E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luhatja e temperaturave, fluks të sëmurësh nga virozat

Ndryshimet e temperaturave brenda ditës kanë sjellë flukse të sëmurësh në urgjencat e spitaleve. Më të prekur nga virozat, për shkak të luhatjeve të klimës, janë fëmijët, të moshuarit dhe gratë shtatzëna. Mjekët thonë se këto viroza kanë sjellë komplikacione në organizëm, në rrugët e frymëmarrjes, por fatmirësisht pa pasoja të rënda. Ndërsa në Pediatrinë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka pasur mjaft raste, ku fëmijët kanë kaluar temperaturë të lartë, dhimbje barku dhe diarre. Prindërit thonë se fëmijët e tyre janë prekur disa herë nga virozat përgjatë kësaj kohe. Mjekët pediatër bëjnë të ditur se janë regjistruar 10 mijë raste në javë në të gjithë vendin, për fëmijët të prekur nga virozat e stinës, por edhe nga alergjitë. Për të shmangur përkeqësimet shëndetësore, mjekët apelojnë prindërit për më tepër kujdes dhe nisjen e konsultave mjekësore, që në momentin që fëmija shfaq simptomat e para. Sipas bluzave të bardha, çdo neglizhencë me shëndetin e fëmijës mund të sjellë komplikacione të rënda, nëse nuk kapet në kohë. Por, në këto ditë që po karakterizohen nga një mot tejet i paqëndrueshëm, me vranësira, reshje shiu dhe temperatura të luhatshme, janë shtuar edhe vizitat e pacientëve që vuajnë nga sëmundjet reumatizmale. Mjekët reumatologë shpjegojnë se në rastet e spondiliartrozës apo sëmundjeve të tjera, të lehta reumatizmale, një aspirinë 500 mg dhe jo më shumë lehtëson dhimbjen. Por, nga ana tjetër, ata duhet të paraqiten edhe te mjeku i familjes. Vetëm në raste të komplikuara, pacienti duhet të paraqitet edhe te reuamatologu. Një këshillë që theksohet edhe për sëmundjet reumatizmale, sikurse edhe për të tjerat, është përzgjedhja dhe disiplinimi i ushqyerje,s si dhe aktiviteti fizik i vazhdueshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›