E Diel, 1 Nëntor 2026

Malko: Lushnja fitoi një finale, përpara janë shumë të tjera

Nga Julian Kasapi

Trajneri i lushnjarëve, Saimir Malko, ka rezerva për repartin e mbrojtjes, nisur nga fakti që në Himarë skuadra pësoi dy gola
Lushnja ka bërë detyrën javën e 18-të, pasi ka fituar 2-3 në fushën e Himarës. Është një fitore që e mban këtë skuadër në vend të dytë dhe i jep më shumë besim për më tej. Lushnjarët kanë bërë një paraqitje mjaft të mirë në Himarë, ku duhet theksuar se edhe vendësit ishin në një nivel të kënaqshëm, pavarësisht rezultatit. Himara ka luajtur si e barabartë me Lushnjën, por kualitetet e skuadrës verdhejeshile kanë bërë diferencën.

Është kthyer te goli pas rreth 5 muajsh thatësirë sulmuesi Fatjon Sefa, ndërkohë që  Canka nuk mund të mungonte në takimin me golin, ndërsa Gjoni, i futur si zëvendësues, ka qenë i saktë nga pika e bardhë e penalltisë. Lushnjarët kanë kontestuar golin e dytë të Himarës, pasi kanë pretenduar për një pozicion jashtë loje të Idrizit.

Ishte një finale transferta e së shtunës për Lushnjën, ndaj dhe djemtë e drejtuar nga trajneri Malko bënë gjithçka për të mbetur në garë për kalimin direkt në superligë. Ndoshta myzeqarët nuk e prisnin të gjenin një Himarë aq të motivuar dhe mjaft kërkuese në fushë. Gjithsesi, futbollistët e Lushnjës, me mendësinë e fituesit, arritën të kalonin një sfidë të vështirë.

Ata kanë edhe rezerva për gjykimin, ndërkohë që ka bërë përshtypje sjellja e tifozëve vendës, që kanë goditur me gur njërin nga anësorët. Ka pasur tension edhe në fushë mes futbollistëve, ku në të shumtën e rasteve lushnjarët dilnin të gjakosur. Janë gjëra që duhen thënë, edhe pse Lushnja mori 3 pikët dhe tani sheh punën e saj.

Malko Pas ndeshjes, trajneri Saimir Malko tha se e shqetëson fakti që mbrojtja pëson gola: Nuk ka më Himarë, edhe pse luajtëm një ndeshje të vështirë dhe në fund arritëm të fitonim. Do të ndalemi te mangësitë e mbrojtjes, që pësoi dy gola dhe kjo nuk duhet të ndodhë në të ardhmen. Për ne përfundoi një finale dhe do të përgatitemi për një finale tjetër.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›