E Diel, 1 Nëntor 2026

Dede thirrje Tiranes Fitore ndaj Kastriotit por kujdes nga surprizat

Kampionati Trajneri bardheblu i cilëson të pakuptimta ndëshkimet e Komisionit të Disiplinës

Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, kërkon ta mbyllë në mënyrën më të mirë vitin 2010. Drejtuesi i stolit bardheblu përcakton objektivin për skuadrën e tij, përpara pauzës dimërore të kampionatit: marrjen e gjashtë pikëve të plota në dy sfidat e mbetura. Realizimi i këtij synimi nis nga ndeshja e sotme kundër Kastriotit. Skuadra e drejtuar nga Ramadan Ndreu ndodhet në pozita jo fort komode në klasifikim (aktualisht renditet në vendin e tetë, në kuotën e 17 pikëve) dhe kërkon të grumbullojë sa më shumë pikë që të jetë e mundur, për t’iu larguar zonës së “ftohtë”. Krutanët janë shfaqur të “brishtë” në ndeshjet jashtë fushe, ku ka regjistruar tre barazime dhe katër humbje. Megjithatë, Dede ka kërkuar përqendrim maksimal nga Tirana, në mënyrë që të evitojë surpriza të pakëndshme. “Përpara na presin dy sfida mjaft të vështira dhe duhet t’i fitojmë në mënyrë që ta mbyllim në mënyrë sa më të mirë vitin 2010 dhe të afrohemi me kreun. Pengesa e parë është Kastrioti, një skuadër përballë së cilës duhet të marrim tri pikët, pasi luajmë në shtëpi”, tha trajneri i 24-herë kampionëve. “Krutanët nuk janë një ekip i lehtë dhe duhet të tregohemi të kujdesshëm që të evitojmë surpriza dhe të mos bëjmë hapa falsë”.

Në këtë ndeshje, kryeqytetasit do të drejtohen nga zv.trajneri, Gallo, ndërsa Dede do të qëndrojë në tribunë, pas pezullimit me dy ndeshje nga Komisioni i Disiplinës. Trajneri e ka cilësuar të pakuptimtë këtë masë ndëshkimore, por nuk ka polemizuar: “Realisht nuk arrij ta kuptoj përse më pezulluan për dy ndeshje, duke parë gjykimin në ndeshjen në Ballsh. Kam rezerva edhe për gjobën e Osmanit, megjithatë nuk mendoj të ndalem shumë te këto çështje, pasi duhet të mendojmë për Kastriotin”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›