Pritë më armë në Qafë-Krrabë, dyshohet grabitës me maska
Drejtuesi i një makine taksi dhe pasagjeri i saj u kanë shpëtuar për mrekulli të shtënave me armë, ndërsa kanë refuzuar të ndalojnë në një bllokim rruge, pak kilometra në të dalë të Elbasanit
Dy persona kanë bllokuar rrugën me gurë dhe kanë qëlluar mbi një makinë, e cila në momentin që ka kuptuar se është në pritë, është kthyer pas. Policia thotë se ende nuk është e qartë nëse bëhet fjalë për grabitje apo njerëzit në pritë kishin synim ndonjë nga udhëtarët në makinë. Burime nga policia thonë se po hetohet në të dyja pistat, por fakti që dy personat kishin bllokuar rrugën dhe fillimisht kanë dashur ta ndalojnë makinën duke kërcënuar, të shtyn të dyshosh se bëhet fjalë për një tentativë grabitjeje.
Ngjarja
Ngjarja ndodhi rreth orës 00:30 të një nate më parë, në vendin e quajtur “Çezma e Kasinës, në ngjitje të Kërrabës, në aksin rrugor Elbasan-Tiranë. Automjeti taksi me targë TR 0101 C, është ndodhur në një pritë pasi rruga ka qenë e pakalueshme nga një masë shkëmbore e cila kishte bllokuar atë. Kur kanë kuptuar se janë në pritë, shoferi i taksisë që udhëtonte bashkë me një person tjetër, është kthyer me shpejtësi në drejtim të Elbasanit, por aty janë kërcënuar me armë nga dy autorë të pajisur me maska, të cilët edhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre por pa dëmtuar askënd.
Hetimet
Për ngjarjen është njoftuar patrulla e policisë, e cila ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes në tentativë për të gjetur autorët. Ata kanë zhbllokuar rrugën nga masa shkëmbore. Më pas në këtë vend kanë shkuar ekspertët dhe grupi hetimor. Ende mbeten të paqarta rrethanat e kësaj ngjarjeje. Drejtuesi i automjetit dhe personi tjetër deklarojnë se janë kërcënuar dhe qëlluar me armë nga dy persona të pajisur me maska. Ndërkohë ende nuk është e qartë nëse kjo ka qenë një tentativë grabitjeje apo një sulm i qëllimshëm për të kryer atentat ndaj personave që ndodheshin në taksi. Ngjarja është nën hetim dhe deri më tani policia ka mohuar që në këtë rast kemi të bëjmë me një grabitje me maska, përderisa ende rrethanat nuk janë zbardhur dhe kur viktimat nuk kanë pësuar asgjë. Megjithatë, burime të policisë thonë se personat kishin bllokuar rrugën me gurë dhe nuk mund të thuhet nëse prisnin një makinë në veçanti apo do të ndalonin gjithë mjetet që do kalonin aty. F.Salliu