E Diel, 1 Nëntor 2026

Studenti ndal kampionët e Teutës, kreu vazhdon të mbetet një rebus

Nga DORIAN  AGOLLI

Kryeqytetasit fituan mbrëmë 3-2 në Durrës ndaj kampionëve. Teuta ruan kreun, por Studenti ka një ndeshje më pak. Edhe 3 javë deri në fazën e play off-it

Teuta-Studenti 2-3

(25-22, 23-25, 19-25, 25-22, 12-15)

TEUTA: A.Dashi, Memia, Nazifi, Milev, Trajçevski, Myftari, Kolea, Uruçi, Liti, Moku, Jukni, Kola. Trajner: H. Nakovski

STUDENTI: Tukseferi, Gorenxa, Kasa, Rama, Vora, Ndoni, Pepa, Rrashketa, Lenja, Muça, Gaziri, Aliraj, Tomiç, Pezhiç. Trajner: Y. Tomorri

Gjyqtarë: E.Mujo, E.Preka

Studenti në volejboll për meshkuj ka fituar mbrëmë 3-2 ndaj Teutës, në takimin që mbylli javën e 17-të të kampionatit kombëtar, në një ndeshje të luajtur në pallatin e sportit Ramzan Njala të Durrësit. Një sukses me shumë vlera për ekipin kryeqytetas, që kaloi pengesën më të vështirë të kësaj faze dhe tashmë pret më i qetë pjesën e mbetur të sezonit të rregullt, ndërkohë që ka edhe një ndeshje për të luajtur.

Plot 2 orë lojë për të përcaktuar ekipin fitues, në një sfidë shumë emocionuese dhe dramatike, ku herë udhëhiqte Teuta e herë Studenti, për të mbërritur te seti final, që u fitua nga kryeqytetasit. Gjithsesi, edhe pas kësaj jave, durrsakët ruajnë kreun e renditjes, por tashmë kanë vetëm 1 pikë më shumë se Studenti, që duhet të rikuperojë sfidën e shtyrë me Skënderbeun.

Ndeshja  Të dyja skuadrat kanë dhënë më të mirën në fushë dhe që në minutat e para konfirmuan atë që të gjithë parashikonin, një ndeshje të fortë dhe të ekuilibruar në çdo moment. Rezultati barazohet disa herë, por durrsakët arrijnë të shkëputen pas pikës së 15-të, të mbështetur edhe nga tifozeria vendase. Seti i parë përfundon 25-22 për Teutën, që edhe në setin e dytë luan mirë.

Një set tejet i ekuilibruar, ku rezultati barazohet thuajse në çdo pikë. Por, këtë herë është Studenti që tregohet më i kujdesshëm me lojtarët e tij, duke fituar 23-25 setin e dytë. Kjo i jep krahë skuadrës së trajnerit Tomorri, që nën ritmin e suksesit luan mjaft mirë në setin e tretë, duke e komanduar lojën në çdo drejtim.

Ky është seti më i shkurtër, pasi kryeqytetasit kanë epërsi e fitojnë me shifrat 19-25. Por durrsakët nuk heqin dorë dhe, megjithëse miqtë kërkojnë të mbyllin gjithçka në setin e katërt, loja do të dhurojë të tjera emocione. Sërish rivalitet në parket, por këtë herë përsëritet skenari i setit të parë, kur në pikët e fundit, durrsakët janë më të saktë dhe fitojnë 25-22. Në setin final Studenti krijon një avantazh të lehtë, ka më shumë grintë në fushë dhe shkëputet pas pikës së 10-të, për të fituar 12-15 dhe krejt ndeshjen 2-3.

Rivalitet  Një sukses që kishte shijen e hakmarrjes për Studentin, pas disfatës 3 javë më parë në kryeqytet (u mund 1-3 në Fahrie Hoti), ndërkohë që dueli për vendin e parë vazhdon të jetë i hapur deri në fund. Faktori fushë mund të jetë vendimtar në fazën e play off-it, ndaj rivaliteti Studenti-Teuta do të vazhdojë edhe në javët e mbetura të kampionatit, por këtë herë në distancë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›