Korçarët harrojnë Flamurtarin, duan fitoren e dytë me Laçin
Në rast fitoreje ditën e nesërme ndaj laçianëve, kampionët janë me një këmbë në gjysmëfinale, prandaj kërkojnë ta zgjidhin sa më parë
Skënderbeu nuk ka më dëshirë që ti kthehet ndeshjes të së martës që kaloi ndaj vlonjatëve, pasi atë takim e quan të përfunduar dhe korçarët me atë fitore 4-1 kryesojnë grupin, madje me një goleavarazh vërtet për tu admiruar. Edhe pse ka kaluar vetëm një takim nga turi çerekfinal i kupës, Skënderbeu nuk ka ndër mend që të lëshojë, pasi dëshiron që ta mbyllë një orë e më parë çështjen e kualifikimit për të qënë i sigurtë në turin tjetër gjysëmfinal:
Një fitore këtë të shtunë ndaj Laçit në kryeqytet do të thotë që ne të ngjitemi në kuotën e 6 pikëve dhe të hedhim një këmbë në turin tjetër. Ndeshjet do ti marrim një nga një dhe deri në momentin që ne ta sigurojmë edhe matematikisht këtë kualifikim do të japim më të mirën në fushën e lojës.
Vetëm pas Laçit do të mendojmë për kampionatin, – mësohet tu ketë thënë ditën e djeshme në stërvitjen e fundit në qytetin juglindor të tijve trajneri çek, Stanilav Levi. Në fakt, ditën e djeshme kampionët i kanë mbyllur përgatitjet e tyre në shtëpi me një stërvitje në orën 11.00 të mesditës, seancë që ka zgjatur më shumë se 120 minuta, ndërkohë që duhet theksuar se nuk ka pasur asnjë problem për lojtarët dhe të gjithë e kanë mbyllur deri në fund.
Siç dihet, kampionët këtë sezon kanë dy objektiva, titullin kampion dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë, ndërkohë që pas fitores me vlonjatët, ata tashmë ndihen më të sigurt edhe për atë se nesër në rast fitoreje ndaj Laçit, do të vijojnë të kryesojnë grupin. Favori i Skënderbeut për këtë ndeshje të radhës është se ndaj kurbinasve do të luajnë në kryeqytet, në këtë fushë asnjanëse dhe pa tifozë, çka i favorizon së tepërmi djemtë e Levit.
Në fazën e parë të superligës të gjithë e mbajnë mend që laçianët i shkaktuan humbjen e parë Skënderbeun nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, me rezultatin 2-1. Skënderbeu i asaj kohe ka shumë pak për të mos thënë aspak ngjashmëri me Skënderbeun e sotëm edhe për atë se ka ndryshime që nga stafi dhe deri te lojtarët e rinj që kanë mbërritur së fundmi.
Stanislav Levi, për herë të parë në pankinë do të vihet përballë Laçit dhe është skuadra me të cilën nuk është përballur deri tani si për kupë, por edhe për kampionat. Kjo do të jetë një tjetër provë për çekun, që deri tani i ka kalur të gjitha me sukses, por që duhet pritur e nesërmja për të parë edhe kurbinasit.
Iku Flamurtari Në Korçë askush nuk ka më dëshirë që të flasë për ndeshjen e parë të vitit, atë ndaj Flamutarit. Kampionët e quajnë një punë të mbyllur atë takim edhe për atë se në dy takimet e deritanishme të këtij sezoni në fushën e korçarëve, si për kampionat, por edhe për Kupën e Shqipërisë, i kanë mundur vlonjatët.
Gjithsesi, në shtëpi, Skënderbeu i ka bërë më së miri detyrat dhe deri në fund ka për të luajtur dy përballje të tjera me vlonjatët në shtëpinë e tyre, ndeshje të cilat do të luhen në muajt në vijim. Ditën e sotme pritet edhe vendimi i komisionit të disiplinës, teksa në klubin juglindor e dinë mirë që do të marrin një gjobë të majme, dhe pritet që të dënohet edhe fusha në disa ndeshje pa praninë e tifozëve.
Si zakonisht, presidenti Zeqo është mësuar me gjoba të tilla dhe pas kësaj gjobe që pritet të marrë shifra e gjobave për kampionët pritet të arrijë shumën e 100 milionë lekëve, një shumë që shumë skuadra do ta kishin zili ta përdornin për shpenzimet e lojtarëve, por që donatorët korçarë, këtë shumë deri tani e kanë paguar vetëm për qefin e tifozëve të tyre.
Së fundi, superndeshja Skënderbeu-Flamurtari ka përfunduar edhe në media, pasi kampionët janë përqëndruar në ndeshjen e tyre të radhës dhe e quajnë një mision të realizuar dy herë fitoret 2-1 që kanë arritur në këtë sezon ndaj Flamurtarit.
