E Diel, 1 Nëntor 2026

Assad kontrollon 30 përqind të territorit

Ish-kryeministri sirian, Riad Hijab, i cili një javë më parë u arratis në Jordani, deklaroi të martën se regjimi i presidentit, Bashar al-Assad, momentalisht kontrollon vetëm 30 përqind të territorit të Sirisë.

Sipas asaj që Hijab e tha gjatë një konference me gazetarë në Aman, regjimi i al-Assad “është i shkatërruar plotësisht, në kuptimin ushtarak, ekonomik dhe moral”.

Hijab po ashtu rikonfirmoi se tashmë ka kaluar në anën e kryengritësve, dhe u ka bërë thirrje edhe prijësve të tjerë politikë dhe ushtarakë q’ t’ia kthejnë shpinën regjimit sirian.

Ishte ky adresimi i tij i parë publik që prejse javën e kaluar u arratis, bashkë me familjen, drejt kryeqytetit jordanez. Deri më tani, Hijab është zyrtari më i lartë sirian që braktisi regjimin e presidentit al-Assad.

Gjatë konferencës, ish-kryeministri i Sirisë sqaroi se më nuk mundi të mbështeste presidentin al-Assad, meqenëse ai qartazi nuk është më në gjendje t’i përfundojë konfrontimet në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›