E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legjionarët, nga arratisjet te “ambasadorët”

(SPECIALE) - Heqja e vizave drejt vendeve të Bashkimit Europian  konsiderohet si një moment kulmor në historinë post-moderne të vendit tonë, një mundësi që rikthehet pas 70 vitesh. Shumë futbollistë të talentuar shqiptarë, përfshirë këtu emra të kalibrit ndërkombëtar si Panajot Pano apo Medin Zhega, Zihni Gjinali apo Pal Mirashi, Qemal Teliti apo Besim Fagu, Miço Papadhopulli apo Sulejman Maliqati, Refik Resmja apo Fatmir Frashëri, Nuri Byluku apo Pavllo Bukoviku, Sabah Bizi apo Astrit Hafizi, Safet Berisha apo Muhedin Targaj, Ilir Lame apo Vasillaq Zëri, Ilir Përnska apo Dashnor Bajaziti, Millan Vaso apo Luan Vukatana, Agim Murati apo Shyqyri Ballgjini, do ta kishin shumë të lehtë të penetronin në skuadrat e huaja europiane të çfarëdo niveli, dhe ofertat nuk kishin munguar për ta, por mungesa e mundësive për shkak të gjeopolitikës izoluese të aplikuar nga regjimi komunist, ku nuk lejoheshin transferimet e lojtarëve në kampionatet e huaja. Pas viteve 1990 transferimet e lojtarëve u lejuan, por rropatja para ambasadave për të siguruar një vizë hyrëse drejt shtetit ku ai do të testohej ka qenë një kalvar i vërtetë. Tashmë dhe kjo pengesë ka marrë fund.

Të gjithë i kanë konsideruar sportistët si ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë. Udhëtimi i tyre nis para viteve 1940, ku në Itali gjejmë emrat e disa prej lojtarëve më të mëdhenj shqiptarë, si Naim Kryeziu, kampioni legjendar i Romës, Riza Lushta me Juventusin e Napolin, apo Loro Boriçi me Lacion. E gjurmë të tyre janë dhe në Turqi, me Vasfi Samimin dhe Qemal Omarin. Gjatë 20 viteve të demokracisë, në opinionin sportiv shqiptar është shtruar jo pak herë pyetja se çfarë mund të bënin me magjitë e tyre lojtarë të kalibrit të tillë si Panajot Pano apo Medin Zhega nëse do të luanin jashtë Shqipërisë. Por në të ashtuqujtur “listë e keqe” ndodhen edhe lojtarët që nuk janë pajtuar me regjimin komunist e janë arratisur jashtë atdheut, duke sfiduar kohën, pavarësisht përndjekjeve të familjeve të tyre, të tillë si arratisjet e lojtarwve si Bule Vathi e Bahri Kavaja në vitin 1950, Qemal Voglit në vitin 1956, Lulzim Bërshemit dhe Arvid Hoxhës në vitin 1987 e deri te Rudi Vata në vitin fillim të viteve 1990 qw u largua pas ndeshjes Francë-Shqipëri, e ku nga ekipi Kombëtar shqiptar i asaj kohe u arratisën pesë lojtarë. Të ndërmarrësh një udhëtim për të ndjekur të paktën një ndeshje të futbollistëve që luajnë jashtë Shqipërisë, apo të marrësh edhe një opinion formal të drejtuesve të klubeve ku ata kanë luajtur më parë, duhet të ndërtosh një itinerar të mirëpërcaktuar deri në detaje, pasi të duhet të prekësh një numër jo të vogël shtetesh dhe të dhjetëfishuar qytetesh.

Mesfushori i Gallatasarajit dhe ylli i Kombëtares shgiptare, Lorik Cana, në fund të dhjetorit të vitit 2008 u dekorua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me Urdhrin “Ambasador i kombit”, teksa më parë është përzgjedhur nga UNICEF-i edhe ambasador i kësaj organizate, ku këtë status e gëzojnë emra të elitës botërore si Kaka, Ronaldinjo, Andrij Shevçenko, Ronaldo, Zinedin Zidan etj. Në tetor të këtij viti, Loriku, u bë dhe ambasadori i parë i linjës “Alo 116”, ose më saktë i shoqatës që mbron të drejtat e fëmijëve, ku si ambasadore është përzgjedhur kryetarja e Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli. Portieri veteran i Kombëtares shqiptare, Arjan Beqaj, aktualisht te Olimpiakosi i Nikosias, u shpall portieri më i mirë në kampionatin qipriot të vitit 2008 (çmim të cilin e fitoi për të dytin vit rresht). Igli Tare u emërua nga presidenti Klaudio Lotito në detyrën e lartë drejtor Sportiv i klubit të Lacios, i pesti për nga rëndësia në Itali, një detyrë që Tare po e kryen me efektivitet duke u shndërruar në një personalitet të respektuar në botën e futbollit italian dhe një nga kampionatet më të forta në botë. Historia sportive e “legjionarit” Igli Tare nis nga Tirana, për të vazhduar në Gjermani (me pesë skuadra të ndryshme) dhe për të varur “këpucët në gozhdë” në Itali, ku veshi fanellën e tri skuadrave: Breshia, Bolonja dhe Lacio.

Nëse këtë do ta ndanim gjeografikisht, pa dyshim që Europa zë “pjesën e luanit”, por “avioni” do të ndalojë edhe në Azinë e Largët, në Japoni e Kinë, por dhe në Azerbajxhan e Kazakistan. “Këpucët me thumba” të futbollistëve shqiptarë kanë lënë gjurmë në të gjithë botën: nga Italia në Norvegji; nga Gjermania në Japoni; nga Ukraina në Kinë; nga Bullgaria në Kazakistan; nga Izraeli në Azerbajxhan; nga Franca në Zvicër; nga Sllovenia në Spanjë, nga Portugalia në Qipro; nga Greqia në Rumani; nga Malta në Austri; nga Turqia në Kroaci, nga Rusia në Arabinë Saudite. Dikur, në fillim të viteve 1990, ishte Greqia (për shkak të afërsisë gjeografike) vendi më i madh mikpritës i futbollistëve shqiptarë, por tashmë, në fillim të vitit 2009, pra gati 20 vjet më pas, është Gjermania ajo që numëron disa futbollistë shqiptarë, që luajnë në nivel të lartë nga Bundesliga 1 te ajo 3, pa përmendur një duzinë në kategoritë inferiore e futbollin amator. Italia mbetet një tjetër bastion i preferuar, ashtu si Austria, Turqia, Qipro, por dhe Azerbajxhani. Janë të shumtë, por gjithsesi më të paktë se futbollistët që luajnë aktualisht në Europë.

Gjithsesi, janë të lavdishëm dhe kanë meritën se krijuan emrin e madh që vazhdon të hapë dyert e futbollistëve shqiptarë në klubet më të njohura të kontinentit tonë. Foto Strakosha në Greqi, Lefter Millo në Greqi, Rudi Vata në Skoci, Sulejman Demollari në Rumani, Kliton Bozgo në Slloveni, Ylli Shehu në Kroaci, Igli Tare në Itali, Altin Rraklli në Gjermani, Eduard Abazi në Portugali, Edvin Murati në Francë e Greqi, Besnik Hasi në Belgjikë (sot Hasi luan roli e zëvendëstrajnerit të Anderlehti), të gjithë këta edhe sot e kësaj dite kujtohen si futbollistë cilësorë dhe të respektuar. Ia vlen të pranojmë, të paktën sipas parametrave tanë, se dhe Shqipëria ka yjet e saj në disa prej kampionateve më të forta në botë. Një emër shumë i vlerësuar është edhe Altin Lala, ish-kapiten dhe lojtari më besnik i Hanoverit të Bundesligës 1 gjermane, i vetmi shqiptar që luanë në këtë kategori, duke përjashtuar kosovari me pasaportë zvicerane, Albert Bunjakun e Nurembergut. Gjithsesi, në Gjermani  me respekt flitet edhe për Ervin Skelën, “brazilianin” shqiptar të goditjeve të lira, por konsiderata pozitive kanë merituar edhe Edmond Kapllani te Padeborni dhe Besart Berisha te Arminia Bielfeldi. Veterani Skerdilajd Curri te Erzgebirge Aue është një tjetër shembull i mirë, ashuti siç kanë qenë edhe Fatmir Vata dhe Ervin Fakaj.

 Mediat ukrainase gjithmonë gjenden në “pritë” për t’i marrë një intervistë  Armend Dallkut, Ahmed Jonuzit, por dhe Parid Xhihanit. Lorik Cana, lojtari më i shtrenjtë shqiptar, luan në Turqi në një prej ekipeve më të mëdha të këtij vendi, Gallatasaraji të Stambollit. Në Turqi, aty ky dikur ka luajtur edhe Vioresin Sinani, Klodian Duro, Alban Bushi, Redi Jupi, tani japin kontributin e tyre te Genshlerbirlixhi edhe Debatik Curri, Labinot Harbuzi dhe talenti Bekim Balaj, por dhe Gilman Lika. Në Austri, Shqipëria ka 2 përfaqësues të spikatur të saj, Hamdi Salihin te Rapidi i Vjenës dhe Klodian Duron te Lask Linci. Te Rapidi luan edhe kosovari Atdhe Nuhiu. Në Arabinë Saudite luan sulmuesi i njohur Migen Memelli, me skaudrën Al-Fajsali, ku pogradecari është dhe shënuesi më i mirë i ekipit. Edhe ish-futbollisti i njohur shkodran Hysen Zmijani, ka luajtur me Al-Nasr Ryadh, nw Arabinw Saudite, madje ka dalw kampion me kwtw skuadwr. Në Kroaci janë Arbër Abialiaj dhe Xhevair Sukaj, ndërkohë që më parë kanw luajtur Devi Muka, Ylli Shehu, Edmond Dosti.

Portën e ekipeve të ndryshme europiane e kanë mbrojtur edhe Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta e Ilir Bozhiqi në Rumani, Lulian Gjeloshi në Angli (Hendon FC), Mario Cenolli në Angli, SHBA dhe Kanada, apo edhe Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë, teksa arriti të ishte edhe portieri i tretë i Ajaksit. Në kampionatet e huaja kanë luajtur edhe Isli Hidi (Ukrainë dhe Qipro), Ilion Lika (Rusi), e aktualisht jashtë luajnë Arjan Beqaj (Qipro) dhe Samir Ujkani (Itali). “Këpucët” shqiptare nuk kanë mbetur pa lënë gjurmë edhe në Azebarxhan, Kazakistan, Kinë apo dhe Japoninë e largët. Në Azerbajxhan mbrojtësi i Kombëtares, Admir Teli me Karabakun, skuadër me të cilën luan edhe Ansi Agolli, i huazuar nga ukrainasit e Krivbasit. Edhe në tokën hebraike Shqipëria pati përfaqësuesin e saj “diplomatik”. Mbrojtësi i Vllaznisë e i Kombëtares shqiptare, Elvin Beqiri, i cili tani luan në Azerbajxhan me Khazar Lankaran, u transferua nga Metallurg Donetsk (Ukrainë) te Maccabi Haifa (Izrael). Rudi Vata, një nga kapitenët legjendarë të Shqipërisë, pas përvojës unike në klubin më të famshëm skocez, Sëlltikun e Gllazgout, ka luajtur në Japoni, ndërkohë që mbrojtësi aktual i Elbasanit, Nevil Dede, të vetmen përvojë ndërkombëtare e ka në Kinë me Shenyang Ginde. Në Kazakistan ka luajtur dhe ish-lojtari i Dajtit, Driton Stafsula. 

Nofkat, nga “skafisti te “Princi i Epirit”

Nofkat e futbollistëve. Kurrsesi nuk mund të shpëtonin as futbollistët tanë. Lorik Cana thirret nga tifozët e media franceze si “Le Guerier” (Luftëtari); Altin Lala ka nofkën “xhuxhi luftarak”; Erjon Bogdani quhet ndryshe dhe “Princi i Epirit”; Florjan Myrtaj, për shkak të mënyrës së veçantë të festimit të golave, duke lëvizur flamurin e këndit sikur vozit një varkë, quhet “skafisti”; Hamdi Salihi ka marrë epitetin “Gerd Myleri shqiptar”; ndërsa Edvin Murati “Maradona i Ballkanit”. “Princi i Epirit” ju vendos Erjon Bogdanit në kohën kur ai luante Hellas Veronën në Serinë B. Bogu shënoi  17 gola atë sezon dhe si shqiptar i vendosën këtë nofkë. Iljaz Lika, - kështu thirrej Ilion Lika, portieri aktual i Tiranës, kur ai luante në skuadrën e tij çeçene, Terek Grozni. Pagëzuesi i portierit shqiptar ishte vetë presidenti i klubit dhe i rajonit të Çeçenisë, Kadirov Ramzan Ahmatoviç. Madje bosi çeçen 32-vjeçar vendosi atëherë edhe një rregull ekstrem. Kush e thërriste Likën me emrin e tij zyrtar, Ilion, merrte një gjobë të majme. Kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe ish-kapiteni i Hanoverit, Altin Lala, është një nga lojtarët besnikë të skuadrës gjermane, për të cilën militon prej 11 sezonesh. Lala, bashkëpronari i rrjetit të dyqaneve “Rosman&Lala” pëlqen ushqimin sicilian, një pasta të stilit ishullor italian, po ashtu edhe kafenë italiane, të shoqëruar vetëm me ujë mineral. Ajo quhet “Kam nevojë për një vajzë” (“I need a girl”) kënduar nga Paf Dedi (Puff Daddy) dhe Usher. Lala e ka gruan e ka italiane, ndërkohë që Igli Tare e ka gjermane. Arjan Beqaj është martuar me një greke. Lorik Cana është votuar para dy vjetësh si lojtari më seksi në Francë nga lojtarët e Ligës 1. Përfundimin e nxori një nga faqet sportive franceze në internet Myfreesport.fr, që nga ana e saj ka bërë edhe një klasifikim të futbollistëve më joshës. Loriku është pozicionuar në vendin e parë, duke lënë pas futbollistin Joann Gorkuf dhe Tulio de Melo.
 
Vasfi Samimi, legjionari i parë shqiptar

Ish-portieri i Vlorës dhe i Tiranës së viteve 1930-1937, Vasfi Samimi, ka qenë ndër futbollistët e parë shqiptarë që ka lujtur jashtë kufijve të vendit. Pikërisht në Turqi, me Fenerbahçen e famshme, në vitet 1927-1928. Nëse Naim Kryeziu dhe Riza Lushta u rritën si futbollistë e më pas shpërthyen si të tillë në Italinë e viteve 1940 e më pas, Samimi ishte produkt i pastër i shkollës turke të futbollit, për aq sa luajti. Në Turqi, në periudhën e e Paraluftës së Dytë Botërore, kanë luajtur edhe Qemal Omari, madje deri në lojtar të Kombëtares turke e gjyqtar ndërkombëtar, e trajneri që i ka dhënë Skënderbeut titullin e vetëm kampion në vitin 1993, por dhe Servet Teufik Agaj, një tjetër lojtar kampion me skuadrën korçare. Riza Lushta te Juventusi, Naim Kryeziu dhe Haki Korça te Napoli, Loro Boriçi te Lacio, Sabaudin Biçaku te Voghera, janë disa nga futbollistët shqiptarë në Italinë e viteve 1940.
Skënder Begeja, një ish-futbollist i shquar i Dinamos dhe i Kombëtares, i ndarë nga jeta vetëm disa javë më parë, ka qenë një prej futbollistëve të parë të Mbasluftës që kishte luajtur futboll një shtet tjetër, Bullgari.

Qemal Vogli, arratisja e “Tigrit të zi”   
 
Në gusht të vitit 1956, Dinamo mori pjesë në një turne në Çekosllvaki, ish- Republikën Demokratike Gjermane dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Dinamo fitoi 3-2 me përfaqësuesen e Pragës (Resmja, Deda, Lubonja), më 4 gusht 1956. Më pas Dinamo fitoi 3-1 ndaj Dinamos së Berlinit në stadiumin “Glyh auf Kampfban”, më 22 gusht të vitit 1956, por pikërisht pas kësaj ndeshjeje Dinamoja do ta linte Republikën Demokratike Gjermane për t’u nisur drejt Bashkimit Sovjetik, pa portierin e mrekullueshëm, Qemal Vogli, të arratisur. Ai u cilësua armik e tradhtar i partisë dhe pushtetit popullor. Ai u dënua në vitin 1957. Dënimi i tij i padrejtë ishte një periudhë prej 7 vite e 4 muaj. Në vitet 1950 kur u krijua klubi Dinamo, ai u thirr dhe u bë pjesë e këtij ekipi, duke fituar 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë. Titullar i padiskutueshëm në kombëtare, ku debutoi që në moshën 17-vjeçare dhe shumë përfaqësime dinjitoze në arenën ndërkombëtare. Vogli nuk ka pësuar gol për 840 minuta, prej periudhës 21 janar 1952 deri më 23 mars 1952. Me kombëtaren zhvilloi vetëm 11 ndeshje. Qemal Vogli u nderua pas viteve 1990 me një sërë titujsh duke si “Mjeshtër i Merituar i Sportit” dhe “Nderi i Sportit Shqiptar”.  Në momentet e fundit të jetës, ai ishte i veshur me bluzën e Kombëtares me numrin 75-të që kishte të bënte edhe me përvjetorin e tij. Bluza kishte emrin e një tjetër portieri të stampuar, që ishte Foto Strakosha.

Riza Lushta, shqiptari i parë i Italisë

Riza Lushta është shqiptari që ka luajtur për ngjyrat “azzure” të Napolit, edhe pse bëhet fjalë për një histori më shumë se 65 vjet më parë. Kosovari Riza Lushta, i lindur në Mitrovicë, u aktivizua me Rudarin, por në Itali shkoi pasi më parë kishte luajtur me Tiranën – fitoi 4 tituj kampionë, 1934, 1936, 1937 dhe 1939 dhe të parën Kupë të Shqipërisë, 1939. Lushta ka luajtur si sulmues me Napolin në vitet 1945-1947, teksa është aktivizuar në 27 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Në Itali Lushta ka luajtur edhe me Juventusin, Barin, Alesandrinë, Forlin e Rapalon, ndërsa në Francë me Kanën. Në Serinë A, Lushta ka luajtur në total 170 ndeshje, duke shënuar 68 gola. Lushta, i lindur në vitin 1916, vdiq në moshën 81-vjeçare, në vitin 1997.

 

Loriku, lojtari më i shtrenjtë shqiptar

Shifrat e transferimeve të lojtarëve shqiptarë nuk mund të konkurrojnë kurrsesi me ato të “yjeve” të përmasave botërore, megjithatë janë të respektuara. Lorik Cana dhe Erjon Bogdani janë futbollistët shqiptarë për të cilët është paguar më shumë. Për të marrë Canën nga Paris Sën Zhermeni, Marseja pagoi 4 milionë euro, Sanderlendi pagoi 6 milionë euro për ta marrë nga Marseja, dhe Gallatasaraji 4.5 milionë euro për ta marrë nga klubi anglez. Për talentin e Kombëtares shqiptare, Jahmir Hyka, drejtuesit e klubit të Mainz në Bundesligën 2 gjermane gjatë merkatos së verës 2008 paguan 3.7 milionë euro, rekord për një futbollist shqiptar vetëm 20 vjeç.

 

DISA NGA LEGJIONARËT

Edmond Abazi
Roland Agalliu
Ansi Agolli
Renato Arapi
Skënder Begeja
Arjan Bellaj
Arjan Beqaj
Elvin Beqiri
Besart Berisha
Erjon Bogdani
Loro Boriçi
Alban Bushi
Dorian Bylykbashi
Lorik Cana
Agim Canaj
Edgar Çani
Elton Çeno
Klevis Dalipi
Gjergji Dema
Sulejman Demollari
Johan Driza
Albert Duro
Ervin Fakaj
Isli Hidi
Lulzim Hushi
Jahmir Hyka
Redi Jupi
Uliks Kotrri
Naim Krieziu
Bekim Kuli
Sokol Kushta
Altin Lala
Ilion Lika
Rezart Maho
Arber Malaj
Geri Malaj
Edi Martini
Migen Memelli
Ledian Memushaj
Vangjel Mile
Lefter Millo
Gentjan Muça
Devi Muka
Edvin Murati
Perlat Musta
Blendi Nallbani
Viktor Paço
Saimir Patushi
Renaldo Rama
Altin Rraklli
Xhulian Rrudho
Blerim Rrustemi
Hamdi Salihi
Klodian Semina
Bledi Shkëmbi
Vioresin Sinani
Ervin Skela
Foto Strakosha
Albert Stroni
Xhevahir Sukaj
Igli Tare
Samir Ujkani
Rudi Vata
Emiljano Vila
Daniel Xhafa
Fjodor Xhafa
Hysen Zmijani

Legjionarët e Paraluftës

Vasfi Samimi
Riza Lushta
Naim Kryeziu
Teufik Agaj
Loro Boriçi
Haki Korça

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Premte, 17 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›