Erjon Tola: Nuk zbavitem i vetëm në olimpiadë
U nis drejt Kanadasë si përfaqësuesi i vetëm i Shqipërisë në Lojërat Dimërore, Vankuver 2010. Madje, skiatori Erjon Tola ishte i pari që parakaloi në ceremoninë e hapjes së këtij evenimenti, duke mbajtur flamurin kuqezi. Megjithëse e cilëson veten një hero të vogël, 23-vjeçari nuk e fsheh pakënaqësinë që është i vetëm në olimpiadë. “Hyra i pari në stadium gjatë ceremonisë së hapjes, duke mbajtur flamurin dhe shpirtin e vendit tim. Duke qenë përfaqësuesi i vetëm i vendit tim, ndihesha si një hero i vogël. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, nuk është aspak zbavitëse që të mos kem asnjë shok skuadre”, deklaroi Tola, i cili nesër (më datë 23) do të konkurrojë në slalomin gjigand për meshkuj. Më 27 shkurt, skiatori shqiptar do të konkurrojë edhe slalomin për meshkuj. Kjo është olimpiada e tij e dytë, pas Torino 2006, ku u rendit i 35-ti në slalomin gjigand në moshën 19-vjeçare. Erjon Tola dhe Bojan Kosiç janë atletët e vetëm për Shqipërinë dhe Malin e Zi, mes mbi 100 sportistëve që përfaqësojnë 11 vende të Europës Juglindore në Vankuver 2010. Për t’u veçuar është fakti se Kosova është shteti i vetëm i kësaj zone të “Kontinentit të Vjetër” që nuk përfaqësohet në Olimpiadën XXI Dimërore.
#