shkak të qëndrimeve, të cilat ende palët mbajnë vis a vis me njëra-tjetrën, të kreshpëruara me njëra-tjetrën, a mendoni se ky proces i liberalizimit të vizave rrezikon?
Sigurisht, kjo është thënë nga shumë aktorë institucionalë ndërkombëtarë, që gjërat janë të varura nga fryma e zhvillimeve politike në Shqipëri, nga stabiliteti politik në Shqipëri dhe nga këndvështrimi parimor, patjetër që influencon. Unë dëshiroj që të gjithë të jenë të ndërgjegjshëm që ta inkurajojnë frymën e dialogut, të bashkëpunimit, edhe pse natyrshëm gjithmonë do të ketë mosmarrëveshje të karakterit politik, ndryshe nuk do të kishte sens pozitë dhe opozitë. Kjo është arsyeja që quhen pozitë dhe opozitë se janë në oponencë me njëra-tjetrën, por për gjërat që kanë një interes mbarëkombëtar duhet patjetër që të shtojnë sinergjizmin e tyre, që t'i japin zgjidhje këtyre çështjeve që njerëzit i përjetojnë me shumë emocion.