E Diel, 1 Nëntor 2026

Moza dhe Anjeza, si "motra": Këtë javë le të dalë Adelajda

Banorët janë përfshirë nga ethet e eliminimit, ndërkohë që finalja bëhet gjithnjë e më e afërt. Imuniteti i Anjezës i ka vënë në mëdyshje banorët e tjerë për nominimet që duhet të bëjnë. Duke diskutuar për spektaklin e kësaj jave, Adela i ka thënë Mozës se Qetsori është konkurrent i fortë dhe ka frikë se do të largohet njëra prej tyre. Anjeza ka treguar shumë afrimitet me Mozën, duke i thënë se më parë e kishte paragjykuar.

"Mendoj se je i keq"

Anjeza me Qetsorin ndodhen në kuzhinë dhe bisedojnë rreth opinioneve të tyre mbi njëri-tjetrin. Ajo mendon se Qetsori është i keq dhe do të ishte një zhgënjim i bukur, nëse do t‘i dilte e kundërta. Me sa duket Qetsori nuk mundohet aspak t‘ia ndryshojë këtë mendim, madje i thotë që kjo do ta ndihmojë të mos zhgënjehet nga ndonjë veprim i tij. Anjeza thotë se në këtë lojë dhe bashkëjetesë zhgënjimet i duken pa vend. Ajo shprehet e lehtësuar që publiku e ka votuar për të qëndruar brenda shtëpisë, madje nuk ngurron aspak t‘i thotë Arit dhe Qetsorit që mendimi i tyre për të nuk ka shumë rëndësi, mjafton që publiku e ka votuar për të qëndruar.

Bjordi ngushëllon Adelën

Pas debatit të ashpër me Qetsorin, Adelajda duket e mërzitur. I vetmi që mund t‘i sjellë sërish buzëqeshjen është Bjordi. Ai i qëndron pranë duke e ngushëlluar. Mundohet të bëjë edhe pak humor, ndërsa me këngët që nuk ua di mirë fjalët, krijon situata komike. Ai i jep zemër Adelajdës, duke i thënë të tregohet e fortë dhe të mos e lëshojë veten.

Mbi të ardhmen

Bjordi me Adelajdën janë shtrirë në krevat dhe bisedojnë për të ardhmen. Adelës i pëlqen serioziteti, që me sa duket nga biseda e dy banorëve, Bjordit nuk i shkon për shtat. Ajo mundohet ta bindë Bjordin t‘i marrë më me seriozitet gjërat, duke përfshirë edhe lidhjen e tyre, por Bjordi e kundërshton dhe thotë se serioziteti nuk tregohet me fjalë. Gjëja që Adela pëlqen më tepër te një mashkull është pikërisht serioziteti dhe shton se nuk mund t‘i marrin gjërat gjithmonë lehtë. Si shembull ajo merr ish-banorin e "Big Brother", Dritanin. Bjordi e kthen me shaka, duke i thënë se ai është më i bukur se Dritani, por Adela i kthehet duke e sqaruar se nuk e ka fjalën për aspektin fizik, por për seriozitetin që ai u jepte gjërave. Duke folur për kuptimin që ai i jep seriozitetit, Bjordi thotë se për këtë arsye atij i pëlqejnë vajzat më të mëdha se vetja. Për të dashuria është gjëja më e rëndësishme. "Kur ke dashurinë, thotë ai, nuk ke nevojë për lukse të mëdha, shtëpi, llogari bankare etj.".

Për finalen

Banorët janë mbledhur në kopsht dhe biseda zhvillohet rreth finales së madhe. Qetsori ka deklaruar se në finale do të dëshironte të dilte me banorët e vjetër. Biseda vijon rreth strategjive që banorët përdorin për të kandiduar njëri-tjetrin. Adi mundohet të japë një shpjegim logjik të llogaritjeve për kandidimet, por këtu has në rezistencën e Qetsorit, i cili e kundërshton duke thënë se Adi duhet të japë vetëm mendimin e tij dhe jo të sqarojë se si mendon Qetsori. Bjordi shton se nuk është zhgënjyer aspak nga loja e Qetsorit dhe e vlerëson si lojtar, ndërsa në jetën e përditshme është tjetër gjë.

"Njëra nga ne do të dalë!"

Adelajda dhe Mimoza diskutojnë për nominimet. Mimoza i thotë Adelajdës se nuk i vjen mirë që kanë dalë të dyja në nominim, pasi do dëshironte që të ishin të dyja në finale. Adelajda mendon se njëra nga ato do të dalë, pasi për të Qetsori nuk del. Mimoza thotë: "Gjërat këtu janë të paparashikueshme!" Ajo vazhdon, duke thënë që edhe për Aidën kishte përshtypjen se do të shkonte deri në finale, por në realitet ndodhi ndryshe. Ajo shton: "Unë do dal!" Ato shprehen që do dëshironin të ishin të dyja në fundin e këtij rrugëtimi. Mimoza mendon se Adelajda nuk do dalë, pasi është i vetmi çift që ka ngelur brenda shtëpisë. Mënyra e logjikimit të Mimozës, sipas Adelajdës është e gabuar, pasi për një javë nuk ka më rëndësi çifti për publikun. Ajo vazhdon duke thënë që për të Mimoza ka qenë e vetmja shoqe.

Anjeza: Sori të jetë në finale!

Qetsori, duke mësuar Anjezën të luajë pingpong, diskuton për lojën brenda në shtëpi. Ai e pyet Anjezën se cili mendon që mund të dalë këtë javë. Sipas saj mund të dalë Adelajda ose Mimoza. Ajo ka arritur në këtë konkluzion, duke parë faktin që ai ka dalë 12 herë në nominim dhe nuk ka qenë asnjëherë në dyshen e fundit për të dalë. Qetsori thotë se është munduar që të jetë gjithmonë njësoj, por njëkohësisht duke ngritur edhe disa strategji. Anjeza i thotë: "Është e drejtë që ti të jesh në finale!" Ajo vazhdon arsyetimin e saj, duke thënë që ai ka qenë protagonist gjatë gjithë kohës dhe do i vinte keq nëse ai nuk do dilte në finale. Qetsori thotë se është i vetmi banor që ka më shumë nominime. Sipas saj, ai duhet të fitojë pëlqimin e publikut jashtë dhe jo të banorëve brenda.

"Duhet të dalë Adela!"

Anjeza ka diskutuar me Qetsorin për Adelajdën dhe Mimozën. Ajo thotë që në fillim ka dashur që të dilte Mimoza nga shtëpia, pasi i dukej shumë pasive, por ka ndryshuar mendim dhe tani e vlerëson. Ajo dëshiron që të dalë Adelajda, sepse në disa situata i duket si një person i shtirur, pavarësisht se ka qenë banorja që ka pasur komunikim që në fillim. Sipas saj, me kalimin e kohës situatat ndryshojnë dhe e njeh ndryshe një person që e ke parë nga jashtë dhe shton: "Po nuk i jetove, nuk nxjerr dot konkluzion!" Mendimi i saj për Mimozën ka ndryshuar në momentin kur ka biseduar me të, pasi i duket person i drejtpërdrejtë. Sipas Anjezës, Adelajda ka vetëm fjalë. Për këtë arsye ajo mendon që duhet të dalë Adelajda dhe jo Mimoza.

"Të konsideroj si motër"

Moza dhe Anjeza thuajse e kanë kaluar gjithë ditën bashkë dhe kjo gjë është komentuar edhe prej tyre. Të dyja shprehen se nuk e kishin njohur njëra-tjetrën më parë, por tani që kaluan pak kohë bashkë, ndihen mirë. Të dyja ndajnë mendimin se kishin pasur të tjera përshtypje, por që sot çdo gjë u duket ndryshe. Moza shprehet se po i pëlqen shumë ajo, madje e konsideron si një motër. Ajo shton se iu bë shumë qejfi që Anjeza nuk doli një mbrëmje më parë. Anjeza tregon se më parë mendonte gjithnjë që Mozën nuk e njihte dhe vlerëson shumë faktin që ajo i ndenji pranë, ndryshe nga të tjerët. Ajo mendon se Moza ka ndryshuar shumë që prej fillimit; nuk është më ajo Moza që qëndronte vetëm para pasqyrës, por tani ka filluar të shoqërohet me të gjithë. Moza ia kthen se e kupton se çfarë ka përjetuar ajo dhe ndaj i qëndroi pranë. Sipas saj, Anjeza e meriton të ecë përpara e të shkojë deri në finale, ndërsa Anjeza shton se do të ishte mirë që të shkonin të dyja. Moza mendon se konkurrentët e kësaj jave mund të konsiderohen si të fortë dhe ndaj e ka me frikë përfundimin e kësaj jave.

"Nominimet i ngelen lojës"

Vajzat bisedojnë se çfarë do të bëjnë kur të mbarojë kjo eksperiencë e tyre. Anjeza i thotë Mozës se shumë nga banorët jetojnë në Tiranë dhe mund të takohet me ta e të kalojnë një pjesë të kohës. Sipas saj, Moza është sjellë shumë mirë me të gjithë dhe nuk ka pasur me asnjë banor ndonjë përplasje apo zënkë dhe kjo do të ndikojë që ajo t‘i ruajë marrëdhëniet me të gjithë. Moza mendon se me Aidën, edhe pse kishte shumë shoqëri, jashtë mund të mos jetë më e tillë, sepse mendon se Aida mund ta ketë gjykuar faktin që ajo e nominoi. Për Anjezën, këto lloj diskutimesh ngelen brenda shtëpisë, pasi është pjesë e lojës. Ajo mendon se kjo lojë, ashtu siç të jep mundësinë për të krijuar miqësi, ashtu të bën të mendosh për veten, sidomos gjatë momentit të nominimeve, pasi çdokush mundohet të arrijë majën. Anjeza shton se nuk do t‘i marrë fare parasysh se cili e nominoi e cili jo, duke ia lënë këtë gjë lojës. "Nuk ka rëndësi kjo gjë, e rëndësishme është që ne të ruajmë miqësinë dhe respektin jashtë", shprehet ajo. Edhe Moza mendon të njëjtën gjë.

"Ke shpirtin e ri"

Moza i bën vërejtje Adit se është tip i rrëmujshëm dhe Adi ia kthen me shaka se e ka nga mosha. Anjeza dhe Moza qeshin me të dhe u kujtohet përshtypja e parë e Mozës që kishte thënë për Adin se i dukej "i moshuar i lezetshëm, modern". Moza shton se i pëlqen tipi i tij që e jeton jetën në çdo çast, duke u ndier gjithnjë i ri. "Ka shpirtin e ri", mendon Anjeza, e cila e komplimenton Adin për pamjen dhe mënyrën se si e jeton jetën. Ari, i cili e dëgjon bisedën e tyre, shton me shaka se nga Adi duhet të kenë marrë shembull shumë gra të asaj moshe, të cilat u kërkojnë burrave të tyre të sillen si ai. Ata qeshin me këto batuta.

Përshtypjet e natës së parë

"Kur hyra në shtëpi, natën e parë, nuk përjetova asnjë emocion", shprehet Moza, duke kujtuar me të tjerët përshtypjet e natës së parë. Adi kujton se ajo ishte shumë e hutuar dhe këtë gjë e mban mend mirë, madje shton se ajo ka hyrë bashkë me Liritën. Sipas Mozës, ky fakt ka ndikuar që ajo të mos kishte emocione, por veç të vështronte ambientin dhe bukurinë e asaj mbrëmjeje. Adi insiston se kur nuk e ke përjetuar më parë diçka, ndjen emocione, sidomos kur shikon edhe një skenë, një shtëpi plot drita, shumë njerëz që të përshëndetin. Ai kujton se ka hyrë i pari në shtëpi dhe ishte shumë i emocionuar dhe i hutuar nga ambienti i shtëpisë. Moza thotë se me Liritën u njoh që gjatë prezantimit që i bëri Enoja dhe se kanë ardhur bashkë deri në shtëpi, të shoqëruara në të njëjtën makinë. "Lirita ishte shumë serioze, ndërsa unë vetëm qeshja", vazhdon Moza të kujtojë çastet e para.

"Eltoni doli kot!"

Qetsori dhe Anjeza, duke diskutuar për bindjet e tyre politike, kujtojnë Eltonin. Qetsori mendon që Eltoni pavarësisht se kishte udhëtuar shumë, nuk tregoi asgjë brenda në shtëpi. Anjeza e kundërshton, duke i thënë që gjërat më të rëndësishme Eltoni ia ka treguar. Ajo vazhdon duke treguar që ai merrej me projekte. Qetsori shprehet kurioz për të ditur disa prej tyre, por Anjeza nuk pranon t‘ia thotë. Sipas saj, Eltoni kishte shumë gjëra pozitive që Qetsori nuk kishte arritur t‘i kuptojë. Qetsori thotë: "Doli kot Toni, por nuk kishim kë të nxirrnim!" Anjeza i thotë: "Toni kishte ardhur për gjëra të tjera që ju nuk i keni marrë vesh!"



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›