Dëbora shkakton bllokim rrugësh në jug

Gjirokastër, 7 Shkurt NOA Reshjet e dëborës,
të zakonshme për stinën në rajonin verior të vendit, kanë pushtuar edhe rrethet
jugore duke shkaktuar madje bllokim të pjesshëm rrugësh, veçanërisht në akse
rurale ku policia raporton dhe për rrezik ndaj udhëtarëve nga rrëshkitje
dherash.
Në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e
motit të keq Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës tha sot se në Komunën Frashër
në rrethin e Përmetit, situata paraqitet më e rënduar pasi trashësia e dëborës
ka kaluar mbi 60 centimetra.
Rruga rurale nga qytetit i Përmetit deri në
vendin e quajtur zona e Bredhit, 15 kilometra pa vajtur në qendër të komunës
Frashër është e hapur, - i thanë agjencisë NOA, burimet zyrtare policore.
Ata saktësuan se nga ky vend e deri në qendër
të komunës Frashër rruga është e bllokuar, pasi dëbora ka arritur rreth 70
centimetra.
Në rrethin e Tepelenës nuk janë konstatuar zona
të bllokuara apo akse rrugore, të gjitha komunat janë të hapura, po kështu edhe
akset rrugore nacionale dhe rurale.
Por në vendin e quajtur Shkalla e Zezë, në
aksin rrugor Gjirokastër - Tepelenë, si pasojë e rrezikshmërisë që paraqet ky
segment rrugor nga rrëshkitjet e dheut, është vendosur një fadromë e Drejtorisë
së Rruga Urës e cila po qëndron 24 orë, kurse në çdo moment kryen shërbim një
patrullë e qarkullimit rrugor të Komisariatit të Policisë Tepelenë.
Në rrethin e Gjirokastrës, policia raporton se
nuk është shkaktuar asnjë problem si pasojë e motit të keq.
Të gjitha rrugët që të çojnë në komunat e
këtij rrethi janë të hapura, po kështu edhe akset rrugore Gjirokastër Sarandë
dhe Gjirokastër -Tepelenë janë të kalueshme pa probleme, - konfirmon policia.
Ndërkohë, strukturat e Drejtorisë së Policisë
së Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se kanë kaluar në gatishmëri të përforcuar
dhe janë shpërndarë në të gjitha komunat e qarkut duke marrë kontakt me
kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave për tu ardhur në ndihmë
banorëve dhe drejtuesve të automjeteve për problemet që mund të hasin në rast
përkeqësimi të motit.
Po kontaktojmë me drejtuesit e ndërmarrjeve
Rruga Ura, Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet me qëllim koordinimin e veprimeve
për ti paraprirë ndonjë situate të papritur si pasojë e motit, - thanë zyrtarët
vendorë të policisë.
d.xh/NOA