Vllaznia superpremio per fitoren me Skenderbeun
Vllaznia-Skënderbeu do të luhet të dielën në stadiumin “Loro Boriçi”. Ajo mund të konsiderohet jo vetëm si supersfida e javës së 15 të Kategorisë Superiore, por edhe si ndeshja më e rëndësishme e këtyre 15 javëve të këtij sezoni për shkodranët. Pas një fillimi jo të mirë të sezonit, kuqeblutë kanë rigjetur formën e mirë dhe kanë avancuar goxha në tabelën e klasifikimit, duke qenë një kërcënim i vazhdueshëm për të vetëkandiduarit e deritanishëm në luftën për titullin kampion. Por një dështim në sfidën ndaj korçarëve do të komplikonte ambiciet e tyre. Pra, para një sfide kaq të vështirë, drejtuesit e klubit të Vllaznisë, duken më të vendosur se kurrë, për të mbështetur me të gjitha mënyrat ekipin e tyre, por edhe për të bindur tifozët se këtë herë fitorja do të flasë për kuqeblutë. Burime pranë presidentit Valter Fushaj konfirmojnë se do të ketë premio. Pavarësisht se askush në klubin shkodran nuk bën të ditur shumën ekstra që mund të përfitojë Vllaznia në rast të një fitoreje, përsëri nga sa mësohet drejtuesit e klubit po mendojnë të vënë në dispozicion të ekipit të tyre një super-premio për këtë ndeshje tepër delikate. Madje, po sipas burimit të mësipërm, presidenti Fushaj, ngurron të publikojë një shumë të tillë, sepse ai është supersticioz. Megjithatë, atmosfera e kësaj pragndeshjeje në Shkodër nuk është aspak e qetë. Në qytetin verior përflitet prej ditës për ndërhyrje, që Vllaznia ta tolerojë Skënderbeun, por askush nuk del t’i konfirmojë.