E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho: Më thërrisni ‘Only One’

Jose Mourinho nuk preferon ta thërrasin më ‘Special One’. Trajneri portugez thotë se njerëzit mund ta thërrasin ‘Only One’ (I vetmi), pasi triumfoi në tri ligat më të forta evropiane. 49-vjeçari thotë se ka fituar gjithçka në karrierë, prandaj ndihet më pak egoist.

‘Special One’ nuk mjafton më, tash dëshiron të thirret ‘Only One’, që do të thotë: ‘Një, i vetëm’. Jose Mourinho është lodhur nga nofka e deritashme, e cila i ishte vënë në vitin 2004, kur kishte arritur në Chelsea. Trajneri portugez është bërë i vetmi që e ka fituar titullin e kampionit në tri kampionatet më të forta të botës, atë anglez, spanjoll dhe italian, për këtë ai ndihet i veçantë dhe e preferon nofkën e re.

“Ju pëlqen ose jo, unë jam një dhe i vetmi trajner që ka fituar në tri kampionatet kryesore të Evropës si Premierligë, Serie A e La Liga. Prandaj, tash njerëzit në vend të ‘Special One’, duhet të më thërrasin ‘Only One’. Falë Zotit, gjërat kanë shkuar gjithmonë mirë”, deklaroi ish-trajneri i Portos, ku po ashtu pati eksperiencë të shkëlqyeshme, duke e fituar Ligën e Kampionëve dhe kampionatin portugez.

Ai nuk la pa e përmendur as suksesin në Ligën e Kampionëve me Interin. “Kam fituar praktikisht gjithçka, për këtë, me kohë po bëhem gjithnjë e më pak egoist. Më pëlqen gjithmonë e më shumë gëzimi i të tjerëve dhe për këtë motiv, suksesi me Interin më jep kënaqësi të veçantë. Ky klub u rikthye të triumfonte pas 50 vjetësh. Këto janë sfida që më motivojnë, nuk mendoj për objektiva personalë”, vazhdoi trajneri i Real Madridit.

Përpos suksesit në Porto, 49-vjeçari fitoi dy tituj të kampionit të Anglisë me Chelsean, pastaj dy Scudetto me Interin, plus Ligën e Kampionëve, dhe së fundmi e fitoi La Ligan me Realin. Natyrisht, objektiv kryesor i ‘Mou’ është që ta fitojë Championsin me ekipin madrilen, ku do të bëhej trajneri i parë në histori që ngadhënjen në këtë kompeticion të rëndësishëm me tri ekipe të ndryshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›