Tërbuni bën goditjen e fundit, vjen Sajmir Xhagalliu
Ish-futbollisti i Butrintit gjatë fazës së parë do të luajë për pukjanët në vazhdim të kampionatit
Skuadra e Tërbunit, pasi ka rikthyer në ekip Arbër Monen, duket se ka bërë edhe një blerje të fundit. Bëhet fjalë për qendërmbrojtësin me eksperiencë, lushnjarin Sajmir Xhagalliu. Ky i fundit ka një karrierë të pasur, pasi ka luajtur në të shkuarën edhe me Lushnjën dhe Shkumbinin në superligë, por edhe me Luftëtarin e Butrintin deri para pak ditësh, kur u largua nga stafi i sarandiotëve, me pretekstin se nuk kishte dhënë maksimumin në gjysmën e parë të sezonit.
Këtë e ka konfirmuar edhe presidenti i pukjanëve, Petrit Syla, i cili ndër të tjera për Sportin shqiptar ka pohuar: Po, Xhaglliu është lojtari ynë. Ai ka filluar edhe stërvitjen me Tërbunin dhe me shumë mundësi do të luajë në gjysmën e dytë të sezonit me skuadrën tonë. Kemi mbyllur edhe marrëveshjen me Monen, i cili është rikthyer dhe me këta të dy ne kemi mbyllur merkaton.
Tashmë skuadra do të vazhdojë përgatitjet nën drejtimin e trajnerëve Stojku dhe Nexhipi. Kemi afruar lojtarë nga kategoria superiore, e para dhe e dytë, por edhe nga tregu i huaj, kështu që unë besoj se Tërbuni në fazën e dytë do ti argëtojë tifozët pukjanë, që mezi e presin ta shohin skuadrën e tyre, – tha fillimisht presidenti Syla.
Miqësore me Luzin Ndërkohë, njëshi i ekipit pukjan, Syla, konfirmon se pas miqësores së fituar me Olimpikun, skuadra e tij do të zhvillojë edhe një test të fundit. Këtë herë kundërshtar i Tërbunit, do të jetë një nga ekipet më të forta të grupit të vet, Luzi. Duhet theksuar se deri më tani ekipi pukjan ka zhvilluar plot dhjetë ndeshje miqësore, duke mos e provuar ende shijen e humbjes, edhe pse është ndeshur edhe me ekipe të së parës, si Kukësi, Burreli apo Skrapari.
