E Diel, 1 Nëntor 2026

Libraritë, frikë nga rrëmuja, refuzojnë të shesin tekste shkollore

- Anomalitë e ndodhura vitin e kaluar dhe norma e ulët e fitimit, kanë trembur libraritë

- MASH nuk ka një datë për shpërndarjen e teksteve. Refuzimi i librarive, tekstet mësimore do të shiten në shkolla

Askush nuk di të thotë diçka të saktë, se kur dhe ku do të shpërndahen tekstet shkollore për vitin e ri mësimor. Dy ditë më parë, ministri i ri i Arsimit, Fatos Beja në daljen e tij të parë në publik, në ndryshim nga vitet e kaluara ftoi prindërit dhe nxënësit e interesuar të fillonin tërheqjen e teksteve shkollore nëpër librari, në fillim të muajit gusht. Afrimi i datës së shpërndarjes së teksteve u justifikua nga drejtuesi i MASH, me dhënien mundësi nxënësve për të tërhequr në kohë tekstet shkollore. Duke i qëndruar korrekt deklaratës, ministri Beja u shpreh se në sajë të angazhimit dhe bashkëpunimit me botuesit, këtë vit shpërndarja e librit do të jetë e mundur më shpejt se çdo herë tjetër, duke filluar nga data 1 Gusht, pra që nga dita e sotme. Por kjo gjë rezulton të jetë e pamundur, pasi asnjë nga libraritë nuk është furnizuar me tekste. Këtë fakt e pranojnë edhe librashitësit e kontaktuar nga gazeta “Shekulli”, të cilët nuk kanë marrë asnjë kontakt me shtëpitë botuese, e aq më pak të nisin shpërndarjen e teksteve. Po kështu një pjesë e mirë e librarive, thonë se nuk do të jenë pjesë e shpërndarjes së teksteve, pasi janë të frikësuar nga ndodhitë e pakëndshme që shoqëruan procesin gjatë vitit të kaluar.

Lada, librashitëse në një nga libraritë e Tiranës, nge supet kur e pyesim se kur do të fillojë shpërndarja e teksteve shkollore. “Deri më sot, nuk na ka kontaktuar askush për të bërë shpërndarjen e librave. Dëgjova ministrin e Arsimit, që tha se shpërndarja e teksteve do të nisë më datë 1 Gusht, po në të vërtetë ne nuk jemi furnizuar me tekste, e po kështu nuk kemi biseduar me ndonjë shtëpi botuese”. Por edhe nëse do të kontaktohet nga shtëpitë botuese për të kryer shpërndarjen e teksteve shkollore, Lada na thotë se nuk ka ndërmend të përzihet, siç e quan ajo, me këtë proces. “Vitin e kaluar u bë një katrahurë e madhe. Ne ishim një nga libraritë që u angazhuam për të shpërndarë tekste shkollore. Edhe pse me policë te dera, ishte e pamundur të përballoje njerëzit që kërkonin të blinin tekste shkollore. Atë gabim që bëmë vjet, nuk mendoj ta bëjmë sërish këtë vit”,- shprehet librashitësja, e cila ndër arsyet e vendimit për të mos shpërndarë më tekste shkollore, rendit edhe normën e ulët të fitimit që përftohet nga një tekst shkollor. “Nuk ia vlen barra qiranë të shesësh tekste shkollore. Norma e fitimit që shtëpitë botuese lënë për tekstet shkollore është shumë e ulët, aq sa nuk ia vlen të merresh me këtë punë. Kështu që këtë vit, kemi vendosur që të mos merremi fare me shitjen e teksteve shkollore”. Në një mendim janë edhe librashitësit e tjerë të kontaktuar. Hyseni, librashitës në Rrugën e Kavajës, na thotë se nuk është bërë pishman, që ka refuzuar të shesë tekste shkollore. “Nuk kam ndërmend të merrem me diçka të tillë. Nuk është puna vetëm te norma e ulët e fitimit, që përftohet duke shitur tekste shkollore, por edhe te vendi i veçantë që kërkon shitja e tekstit shkollor në libari”.

Problemi i shpërndarjes së teksteve duket se po shqetëson edhe drejtuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave. Burime zyrtare pranë kësaj ministrie janë shprehur për gazetën “Shekulli” se, në rast të refuzimit të shitjes së teksteve shkollore nga libraritë, shtëpitë botuese do të hapin një pikë të veçantë shitjeje brenda shkollave. Edhe në Ministrinë e Arsimit, pranohet fakti se norma e interesit që përcaktohet për librin shkollor nga shtëpitë botuese, është një ndër arsyet që libraritë refuzojnë të shesin tekste mësimore. Të pyetur lidhur mbi afatin e shpërndarjes së teksteve, po këto burime kanë pohuar se procesi do të nisë në muajin Gusht, por pa dhënë një datë të saktë. Gjithçka do të bëhet e qartë pas takimit që ministri i Arsimit, Fatos Beja do të ketë me botuesit, ndërsa prindërit dhe nxënësit duhet të presin ende për të blerë tekstet shkollore.

--------------------------------------------------Pranimet

Ngelësit, asnjë shans për të vazhduar studimet e larta

Ministria e Arsimit ka bërë të qartë për çdo maturant ngelës, se asnjë prej tyre që nuk ka marrë qoftë edhe një provim të vetëm në provimet e Maturës Shtetërore, nuk do të lejohet të jetë pjesë e procesit të pranimeve në universitete, për vitin akademik 2008-2009. Paralajmërimi është bërë nga vetë Ministria e Arsimit dhe Shkencave, e cila ka qartësuar se të gjithë maturantët-kandidatë për në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë (universitete) mund të vazhdojnë konkurrimin për në këto institucione vetëm nëse kanë arritur të marrin rezultate kaluese në secilin nga të katër provimet e Maturës Shtetërore, Gjuhë-Letërsi (D1), Matematikë (D2), Provimi i Parë me Zgjedhje (Z1) dhe Provimi i Dytë me Zgjedhje (Z2). Paralajmërimi i MASH, vlen edhe për maturantët-kandidatë në ato programe studimi ku pranimi bëhet me konkurs. Tërheqja e vëmendjes nga MASH, bëhet para sezonit të riprovimeve të sesionit të vjeshtës, ku edhe nëse maturantët ngelës arrijnë të marrin provimet, ata sërish nuk do të kenë mundësi të vazhdojnë studimet e larta për këtë vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›