Deda: Serbët e Kosovës janë kundër ndarjes

Përderisa brenda në sallën e Kuvendit po debatohej për masakrën në Burgun e Dubravës, të kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999, deputetja serbe Rada Trajkoviq po zhvillonte takim ‘ad hoc’ me këshilltarin politik të presidentes së Kosovës, Ilir Deda. Mediat nuk janë lejuar as të incizojnë këtë takim të tyre në hollin e Kuvendit, ndërkohë Deda ka thënë më pas se ishte vazhdimësi e takimit të presidentes me deputeten serbe.
Megjithatë, temë kryesore e këtij takimi më shumë joformal, ka qenë çështja e ndarjes së Kosovës që përmendet vazhdimisht ditëve të fundit nga zyrtarët në Beograd.
Deda ka thënë se me Trajkoviqin ka biseduar, duke e pasur parasysh faktin se ajo është një ndër përfaqësuesit e serbëve të Kosovës që është në mënyrë kategorike kundër ndarjes së Kosovës në pjesën veriore.
“Ishte vazhdim i një takimi të cilën zonja Trajkoviq e ka pasur me presidenten e Kosovës dhe ju e dini që nga liderët politikë serb në Kosovë, ajo është një ndër zërat më të fuqishëm kundër ndarjen e Kosovës. Duke marrë parasysh çka po dëgjojmë nga Beogradi ditëve të fundit, edhe ky është një mesazh prej Prishtinës se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se askush nuk do të bisedojë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë Deda.
Sipas tij, qëndrimi i Trajkoviqit është një sinjal që i jepet Beogradit, se në Kosovë nuk janë vetëm shqiptarët kundër, por edhe komunitetet tjera, e sidomos komuniteti serb.
“Duhet ta dini që ditët kur nga Beogradi vijnë sinjale të fuqishme të shtetit të tyre se janë për ndarje të Kosovës, ne në Prishtinë tregojmë se nuk janë vetëm shqiptarët kundër ndarjes, por çdo komunitet, e sidomos serbët e Kosovës janë kundër këtij opsioni. Kështu është kjo është shumë me rëndësi dhe që tregohet se pozicioni ynë shtetëror kundër ndarjes është edhe pozicion i gjithë grupeve etnike”, ka thënë Deda.
Deda ishte caktuar në delegacionin e Kosovës për dialog me Serbinë, mirëpo më pas ishte larguar. Kur është pyetur për tërheqjen e tij nga delegacioni i Kosovës, ai është ndier ngushtë dhe shkurt ka thënë se ai nuk është tërhequr vetë. /kosovapress/