E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti: Rama, 3 mijë euro për substancën që thith me hundë



Aristir Lumezi

Ministri i Energjetikës akuzoi dje kryetarin e Partisë Socialiste, se po fsheh pasurinë. Duke iu përgjigjur akuzave të bëra në adresë të tij nga eksponentë të PS-së dhe "Zëri i Popullit", Prifti, nga foltorja e Parlamentit shkoi dhe më tej, duke akuzuar Ramën "se vlera prej 3 mijë euro që ka deklaruar se ka në bankë është vetëm vlera e substancës që ai thith çdo ditë me hundë". "A ka shqiptar që ta besojë se Edi Rama nuk ka shtëpi dhe jeton me nënën e vet. Kjo është qesharake. Dallimi mes meje e tij është se unë e familja ime i kemi vënë pasuritë me ndershmëri. Ai njeri thotë është i pastrehë. Ai në deklaratën e tij të pasurisë thotë që është i pastrehë dhe ne të gjithë e dimë që Edi Rama është pronar i fshehtë i mbi 200 apartamenteve në Tiranë, sepse flasin ndërtuesit. Taksa e tij e jashtëligjshme është 30 euro metër katror, për çdo leje ndërtimi që ka dhënë nga viti 2000 e deri sot. Ai njeri, të nderuar kolegë deputetë, thotë se ka vetëm 3 mijë euro pasuri në bankë. Unë po ju them se 3 mijë euro kushton vetëm substanca që ai thith me hundë çdo ditë. Vlera e një dite e substancës që Edi Rama thith çdo ditë me hundën e vet, bën më shumë se tre mijë euro", deklaroi dje në seancë parlamentare Dritan Prifti. Deklaratat e Ministrit të Ekonomisë, shkaktuan reagim nga ana e deputetëve socialistë. Taulant Balla i kërkoi Kryetares së Parlamentit t'i ndërpriste fjalën ministrit të Qeverisë. "Të isha unë do më përjashtoje tani nga salla", iu drejtua Balla, Topallit. Deputetët Braçe dhe Bizhga nisën t'i binin tavolinës duke kërkuar ndërprerjen e fjalës së ministrit. Por nga foltorja e Parlamentit, Prifti iu përgjigj dhe deputetit socialist Balla duke akuzuar dhe atë. "Ej, Taulant, do pushosh apo jo. Nuk po flasim për kazinonë tënde. Ti le shumë para në kazino mor burrë", akuzoi Prifti. Ministri i Energjetikës ftoi Inspektoratin e Deklarimit të Pasurisë të hetojnë deklarimet e pasurive të tij dhe të Edi Ramës. Prifti sqaroi se kishte shitur 30% të aksioneve të një kompanie që e kishte ngritur në 2007, kur ishte deputet i opozitës.

PS, padi në Prokurori ndaj Priftit
Zyra e shtypit e PS-së, përmes një deklarate të zëdhënëses së saj, Armela Imeraj, njoftoi dje se kreu socialist do t'i drejtohet prokurorisë, përmes një padie ndaj Dritan Priftit. "Janë mbi 30 paditë e kryetarit Edi Rama në prokurori e gjykatë, për akuzat e bëra ndaj tij prej Berishës me shokë. Sot ka nisur të shkruhet padia për Dritan Priftin. I cili është i ftuar t'i provojë të gjitha ato që tha, duke shpifur e sharë në përpjekjen për t'i shpëtuar pyetjes së opozitës: Zoti Prifti, si i fitove 1.8 milionë euro brenda vitit që je Ministër Ekonomie? Kjo pyetje kërkon përgjigje dhe Dritan Prifti nuk i ikën dot të vërtetës, duke gjuajtur me baltë opozitën", u shpreh Imeraj.

Akuzat
Ditët e fundit, pas publikimit në media të pasurisë së politikanëve, përfaqësues të selisë rozë por dhe shtypi partiak i saj, "Zëri i Popullit" akuzuan ministrin e ekonomisë se është pasuruar në kohë krize. Sipas deputetit Besnik Bare, Prifti në një vit krize për të gjithë shqiptarët ka nxjerrë një fitim mujor prej 150 mijë eurosh në muaj nga shitja e aksioneve në kompaninë që ai deklaron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›