E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëbora në Greqi, mbyllet Kapshtica, rrugët të pakalueshme

Situata e krijuar prej motit në rrugë ka vazhduar edhe dje, ndërsa ngricat dhe reshjet kanë izoluar dhjetëra fshatra në të gjithë vendin. Bllokimi i rrugës Selanik-Kozanë mbyll pikën kufitare

Pika kufitare e Kapshticës është mbyllur dje nga autoritet greke për shkak të bllokimit të rrugës Selanik-Kozanë, ndërkohë që në Qarkun e Korçës numri i banorëve të izoluar ka arritur në 5 mijë. Probleme me rrugët ka edhe në Vlorë dhe pjesë të tjera të Jugut të vendit, ndërkohë që janë izoluar edhe fshatra të thellë malorë në Veri e në Verilindje.

Kapshtica

Për 24 orë me radhë pika e kalimit mes Shqipërisë dhe Greqisë në qarkun e Korçës do të jetë e mbyllur. Autoritetet e policisë greke kanë njoftuar paraditen e të premtes homologët shqiptarë për të dhënë njoftimin e menjëhershëm zyrtar. Pezullimi i lëvizjes në rrugën e njohur “Egnatia” në Greqi, në aksin e saj Kozanë-Selanik, është bllokuar nga reshjet e shumta të dëborës.

Në këto kushte segmenti është mbyllur me urgjencë për kalimin e autobusëve dhe mjeteve të tonazhit të rëndë për plot 24 orë, por po ashtu është kufizuar edhe qarkullimi i mjeteve të vogla. Në këto kushte të gjitha udhëtimet e linjave të përditshme me Greqinë janë pezulluar, teksa udhëtarët e tyre janë kthyer pas. Gjithashtu dhjetëra maune nuk kanë vijuar udhëtimin e tyre drejt shtetit grek, ndërsa mësohet se në Greqi kanë mbërritur në afërsi të Verias një numër i madh kamionësh me targa shqiptare, në pritje për t’u hapur rruga dhe rikthyer në Shqipëri. Kjo masë urgjente është marrë nga pala greke gjatë paradites së të premtes, për shkak të reshjeve të dendura që bien në Kozanë. “Dëbora ka krijuar trashësi në rrugë, mjetet nuk kalojnë dot, janë të detyrueshëm zinxhirët për mjetet e vogla”, thuhet nga policia greke e cila e konsideron të rrezikshëm kalimin për mjetet. Ndërkaq edhe në Korçë situata paraqitet mjaft problematike.

Situata

Probleme me akullin janë shfaqur edhe në rrugët nacionale, në Qafën e Llogarasë, Qafa e Muzinës, në Vlorë e Gjirokastër, ndërsa rruga nacionale Përmet-Leskovik ka prani akulli. Në Qafën e Qarrit, rruga Ersekë-Korçë këshillohet të evitohet ose të përdoren me kujdes zinxhirët. Edhe në Qafë-thanë ka prani akulli, ndërsa në orët e para të mëngjesit të djeshëm probleme me ngricat kishte edhe në Qafë-kërrabë. Dëbora ka bërë të pakalueshme rrugët Tamarë-Vermosh dhe Bogë-Theth, trashësia e dëborës në zonë është mbi 1 metër. Edhe në qarkun e Kukësit disa fshatra në Tropojë janë bllokuar, ndërsa në rrugët nacionale ka prani akulli. Probleme te ngjashme ka edhe në komunat e Dibrës dhe rrethin e Bulqizës. Probleme janë hasur në komunat Qafë-Buall, Fushë-Bulqizë e Maqellarë. Në Dibër mbeten të izoluara komunat Lurë, Kala e Dodës e Sllovë. Drejtoritë rajonale të rrugëve thonë se po punojnë për të mbajtur të hapura rrugët dhe kalimin.

Prefekti i Korçës, Andrea Mano, ka bërë të ditur në një takim që ka patur me drejtues të pushtetit vendor, se në ditët në vijim me ngrica do të ketë në të gjitha rrugët gatishmëri 24 orë, pasi priten emigrantë për festat e fundvitit. Përsa i përket izolimit të mijëra banorëve në zonat më të thella malore të këtij qarku, nuk ka ende sinjale se kur do të normalizohet situata, pasi reshjet e borës kanë vijuar edhe gjatë natës së kaluar. Vazhdojnë të jenë totalisht të bllokuara, bëjnë të ditura burimet zyrtare nga Shtabi i Emergjencave Civile në Korçë, zona e Dardhës, Vithkuqit, Lekasit, Lozhanit, Mokrës, por dhe e Mirasit. Ndërkaq, akset nacionale të juglindjes janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, në të kundërt udhëtimi në to bëhet i rrezikshëm për jetën e udhëtarëve dhe drejtuesve të mjeteve. Policia e qarkullimit rrugor është duke monitoruar këto aske për të mos lejuar asnjë mjet të qarkullojë pa zinxhirë.

Akset e bllokuara

Tamarë-Vermosh

Bogë-Theth

Rruga e malit të Shoshit

Dorëz-Qarrishtë

Qafë Rrenas- Shmil

Gjinar-Zavalinë

Peshkopi-Librazhd

Fusharrëz - Iballë

Akset problematike

Qafa e Muzinës

Krumë-Bajram Curri

Qafa e Qarrit

Korçë-Dardhë

Korçë-Voskopojë

Korçë-Goricë

Qafa e Llogarasë

Kukës-Kalaja e Dodës

Qafë Mali-Kukës

Qafë Mali-Bajram Curri

Komunat e bllokuara:

Lurë, Kala e Dodës, Sllovë

Disa fshatra në Ostren, Trebisht dhe Martanesh (Dibër)

Iballë (Pukë)

Frashër, Dishnicë (Përmet)

Lops, Buz, Kurvelesh (Tepelenë)

Lunxhëri, Pogon, Zagori (Gjirokastër)

Vithkuq, Lekas – (Korçë)

Mokër e Poshtme dhe e Sipërme – (Pogradec)

Komuna Lekbibaj – (Tropojë)

Arren, Kalis dhe Zapod (Kukës)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›