Dëbora shtyn Skënderbeu-Shkumbini, moti në Korçë bën lëmsh kampionatin
Problemeve të shumta që janë vënë re në Kategorinë Superiore i janë shtuar edhe kushtet e rënduara atmosferike në qytetin e Korçës. Për shkak të reshjeve të dëborës në qytetin juglindor, Skënderbeu e ka të pamundur zhvillimin e ndeshjeve në shtëpi. Kjo është konfirmuar edhe në përballjen e javës së 22-të, ku skuadra e drejtuar nga Mirel Josa duhej të luante të dielën kundër Shkumbinit. Takimi u shty për shkak të gjendjes së papërshtatshme të fushës së Korçës, e cila ishte mbushur me baltë, pas shkrirjes së borës. Skuadra peqinase dhe treshja e gjyqtarëve e drejtuar nga kryesori Artan Taullau ishin paraqitur normalisht në stadium. Gjyqtarët, të shoqëruar nga delegatët e FSHF-së, stafet e klubeve respektive dhe dy skuadrat kanë pritur për më tepër se 30 minuta që moti të përmirësohej dhe të shqyrtonin mundësinë për ta zhvilluar ndeshjen. Por, të gjitha shpresat janë venitur në momentin kur reshjet e dëborës kanë rinisur të dendura, duke e bërë të pamundur zhvillimin e ndeshjes. Peqinasit e kanë kaluar natën në Korçë, me shpresën se takimi mund të luhet sot, por reshjet e pandërprera e vështirësojnë këtë variant.
Në këtë mënyrë, Skënderbeu duhet të rikuperojë dy takime, në një kohë kur të gjitha ekipet e tjera (përveç Flamurtarit dhe Kastriotit, që nuk e mbyllën ndeshjen e djeshme) e kanë mbyllur fazën e dytë të kampionatit. Një problem mjaft i madh për Sektorin e Garave në FSHF, që në harkun e shtatë ditëve duhet të gjejë hapësira për të zhvilluar sfidat Skënderbeu-Teuta (e parashikuar për t’u zhvilluar të enjten) dhe Skënderbeu-Shkumbini, përpara përcaktimit të kalendarit për fazën e tretë të kampionatit. Ndeshjet e 11 javëve të fundit në Superiore nuk mund të përcaktohen pa u mësuar klasifikimi i saktë në dy fazat e para, pasi sipas skemës së përdorur, ato varen nga pozicioni që ekipet kanë në klasifikim. Kohës së pakët në dispozicion, brenda së cilës korçarët duhet të zbresin dy herë në fushë, i shtohet edhe problemi atmosferik. Me këtë mot, Skënderbeu e ka të pamundur që të luajë në fushën e tij, jo vetëm prej dëborës në Korçë, por edhe për shkak të terrenit të papërshtatshëm. Një zgjidhje pritet të jetë zhvillimi i takimeve në fushë asnjanëse, por mbetet për t’u parë nëse drejtuesit korçarë do të pranojnë që skuadra e tyre të luajë dy herë në harkun e pak ditëve.
#