Debutim për Oscar

Përforcimi i ri i Chelseat, Oscar tregoi kualitetet në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve. Braziliani iu bashkua kampionit të Evropës nga Internacional gjatë verës në marrëveshje me vlerë prej 25 milionë funtesh dhe dhuroi magjitë e para në barazimin 2-2 me Juventusin duke realizuar dy gola brenda dy minutave.
Oscar dos Santos Emboaba Junior, sa për të dhënë emrin e tij të plotë, duket më i ri se 21 vjeç, por ishte një prej futbollistëve më të dalluar në Kampionatin botëror U-20 vitin e kaluar dhe u paraqit shumë mirë për Brazilin në Olimpiadën e Londrës. Nëse dikush kishte dyshime se ky djalosh nuk është i denjë të kryejë punën e tij, ato u shuan të mërkurën mbrëma. Goli i tij i parë në minutën e 31-të u shënua pas një devijimi nga mbrojtësi i Juventusit, Leonadro Bonucci, por nuk kishte asgjë me fat rreth të dytit.
Pas një pasimi të shkurtër nga Ashley Cole, Oscar u rrotullua duke iu shmangur Bonuccit dhe Andrea Pirlos, kurse me një goditje të jashtëzakonshme e mposhti portierin Gianluigi Buffon. Ky gol e kaloi Chelsean në epërsi 2-0 dhe i hapi rrugën drejt fitores, por Juventusi u kundërpërgjigj dhe mori një pikë nga Stamford Bridge, përkundër shkëlqimit të Oscarit.
Braziliani u desh të largohej nga fusha para kohës pas një ndërhyrjeje të ashpër nga Bonucci, i cili e shkeli në nyje të këmbës dhe menaxheri Roberto di Matteo është shprehur në dyshim rreth aktivizimit të tij kundër Stoke Cityt të shtunën. Para të mërkurës, Oscar bëri vetëm dy paraqitje si zëvendësues në Premierligë dhe u paraqit në pjesën e dytë të Superkupës së Evropës kundër Atletico Madridit muajin e kaluar.
“Bëra mirë që e inkuadrova sonte. Ritmi i lojës në Premierligë është i vështirë, por ai prapë u paraqit mirë, kurse sonte shënoi dy gola të shkëlqyeshëm, derisa kreu punë edhe nga aspekti taktik duke mbuluar mirë Andrea Pirlon. Ai luajti shumë mirë dhe jam i lumtur që e kam këtu”, deklaroi Di Matteo. Ndihmëstrajneri Massimo Carrera po ashtu u impresionua nga kontributi i Oscarit.
“Goli i dytë ishte mjeshtëri e shënimit, ishte i jashtëzakonshëm”, u shpreh ai. Kurse vetë Oscar, i cili dukej edhe më i ri derisa po qëndronte në zonën mikse, tha: “Nuk shënoj gola të tillë gjithmonë”. Fakti se mund të shënoj është lajm shumë i mirë për Chelsean dhe Brazilin.
Oscar tashmë ka depërtuar në ekipin senior të Brazilit dhe është në rrugë të mirë për t’u ftuar për Kampionatin botëror 2014 si një prej futbollistëve kryesorë të skuadrës së shtetit nikoqir, që ka paralajmëruar se do të luftojë për titull. Paraqitjet për Chelsean në Premierligë dhe Ligën e Kampionëve prej tani e tutje munden vetëm të përmirësojnë lojën e tij dhe nëse është në gjendje të shënojë gola si këta të mërkurën mbrëma, kush e di se çka do të bëjë pas dy vitesh.