E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deficiti intelektual i Shqipërisë

Prof. Dr Fatmir Shehu 

-Shpesh thuhet, dhe është e vërtetë, se kemi  mjaft talente të cilët kanë mbaruar shkëlqyeshëm Universitetet më të mira të botës. Kjo është një pasuri e madhe kombëtare, është një pasuri për të cilën është investuar  dhe nuk ka pse mos të kërkohet që të vihet në shërbim të Atdheut, kur ky i fundit aktualisht e ka më se të nevojshme dhe të domosdoshme. Por  ajo që ka nxjerrë kokën shpesh në shtypin tonë periodik është se këto  talente kanë një pretendim që mendojmë se ka lidhje me mendësinë intelektuale: “neve kokave, që të vijmë të shërbejmë në Shqipëri, duhet që të na krijohen kushte dhe të na bëhet gati karrigia dhe ne të ulemi në të, se na takon sipas meritës që kemi”. Sigurisht, që një gjë e tillë nuk është pa sens, sepse intelektualët prej natyre nuk i pëlqen të kacavirret nëpër rrëpirat e kreshtave që duhet të kapë për të arritur një lartësi të caktuar karriere, sidomos politike. Intelektuali  në përgjithësi e ka në përmbajtjen e tij shprehjen: “të mësova se si zihet peshku. Merr grepat apo ç’të duhet dhe gjuaj deri sa të zësh sasinë e nevojshme të peshkut”. Kjo është e drejtë, se kjo është një detyrë që intelektuali, për vetë natyrën e tij, e bën jo me shumë mundim. Sot,  sidomos në politikën shqiptare,  ka një luftë të paklasifikuar si meritokratike, por  një luftë që në më të shumtën  fiton më i forti dhe jo më i dituri. Ky raport do ndryshuar sa më shpejt të jetë e mundur.  Kanë kaluar dy dekada dhe shumë shqiptarë që e filluan arsimimin në  universitetet e shteteve më të zhvilluara të botës demokratike, në fillimet e viteve ‘90 të shekullit të kaluar,  jo vetëm janë diplomuar dhe kanë marrë grada shkencore, por edhe janë punësuar dhe pajisur me një ekspertizë konkrete, duke punuar në poste të ndryshme të fushave politike, ekonomike, financiare, diplomatike, sociale, letërsi,art etj.. Kësisoj, në kërkesat politike dhe gjithë kërkesave të tjera, që ka vendi  për zhvillim të mëtejshëm dhe më të vrullshëm në nivel “Rilindje” me rastin e zgjedhjeve Parlamentare të 23 Qershorit, a nuk mund të jepen oferta dobiprurëse dhe konkurrente më me vlerë (në krahasim më këto qe po paraqesin politikanët tanë aktualë) për të konkretizuar atë shprehje shumë me vlerë për çdo komb që Presidenti Kenedi u tha amerikanëve në një moment të caktuar  historik: “Mos shihni se ç’bën Amerika për Juve por shihni se ç’bëni Ju për Amerikën”. Shqipërinë nuk e bëjnë dot vetëm shqiptarët që kanë ngelur në Shqipëri, sepse ajo është e do të jetë në radhë të parë e gjithë  shqiptarëve kudo ku janë. Prandaj nuk mund të  mos kërkohet dhe ndihma  e shqiptarëve me vlerë që i kemi nëpër Botë. Fakte të tilla të shqiptarëve, që kanë ardhur nga jashtë dhe luftojnë të bëjnë më shumë për Shqipërinë se sa bën Shqipëria për ta, edhe sot  kemi jo pak.  Shembull madhor  është z. Edi Rama, që ka kohë që është në krye të luftës opozitare. Kohët e fundit z. Eduard Selami e shumë e shumë të tjerë. Mund të themi  me bindje, se edhe Shqipëria nuk do ua lërë pa shpërblyer shërbimin që bëjnë. Shqipëria nuk vuan për pasuri, nën dhe mbitokësore dhe pozicionin gjeostrategjik. Ajo deri më sot ka vuajtur për pasuri njerëzore intelektuale që të punojnë me gjithë shpirt, ta duan e ta prosperojnë vendin  dhe popullin e tyre të mrekullueshëm në bazë të principeve të Demokracisë amerikane dhe vendeve Perëndimore.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›