Dede: Luftëtari të kënaqë veten dhe tifozët e tij
Trajneri i gjirokastritëve, Nevil Dede, thekson se kundërshtari do të vlerësohet për vlerat që ka dhe kërkon 3 pikët e radhës
Në stadiumin e Gjirokastrës takohen sot dy ekstremet e renditjes, Luftëtari me Himarën, pra 1-shi me 16-ën. Edhe pse në këto pozita, ka raste kur i vogli e ka mundur viganin edhe në futboll. Kjo ka ndodhur veçanërisht, kur është menduar se një takim i tillë është vetëm një formalitet, ose në ndonjë rast tjetër, kur demoni e bën punën e tij nëpërmjet zareve të fatit.
Pra, në kushte normale, një ndeshje futbolli fitohet nga ekipi që ka më shumë forcë, që është më i qëndrueshëm dhe më i vendosur për ta arritur objektivin, por rregulli ka edhe përjashtim, sikundër thuhet. Edhe që përjashtimi të mos ndodhë këtë radhë, vetë Luftëtari e ka në dorë, që me maturi dhe guxim në fushën e tij të demonstrojë atë që ka bërë në 7 ndeshjet e mëparshme këtu, ku ka fituar 3 pikët në secilën prej tyre.
Dede Trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, më se i vendosur për ta çuar këtë ekip në superligë, shprehet: Kemi dy javë që stërvitemi me synimin e vetëm për të arritur rezultatin e duhur, për të bërë më të mirën, duke i dhënë edhe kënaqësi publikut në ndeshjen e radhës me Himarën, por për këtë në radhë të parë duhet të kënaqim veten me lojë agresive.
Për kundërshtarin do të tregojmë respekt maksimal për ato vlera që ai ka. Himara është riorganizuar për fazën e dytë, i njoh disa futbollistë të saj dhe kam respekt për trajnerin e saj, Liçaj. Dua të shtoj së fundi se ndjeva kënaqësi për investimin që do të bëjë bashkia për futbollin e saj për vitin në vazhdim (këshilli bashkiak i Gjirokastrës aprovoi kohët e fundit fondin 19.4 milionë lekë për ecurinë e Luftëtarit, që po avancon drejt superiores dhe besohet se kthimi do të bëhet fakt i kryer në fund të këtij sezoni).
