E Shtunë, 31 Tetor 2026

Importi i dritave, gjysma nga Serbia

Importet e energjisë elektrike i kushtuan Shqipërisë 26 miliardë lekë (211 milionë euro) gjatë vitit 2008, shifër kjo absolutisht më e larta e regjistruar ndonjëherë, njoftoi Qendra Shqiptare për Tregtinë Ndërkombëtare, ACIT, në raportin vjetor. Nga këto para, 52 për qind ikën në Serbi, një vend që nuk është eksportues neto i energjisë elektrike, 36 për qind përfunduan në Zvicër, ndërsa pjesa tjetër në vende të tjera. Importet e energjisë elektrike qenë më të shtrenjtat të shënuara ndonjëherë. Çdo kilovat, nga 2.4 miliardë të tillë të importuara në 2008-ën, kushtoi 10.5 lekë. Shpenzimet për energji importi qenë 16 për qind më të larta sesa në vitin 2007 dhe ato u importuan përgjatë të gjithë vitit. Një pjesë e konsiderueshme e energjisë së importuar u klasifikua si "humbje në rrjet", një term që nënkupton vjedhjet. Vjedhjet e energjisë elektrike rriten në raport të drejtë me sasinë e energjisë së futur në rrjet. Gjatë vitit të kaluar, 2.1 miliardë nga 6.6 miliardë kilovat të furnizuara gjithsej, u vodhën ose humbën në rrjet. Humbjet u rritën me 10 për qind, pavarësisht deklarimeve të shumëfishta të autoriteteve për reduktim të vjedhjeve apo spektakleve të ofruara me prerje telash. Importet e vitit të kaluar përbëjnë 75 për qind të të ardhurave të KESH-it.

Importe sa katër termocentrale

Shqipëria ka shpenzuar afërsisht 400 milionë euro gjatë dy viteve të fundit për të blerë energjinë e konsumuar. Sa për krahasim, termocentrali që po ndërtohet në Vlorë ka fuqi të instaluar 93 MW dhe po kushton rreth 100 milionë euro. Në rast se paratë e shpenzuara për import do të përdoreshin për ndërtim termocentralesh, Shqipëria do të kishte të gjithë energjinë e nevojshme. Importet e energjisë elektrike kanë ndihmuar në thellimin e deficitit tregtar dhe deficitit të llogarisë korrente të vendit.

Pastrim kilovatësh

Në statistika regjistrohet si vendi i origjinës së energjisë elektrike të importuar, vendi ku është regjistruar kompania që e shet. Për pasojë, eksportuesit e energjisë rezultojnë mes të tjerave, Serbia, Zvicra apo vende të tjera të largëta. Serbia vetë nuk është një vend me tepricë prodhimi të energjisë elektrike, por aty janë regjistruar kompanitë tregtare që blejnë energji në vendet e Lindjes dhe Evropës Qendrore dhe e shesin në Ballkanin Perëndimor. Si pasojë e këtyre kleçkave, çmimi i paguar në Shqipëri është së paku dy herë më i lartë se çmimi i blerjes së energjisë në bursat e Bukureshtit apo Austrisë. Pastrimi i kilovatorëve është një teknikë e përdorur për herë të parë nga ENRON, një kompani në SHBA, e cila nxirrte energjinë e prodhuar prej saj nga njëri shtet në tjetrin dhe e kthente atë në shtetin e origjinës me dyfishin e çmimit. Kjo teknikë po përdoret me bollëk edhe në Ballkan dhe për pasojë, çmimet e paguara nga konsumatori final rritet. Statistikisht, Shqipëria ka importuar drita gjatë viteve të fundit nga vende që vështirë se mund të gjenden në hartë. Statistikat tregtare tregojnë si vende origjine shtete si Britania e Madhe, Malajzia e largët apo edhe Zvazilandi, Izraeli apo Hong-Kongu. Nga këto vende është praktikisht e pamundur të importohet energji elektrike, sepse ky është një lloj malli që nuk mund të ngarkohet në anije, por ka nevojë për tela që të transportohet. Zvazilandi, nga i cili Shqipëria rezulton se ka importuar rreth 3.2 milionë euro energji elektrike në vitin 2003, është një shtet i vogël në kufi me Afrikën e Jugut, i njohur në Shqipëri nga tregimet e Faik Konicës mbi Zululandin.

Importi prej 211 milionë eurosh që u realizua vitin e kaluar, është një shifër e paimagjinueshme deri pak vite më parë. Shumica dërrmuese e këtyre parave janë furnizuar nga buxheti i shtetit, qoftë në mënyrë direkte, qoftë në mënyrë indirekte. Importi i lartë i dritave ka qenë edhe një nga shkaqet e dobësimit të lekut në fillim të këtij viti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›