Opozita komenton rrëzimin nga Kushtetuesja të ligjit për kontabilistët

Tiranë, 6 Shkurt NOA Update - Gjykata Kushtetuese
shpalli dje si antikushtetues pjesë të ligjit Për auditimin ligjor,
organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të
kontabilistit të miratuar.
Duke u nxitur nga ky fakt, Partia Socialiste shfrytëzoi
sot rastin të konsiderojë se kjo është një tjetër shuplakë që Gjykata
Kushtetuese i jep përpjekjeve të mazhorancës për të miratuar ligje që bien
ndesh me Kushtetutën dhe që kërkojnë të vendosin rregulla juridike me ligje që
votohen me shumicë të thjeshtë.
Vasilika Hysi, deputete e PS tha se tanimë,
është rast i përsëritur, injorimi haptas që mazhoranca i bën parimeve e
kushtetueshmërisë së shtetit në procedurën formale të miratimit të ligjeve, por
edhe në përmbajtjen e tyre: si në ligjin për lustracionin apo në marrëveshjen
për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë.
Injorimi që i bëhet Kushtetutës, ndarjes dhe
balancimit të pushteteve, respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut nuk
janë rastësi, por mënyrë e qeverisjes dhe shprehje e prirjeve teje të theksuara
për të injoruar çdo pushtet tjetër dhe për të përqendruar të gjitha
pushtetet në dorën e pushtetit ekzekutiv, - tha Hysi.
Sipas saj, këtë përfundim e vërteton më së
miri, nismat e tjera ligjore të hedhura në tregun mediatik, para se të bëhen
pjesë e nismave të institucioneve të interesuara dhe debateve me ekspertë dhe
institucionet përkatëse.
Për PS, përpjekjet për të ndryshuar ligje të
rëndësishme si: ligjin për Shërbimin Informativ Kombëtar, ligjin Për policinë
gjyqësore, miratimi i ligjit për parandalimin e krimit të organizuar mes
goditjes së pasurisë etj., trumbetohen si nisma që synojnë të luftojnë krimin e
organizuar, të rrisin efektivitetin e institucioneve të ngarkuara me ligj për
parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar, por në fakt, janë nisma në
vazhdën e dëshirave të shfrenuara për të cënuar kushtetutën, pavarësinë e
institucioneve dhe parimet e vendosura në kodet e miratuara me votim të
cilësuar.
Në një kohë, kur opozita, në respekt të Kushtetutës,
të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të pavarësisë së gjykatave, rezolutës së
Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Europës kërkon hetim parlamentar dhe hapjen
e kutive për të hetuar, mazhoranca betohet dhe përbetohet për respektim të
Kushtetutës, të vendimeve Gjykatës Kushtetuese, dhe nga ana tjetër, i injoron
totalisht ato dhe nuk kursen një lum fyerjesh dhe shpifjesh për anëtarë
të Gjykatës Kushtetuese, sa herë që këta të fundit vendosin në emër të
Kushtetutës.
Në këtë pikë, Hysi tha se PS i bën thirrje
mazhorancës që të heqë dorë nga nisma ligjore që bien ndesh me Kushtetutën dhe
procesin formal dhe substancial të bërjes së ligjeve.
Ne i bëjmë thirrje mazhorancës dhe
Kryeministrit Berisha që para se të ndërmarrë nisma ligjore të rëndësishme, të
konsultohet me institucionet që zbatojnë ligjet dhe në analizat objektive të
efektivitetit të tyre, dhe jo në dëshirat për të kontrolluar dhe marrë në një
dorë të gjitha pushtetet, - theksoi Hysi.
e.r/NOA