Defektet në zemër, bllokohen ndërhyrjet për fëmijët në QSUT
Bllokohen operacionet që kryhen te fëmijët e vegjël që lindin me defekte në zemër.
Mjekët bëjnë të ditur se numri i fëmijëve që lindin me anomali në zemër po vjen në rritje, ndërkohë që brenda një viti në vendin tonë regjistrohen rreth 300 raste të tilla. Kardiokirurgu i Pediatrisë në QSUT, Arben Baboçi, i shqetësuar nga rritja e numrit të fëmijëve që lindin me defekte në zemër, kërkon të nisë sa më parë puna në Departamentin e Hermodinamikës, pasi momentalisht aty nuk ka asnjë punonjës. Hermodinamika është një shërbim i ngjashëm me atë që bëhet në Departamentin e Koronarografisë për të rriturit, dhe kjo ndërhyrje në zemrat e sëmura të fëmijëve do të eliminojë disa operacione. “Në kabinetin e Hermodinamikës bëhet kateterizim i zemrës, në një nga venat e rrëzës së kofshës????????? hyhet në zemër. Atje shkohet në vendin ku është defekti dhe sipas llojit të defektit përdorim edhe kateter specialë që shërbejnë për të hapur një gjë të ngushtë, për të mbyllur një vrimë që ekziston. Sigurisht që nuk është se i zgjidhin të gjitha, por një pjesë të gjërave, që është shumë mirë po t’i kesh, t’i zhvillosh”, - shprehet kardiokirurgu Baboçi. Ndërkaq, ai bën të ditur se dy mjekët e këtij shërbimi janë larguar nga spitali publik dhe kanë shkuar në ato private. Ndaj, sipas tij, nevoja për këtë shërbim është e madhe, pasi në çdo 1 mijë foshnja, afro 10 prej tyre lindin me defekt në zemër. Vetëm gjatë vitit 2010 në vendin tonë janë operuar për shkak të defekteve në zemër rreth 90 fëmijë, ndërhyrje kjo që është realizuar, falë një marrëveshje që QSUT rifirmosi me mjekët italianë në mars të vitit të kaluar. Shpeshherë, fëmijët me probleme në zemër, trajtohen si të ftohur apo me virozë të zgjatur stine. Mjekët e poliklinikave, apo qendrave shëndetësore në rrethe, nuk bëjnë diagnostikim të saktë dhe nga ana tjetër, prindërit nuk marrin informacionin e duhur për të kontrolluar fëmijët e tyre në kohë. Në rastin e pacientëve të vegjël, që vuajnë nga sëmundjet e zemrës, koha është një nga “shkaktarët” kryesorë të përkeqësimit të sëmundjes. Ndaj mjekët u bëjnë apel të gjithë prindërve që të jenë të kujdesshëm në ekzaminimet e fëmijëve të tyre që në momentin e lindjes. Kjo për të saktësuar në kohë problemet që mund të kenë fëmijët e tyre, sidomos problemet kardipatike. Në Shqipëri, bazuar në të dhënat nga Pediatria, rezultojnë të jenë 250-300 lindje në vit me probleme në zemër, nga ku 70-80% e tyre kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale. Sipas mjekëve pediatër dhe kardiokirurgëve, këta fëmijë, pas ndërhyrjeve kirurgjikale vazhdojnë jetën normalisht. Specialistët shpjegojnë se shkaqet e keqformimit të zemrës te fëmijët e porsalindur janë disa, ndër të cilat mund të përmenden: sëmundja e trashëguar ose predispozicioni gjenetik, infeksioni viral që nëna kalon gjatë shtatzënisë, sëmundja e hipertensionit etj. Por, për krijimin keqformimeve të lindura ndikojnë edhe rrezatimet radioaktive, që një grua mund të marrë gjatë shtatzënisë së saj.
10 në 1 mijë foshnja lindin me defekt në zemër në vendin tonë. Vitin e kaluar, 90 fëmijë me anomali në zemër i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale
300 lindje në vit me probleme në zemër regjistrohen në vend, nga ku 70-80% e tyre kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale, për të vazhduar jetën normalisht
Ndërhyrjet e hershme, më efikase
Fëmijët duhet të operohen porsa të lindin, kur atrezionet janë të bllokuara dhe gjaku nga zemra nuk shkon në trup apo në mushkëri (pulmone). Gjatë angiografisë, këta të sëmurë kanë shans për ndërhyrje. Tek i ashtuquajturi Transpozicioni i madh arterial (TGA), vazot e gjakut të cilat kanë dalje të kundërt nga normalja, ndërhyrja duhet të kryhet kur fëmija është 2-javësh, dhe përqindja e suksesit në këtë rast është mbi 95%. Në qoftë se fëmija operohet në muajin e tretë, përqindja e suksesit mund të bjerë nën 50%. Ndërsa në muajin e parë duhet të operohen kur vazot e gjakut janë të transpozicionuara, si dhe vrima (defekti) në zemër. Kur në zemër evidentohen defekti ASD (defekti i septumeve atrial-parabarkusheve) dhe VSD (defekti i septumit ventrikular), operimi më i përshtatshëm është ndërmjet muajit të tretë dhe të gjashtë. Më vonë përsëri paraqiten problemet e shtypjes së lartë pulmonare. Për të sëmurët, te të cilët nuk është zhvilluar një pjesë e zemrës, këto ndërhyrje mund të bëhen ndërmjet moshës 6-mujore dhe 1-vjeçare shkalla e parë, në moshën 1-vjeçare i ashtuquajtur paliativ i mbetur, mund të bëhet me operim të shkallës së fundit. Përmirësimi i plotë i zemrës nuk është i mundur asnjëherë.