Shkrimi i inspiron për Bundesligë
_duke_festuar_golin_705851.jpg)
Në fillim të sezonit askush nuk kishte llogaritur në skuadrën e Paderbornit. Por, ekipi gjerman, pjesë e të cilit janë edhe dyshja kosovare Enis Alushi e Alban Meha, po befasojnë për të mirë në Bundesliga 2.
Pa dyshim se ndër meritat kryesore i takojnë dyshes shqiptare, të cilët me paraqitjet e shkëlqyeshme kanë bërë që Paderborni të bëhet kandidat serioz për inkuadrim në elitën e futbollit gjerman.
Lojtarët e këtij ekipi kanë gjetur një mënyrë të veçantë të marrin motiv shtesë. Ata po inspirohen nga një shkrim, i cili është i vendosur në muret e këtij klubi para fillimit të sezonit e ku thuhet se Paderborni është kandidati kryesor për të hyrë në Bundesligë.
“Artikulli është i varur në murin e klubit që nga fillimi i sezonit dhe sa herë të shohim atë na shërben si motiv shtesë”, tregon mesfushori nga Mitrovica, Alban Meha gjatë një interviste për mediet gjermane.
Ndërsa njohësit e futbollit në këtë vend paraqitjet e Paderbornit po i vlerësojnë si befasi dhe nuk përjashtojnë mundësinë që ekipi të ketë rënie në ndeshjet e fundit. Por, kështu nuk mendon Meha.
“Na takon neve të jemi vërtet seriozë. Shumë kush mendon se është çështje kohe kur do të rrëzohemi, por nuk mendoj se do të ndodhë kjo. E shohim çdo ditë në stërvitje se kemi ekip të mirë dhe këtë e konfirmojnë edhe rezultatet. Nuk jemi për t’u nënçmuar”, ka thënë 25 vjeçari.
Pas largimit të trajnerit Andre Schubert nga Paderborni, askush nuk kishte pritur që klubi të shkonte aq larg gjatë këtij sezoni. “Ashtu ka qenë, por gjatë përgatitjeve e kemi vërejtur se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Trajneri Roger Schmid ka biseduar shumë me ne dhe na ka përgatitur shumë mirë. Ai është trajner i mirë dhe puna e tij tani po vërehet”, theksoi Meha.
Në vitet e fundit, Alban Meha nga ligat regjionale gjermane ka avancuar në Bundesliga 2. Tani 25 vjeçari shpreson që ta bëjë hapin e radhës duke hyrë në elitën e futbollit gjerman.
“Është ëndërr e çdo futbollisti të luajë në Bundesligë, ky është edhe synimi im dhe do të doja ta arrija me Paderbornin”, ka theksuar ish futbollisti i Kirchheimit.
I ardhur para një sezoni nga Eintracht Trier, Alban Meha me goditjet e lira është bërë shumë i rrezikshëm për kundërshtarët. Ai tregon se punon shumë që goditet e tij të jenë fatale për portierët.
“Edhe si i ri kam filluar të stërvitem me goditje të liga. Është kombinim i punës së madhe dhe talentit. Me kalimin e viteve jam bërë gjithnjë më i mirë, por vazhdoj të punoj rreth kësaj”, thotë mitrovicasi i cili është i përqendruar te Paderborni, me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit 2013.
Përveç Mehës e Alushit, inkuadrimin në elitën e futbollit gjerman është duke e synuar edhe skuadra e Greuther Furthit, pjesë e së cilës është mbrojtësi kosovar Mërgim Mavraj.