E Shtunë, 31 Tetor 2026

Defekt në teleferik, qytetarët bllokohen në Dajt

TIRANE- Ora:19:00-Gazetari Gerti Xhaja informon nga vendngjarja se njëri prej motorrëve të teleferikut ka pësuar defekt ndërsa menjëherë është ndezur motorri rezervë që ka bërë të mundur kthimin e qytetarëve që ndodheshin në kabina për në pikat e nisjes. Masat e emergjencës kanë funksionuar më së miri ndërsa nisja pritet të bëhet shumë shpejt. Mësohet se pjesa më e madhe e qytetarëve janë nxënës të shkollës Çajupi që kanë shkuar në Dajt për të parë dëborën. Ndërkaq qytetarët pohojnë se kanë rreth 3 orë që presin në pikën e nisjes për të zbritur në Tiranë, por sipas tyre përvec thashethemeve për nisjen e furgonave që do të mundësojnë zbritjen e tyre, në vendngjarje nuk ka asnjë të tillë. Qytetarët thonë se në pikat e pritjes bën shumë ftohtë ndërsa familjarët e tyre presin të shqetësuar në Tiranë dhe shumë prej tyre janë nisur me makina për të marrë vetë të afërmit. “Nuk shohim asnjë furgon për të zbritur, është shumë ftohtë. Nuk është e vërtetë që ne po presim këtu për të zbritur me teleferik, do lëvizim që këtu me cfarëdo mjeti qoftë se kemi fëmijë të vegjël që na presin në shtëpi” shprehet njëra prej qytetarëve. Ndërkaq drejtori i kompanisë Dajti Ekspres informoi në News24 se tashmë është riparuar defekti dhe teleferiku po bëhet gati për tu nisur sërish. Ora: 17:50- Defekt në teleferik, qytetarët bllokohen në DajtBllokohet teleferiku që të con në malin e Dajtit. Mësohet se kabinat kanë ndaluar lëvizjen prej rreth 2 orësh, ndërsa brenda tyre kanë mbetur të bllokuar disa persona që po ngjiteshin në mal. Sipas informacioneve paraprake bllokimi ka ardhur për shkak të stakimit të energjisë, por mësohet se brenda vendeve të pritjes ka energji elektrike. E kontaktuar në telefon nga News24, një prej personave që presin për të zbritur drejt Tiranës, bën të ditur se për shkak të bllokimit të kabinave, rreth 50 persona presin në piken e nisjes , në të cilen sipas tyre ka energji elektrike por ndoshta është e pamjaftueshme për të vënë në lëvizje teleferikun. Qytetarja bëri të ditur se shumica e njerëzve që ndodhen aty janë gjimnazistë që kanë shkuar në malin e Dajtit për të parë dëborën. Drejtori i Dajti Ekspres, Durim Hakranaj konfirmoi bllokimin e kabinave të teleferikut por sipas tij shkak është bërë një defekt i shkaktuar nga rrufeja. “Nuk po ndodh asgjë e jashtëzakonshme. Një defekt i vogël ka bllokuar kabinat prej 30 minutash.” theksoi Hakranaj duke nënvizuar se të gjitha kabinat e bllokuara janë bosh. “Qytetarët e bllokuar janë në stacion dhe nuk janë në teleferik. Kabinat janë për momentin të zbrazura” tha Hakranaj. Ndërkaq kompania bën të ditur se në dispozicion të qytetarëve të bllokuar janë vënë furgona që do të mundësojnë zbritjen e tyre në Tiranë, por sipas tij njerëzit kanë zgjedhur të presin për të shijuar udhëtimin me teleferik. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›