E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndaloi për shkak të gomës, i vjedhin 5 mijë euro

Mamurras-Një emigrant që po kthehej nga Italia ka rënë preh e vjedhjes së dy të rinjve në rrugën nacionale Fushë Krujë – Mamurras. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se ka qenë ora 12:30 minuta, kur A. Kaçorri nga qyteti i Rrëshenit ka ndaluar autoveturën e tij tip ‘Opel’, në fshatin Luz të Fushë-Krujës. Shkak për ndalesën e tij ka qenë rënia e njërës prej gomave të makinës dhe ai ka ndaluar ta ndërronte atë. Në momentin që emigranti po ndërronte gomën, dy të rinj kanë hapur derën e makinës së tij, duke i marrë xhupin së bashku me 5000 euro që mbante dhe janë larguar menjëherë me një mjet. Sipas policisë, dy të rinjtë kanë zbritur në një distancë të largët nga një makinë, kanë vajtur tek automjeti i Kaçorrit, ku edhe kanë realizuar vjedhjen e më pas janë larguar. Policia ka nisur kërkimet për identifikimin e autorëve të vjedhjes. Ndërsa ka bërë edhe këqyrjen e mjetit, ku thotë se ka gjetur edhe gjurmët e gishtërinjve të dy të rinjve dhe pritet që shumë shpejt të këtë edhe emrat e personave në fjalë. Po kështu policia e Krujës ka nisur edhe hetimet me metoda speciale, pasi dyshohet se dy të rinjtë e kanë ndjekur më parë emigrantin, duke qenë në dijeni edhe të parave që ai kishte me vete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›