E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo ka luksin të humbasë 3-0 në Fier

Kryesuesit

Dinamo pëson humbjen e dytë sezonale në Fier. Kryesuesit janë mposhtur 3-0 nga Apolonia, duke i bërë një “dhuratë” mjaft të vlefshme skuadrës së Hasan Likës, e cila regjistron fitoren e parë pas gjashtë javëve “agjërim”. Blutë e drejtuar nga trajneri Shkëlqim Muça janë shfaqur apatikë dhe pa dëshirë për të fituar në përballjen e luajtur në stadiumin “Loni Papuçiu”. Heroi i vendasve ka qenë sulmuesi Mlladen Brkiç, me dy gola të realizuar në minutat 57 dhe 69, ndërsa kohë për “festë” ka pasur edhe për Arbër Monen, i cili ka shënuar në sekondat e fundit të minutës së katërt shtesë. I riu fierak e dërgoi topin në rrjetë vetëm pak çaste pasi ishte aktivizuar si zëvendësues, duke vulosur një tjetër “shpartallim” të bluve. Në fakt, edhe pse kanë pësuar vetëm dy humbje në 22 ndeshje, në këto disfata kryesuesit e kampionatit kanë pësuar plot 7 gola. Përpara humbjes 3-0 në Fier, ata ishin dorëzuar 4-0 me Shkumbinin në Peqin, në takimin e vlefshëm për javën e 16-të. Me gjithë shifrat e ekzagjeruara, kryeqytetasit kanë luksin që t’ia lejojnë vetes humbjen në Fier. Ata vazhdojnë të jenë shumë larg Besës, e cila është ndjekësja më e afërt në Superiore. Dinamovitët kanë plot 14 pikë avantazh përballë kavajasve dhe fitimi i titullit duket vetëm një formalitet.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›