E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëbora, komunat në veri prej ditësh në emergjencë

Ndërpriten reshjet e dëborës gjatë 24 orët e fundit në veri dhe verilindje të vendit, ndërsa temperaturat janë ulur ndjeshëm. Kjo ka bërë që disa zona bora i ka lënë vendin ngricave, ndërsa në disa të tjera, sidomos në brendësi të qyteteve gjithçka ka nisur të shkrijë. Megjithatë, edhe gjatë natës së mbrëmshme nuk kanë munguar rastet e emergjencës, në fshatrat e thella malore, ku është e pamundur të qarkullohet me asnjë lloj mjeti, pasi trashësia e dëborës i kalon të 2 metrat.

Në qarkun e Dibrës sot nuk ka reshje bore, por temperaturat kanë zbritur deri në disa gradë nën zero dhe fryn erë e ftohtë. Mësohet se çatitë e tre shtepive janë shembur në fshatin Sllovë të komunës Qendër, duke lënë në qiell të hapur banorët e tyre. Po ashtu, në komunën Zallreç mungojnë medikamentet dhe vazhdojnë problemet për të sëmurët kronikë. Në komunën Zalldardhë një grua shtatzënë mbrëmë ka kërkuar ndihmë për t`u transportuar drejt spitalit të Peshkopisë, pasi rrugët janë të bllokuara prej javësh.

Në rrethin e Bulqizës situata bëtë edhe më shumë problematike si pasojë e ngricave. Komunat janë të bllokuara dhe disa fshatra prej ditësh nuk komunikojnë, pasi edhe linjat e telefonëve kanë dalë jashtë funksionit. Në qarkun e Shkodrës reshjet janë ndërprerë, por vazhdojnë të jenë të bllokuara disa fshatra të komunës Kelmend në Malësi të Madhe, si Vermosh, Nikç dhe Selcë. Në Dukagjin, komuna Shllak dhe Shosh dhe në Pukë, komuna Iballë, Gjegjan, Blerim Qafë Mali janë të izloluar. Megjithatë po punohet për hapjen e rrugëve.

Në qarkun e Korçës vazhdojnë të jenë të bllokuara prej 8 ditësh aksi Korçë-Dardhë, kurse aksi Korçë-Voskopojë kalohet me zinxhirë. Ngricat dhe akulli janë prezente kudo. Sot mësimi ka nisur në shkolla që në orën 9.00 ndërsa në zonat rurale në orën 10.00, sipas një vendimi që u mor nga ministria e arsimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›