Ligji i SHISH, zbardhen ndryshimet
ADI SHKEMBI
Komisioni i Sigurisë Kombëtare miraton pa praninë e opozitës ndryshimet në ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar dhe i kalon ato për votim në seancën e të enjtes. Pas rreth pesë orë diskutimesh dhe debatesh, përfaqësuesit e maxhorancës i dhanë dorën e fundit draftit të propozuar nga Qeveria dhe disa nga ndryshimet e paraqitura nga SHISH-i.
Ndryshimet
Pas insistimit të institucioneve ndërkombëtare, deputetët e PD-së, kanë bërë disa lëshime për sa i përket raportit të Kryeministrit me Shërbimin dhe kreun e këtij institucioni. Pika më e rëndësishme e diskutuar dje, dhe e hequr në variantin përfundimtar, ka të bëjë pikërisht me marrëdhëniet e SHISH me institucionet homologe. "SHISH në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave", thuhej në paragrafin 10 të nenit 3 të variantit fillestar. Ndërkohë që në mbledhjen e Komisionit është rënë dakord që SHISH të marrë vetëm pëlqimin në parim të Kryeministrit, pa qenë i detyruar të hyjë në detaje. Në të njëjtën kohë është hequr edhe fjalia e fundit e këtij paragrafi, që ka të bëjë me procedurat e raportimit dhe marrjen e pëlqimit. Një tjetër ndryshim i bërë dje ka të bëjë me raportimin e kryetarit të Shërbimit te kreu i Qeverisë. Sipas variantit të miratuar edhe në komisionin e ligjeve, kreu i SHISH i raporton kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me Shërbimin. Në draftin përfundimtar që do të miratohet në seancë, fjalët 'në çdo kohë dhe për çdo çështje' janë hequr. Gjithashtu me ndryshimet e fundit, SHISH mund të kryejë veprimtari kundërzbulimi brenda vendit, por jo të mbledhë informacion. Në një konferencë për shtyp, në përfundim të mbledhjes së komisionit, kryetari Leonard Demi tha se "gjatë diskutimit komisioni bëri disa ndryshime të rëndësishme, që forcojnë më tej pavarësinë e këtij institucioni (paragrafi 10, neni 3), standardet demokratike dhe transparencën e tij në përputhje me kërkesat e vendeve të NATO-s. Këto ndryshime rrisin më tej veprimtarinë e SHISH, në përputhje me kërcënimet e sotme që i bëhen sigurisë sonë kombëtare dhe më gjerë, si për shembull armët e shkatërrimit në masë". Në mbledhjen e djeshme ka marrë pjesë edhe zv.drejtori i SHISH, Ylli Alushi, i cili ka rënë dakord me draftin, me përjashtim të nenit që bën fjalë për mandatin e kreut të Shërbimit. Burime nga komisioni bënë të ditur për gazetën, se argumenti i maxhorancës ka qenë që "duke i vendosur mandat kreut të SHISH-it, ky pozicion bëhet më i fortë, pasi me kushtet aktuale, ai mund të shkarkohet nga Kryeministri çdo gjashtë muaj. Ndërkohë që kjo nuk mund të ndodhë nëse ai ka një mandat 5-vjeçar". Në mbl-edhje kanë marrë pjesë gjithashtu edhe përfaqësues të OBDAT dhe EURALIUS.
Ndryshimet në ligjin e SHISH
Neni 3 pika b, ishte
Mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues.
Neni 3 pika b, bëhet
Kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues.
Neni 3 paragrafi 10, ishte
SHISH në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 3 paragrafi 10, bëhet
SHISH në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim në parim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme.
Neni 5 paragrafi 7, ishte
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
Neni 5 paragrafi 7, bëhet
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, për çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
SHISH, Rama: Berisha po shpërfill SHBA-në
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama akuzoi sot paradite Kryeministrin Berisha se po shpërfill qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, në lidhje me projektligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror. Sipas Ramës, "Berisha duke çuar përpara në miratimin e ligjit që kundërshtohet nga SHBA, po kërkon të sfidojë dhe t'i bëjë karshillëk para kësaj të fundit". "Prej tre ditësh Kryeministri i këtij vendi, që pa miqësinë e partneritetin e Shteteve të Bashkuara jo vetëm nuk do të ishte sot në NATO, po as do të kishte garancitë që ka sot për sigurinë e për ardhmërinë e vet, jo vetëm nuk ka reaguar ndaj shqetësimit publik të përfaqësuesit të nderuar të Shteteve të Bashkuara, po është mjaftuar me nxjerrjen e një zëdhënëseje. E cila recitoi se projektligji qenkërka pikë për pikë sipas standardeve të NATO-s e të BE-së", deklaroi dje Rama, në një prononcim për shtyp nga selia rozë. Më tej, kreu socialist kërkoi tërheqjen e projektligjit. "Unë i bëj thirrje zotit Berisha ta tërheqë menjëherë, pa humbur asnjë ditë, projektin e turpshëm të kthimit të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shik-un famëkeq që përgjonte e përndiqte kundërshtarët e tij në politikë, media e shoqërinë civile. Shpërfillja e shqetësimit që Shtetet e Bashkuara shprehën publikisht përmes Ambasadorit Uithers, është e patolerueshme", u shpreh Rama.