E Diel, 1 Nëntor 2026

Dede: Skrapari, ndeshje me koeficent të lartë vështirësie

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, beson se do të luhet në një atmosferë sportive miqësore dhe gjithçka do të jetë fair-play

Luftëtari, pasi u dha dorën e fundit përgatitjeve javore në stadiumin Gjirokastra, u nis dje  për në Berat, kurse sot do të shkojë në Skrapar për tu përballur me ekipin vendas. Eshtë një nga ato ndeshjet që konsiderohen për jetë a vdekje për Skraparin, ndërkohë që të tilla do të rezultojnë edhe disa të tjera në vazhdim.

Kjo do të thotë se ekipi gjirokastrit duhet ti përveshë mirë mëngët, në mënyrë që të kthehet prej andej të paktën me armë të pathyera, gjë që mund ta bëjë, sepse ka në fondin e tij mjaft kualitete, që kundërshtari nuk i disponon, madje duhet të kthehet  triumfator. Selimaj, Hithi, Sinani, Nino, Baci, Çaço, Devolli, Stoja, Mersini, Raboshta, Nora, por edhe Ramadani e të tjerë, përbëjnë një skuadër vrasëse, tepër hermetike në mbrojtje dhe shpërthyese në sulm, dhe këtë gjë e tregon kokëfortësia e shifrave.

Janë 7 ndeshje pa pësuar gol dhe vetëm në 2 nga 16 ndeshje të luajtura, Luftëtari nuk ka shënuar (ka të prapambetur ndeshjen me Kukësin, që do të zhvillohet më 14 mars). Gjirokastritët shkojnë në Skrapar me një diferencë të llahtarshme pikësh, plot 25.

Dede Trajneri  i ekipit kryesues, Nevil Dede, që e ka drejtuar në 2 ndeshjet e para të fazës së dytë, duke realizuar dy fitore, për transfertën e sotme shprehet: Ndeshja në fushën e Skraparit me ekipin vendas është shumë e vështirë për shumë arsye. Kundërshtari do të mundohet me të gjitha mënyrat për të shfrytëzuar dhe për të përfituar nga faktori fushë, pra kemi një ndeshje me koeficent të lartë vështirësie, por na duhet ta vazhdojmë sulmin drejt objektivit me të njëjtin ritëm si deri tani.

Shpresojmë dhe kam bindjen se do të gjejmë një atmosferë  sportive miqësore dhe se do të fitojë ai ekip që do ta vlerësojë më drejt ndeshjen. Ne do të përpiqemi për të arritur më të mirën, për të vazhduar ecurinë e rezultateve pozitive, por mbi të gjtha për të kënaqur me atë që do të paraqesim në fushën e lojës tifozët e të dy palëve.

Besoj se do të zhvillojmë një ndeshje fair-play dhe këtë mesazh do ta transmetojmë prej andej, sepse kjo është dëshira jonë, përveç së parës, që  lidhet me rezultatin. Kuptohet që këtë të fundit e duam në favorin tonë dhe për të do të luftojmë me gjithë forcat sportive.


Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›