Defekt te Kosova B, importohet nga Shqipëria
Termocentrali Kosova B pësoi defekt gjatë natës së kaluar, gjë që e detyroi Korporatën Elektroenergjetike të importojë energji nga Shqipëria për ta përmirësuar sadopak situatën në vend, njoftoi dje agjencia e lajmeve "Balkan Insight". Gjatë ditës së diel, Kosova vuajti ndërprerje të gjata dritash, ndërsa situata u përmirësua disi pas fillimit të importit nga Shqipëria. Shqipëria do të eksportojë rreth 100 megavat në ditë nga mbiprodhimi sezonal i shkaktuar prej shirave të bollshëm të ditëve të fundit. Kosova zotëron dy termocentrale të vegjël dhe shumë të amortizuar, të cilat kanë nevojë për investime të konsiderueshme për të garantuar furnizim normal. Kosovës i nevojiten edhe kapacitete prodhuese të reja për të përballuar konsumin që rritet me ritme marramendëse. Shqipëria eksporton shpesh energji në Kosovë gjatë kohës kur ka ngarkesë uji në hidrocentrale dhe e tërheq energjinë e eksportuar në periudha thatësie.