E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandal në Vlorë, Kastrioti braktis fushën

Krutanët largohen në shenjë proteste në minutën e 89-të, kur ndeshja ishte 1-1, pas episodit të sanksionuar nga gjyqtari Jareci Polemika dhe grushte, pas një penalltie të dyshimtë në favor të Flamurtarit

Nuk kanë të sosur problemet në kampionatin elitar në vend. Fushat e lojës vazhdojnë të shndërrohen në arenë lufte, polemikash dhe pretendimesh. Java e 22-të e Kategorisë Superiore është karakterizuar nga dhuna dhe skandalet, që vazhdojnë ta shkatërrojnë imazhin dhe besueshmërinë e aktivitetit më të rëndësishëm të sportit të top këmbës në vend. Pas goditjes me grusht të vijërojtësit Denis Agaraj nga zv/trajneri i Gramozit, të shtunën në Ersekë, të dielën është regjistruar një tjetër ngjarje e rëndë. Takimi Flamurtari-Kastrioti u ndërpre në minutën e 89-të, pasi skuadra mike braktisi fushën në shenjë proteste. Shkak është bërë një penallti mjaft e dyshimtë e akorduar nga gjyqtari ndërkombëtar, Sokol Jareci, në sekondat e fundit të sfidës ndërmjet dy skuadrave që luftojnë për mbijetesën. “Bilbili” ka drejtuar dorën nga pika e bardhë kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim 1-1, me golat e shënuar nga Sakaj në të 19-ën me 11-metërsh për vendasit, ndërsa miqtë barazuan me Pemën në të 35-ën. Penalltia e dytë për Flamurtarin ka sjellë reagimin e stafit teknik dhe të futbollistëve të Kastriotit. I gjithë stoli krutan ka mësyrë në fushën e lojës, për t’u konfrontuar me gjyqtarët, ndërsa “xhaketat e zeza” u morën në mbrojtje nga forcat e rendit. Aty për aty, tensioni është rritur ndërmjet lojtarëve të skuadrave rivale, të cilët debatuan ashpër, madje duke përdorur edhe grushtet. Duke parë që situata në fushë po degjeneronte, Jareci ndëshkon me kartonin e kuq Halim Begajn nga Flamurtari dhe Genti Gjondedën, përforcimin e merkatos së dimrit të Kastriotit. Penalltia në favor të Flamurtarit, e cila do t’u jepte vlonjatëve të drejtuar nga Magani tri pikë mjaft me peshë në klasifikim irritoi drejtuesit e Kastriotit. Ata e cilësuan vendimin një padrejtësi (të disatën sipas presidentit Artan Djala, që vetëm pak orë përpara takimit kishte pretenduar arbitrim korrekt) dhe vendosën ta tërhiqnin skuadrën nga fusha e lojës. Pavarësisht tentativave për negociata nga gjyqtari Jareci dhe të dërguarit e Federatës Shqiptare të Futbollit, krutanët nuk kanë pranuar që ta përfundojnë ndeshjen. Duke qenë se vendimi për 11-metërsh në favor të vlonjatëve ishte i pakthyeshëm, skuadra e drejtuar nga Ramazan Ndreu u fut në dhomat e zhveshjes. Pas pritjes që zgjati afro 5 minuta dhe konsultimeve me delegatin dhe vëzhguesin e FSHF-së, “bilbili” ndërkombëtar vërshëlleu mbylljen e takimit, ndërkohë që në fushë kishte mbetur vetëm ekipi i Flamurtarit.

Tashmë kjo çështje do t’u kalojë për shqyrtim organeve të federatës. Jareci do të gjykohet nga Komisioni i Arbitrave për faullin e diskutueshëm brenda zonës, ku rrezikon të pezullohet pikërisht në momentin kur kampionati do të hyjë në fazën më të “nxehtë”, në fazën e tretë. Megjithatë, gabimi i arbitrit nuk e justifikon kurrsesi faktin që Kastrioti braktisi fushën dhe nuk pranoi mbylljen e takimit. Me këtë çështje do të merret Komisioni i Disiplinës, që sipas gjasave pritet t’u japë vlonjatëve fitoren 2-0 në tavolinë. Rregullorja parashikon gjithashtu edhe penalizim në pikë për skuadrën që ka shkelur rregullat (Kastriotin) dhe një paralajmërim për përjashtim nga aktiviteti, nëse ky rast do të përsëritet.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›