Deficiti tregtar thellon krizën në bujqësi
Vendi ynë prej kohësh është shoqëruar me rritje të vazhdueshme të çmimeve të artikujve kryesorë ushqimorë dhe kjo, jo për faktin se kemi më shumë kërkesë sesa ofertë për to, sikundër ndodh me vendet e tjera, porse lënda e parë për prodhimin bujqësor ka pësuar rritje të çmimit. Përveç kësaj, fermerët vendas duhet të përballen me konkurrencën e fortë të fqinjëve, të cilët mesa duket, i kanë më të qarta politikat për zhvillimin dhe mbështetjen e këtij sektori tepër delikat. Vitin e kaluar, bujqësia në vendin tonë rezultoi sektori më pak i zhvilluar ndër të tjerët, i prekur kryesisht nga mungesa e ujitjes, energjisë elektrike, si dhe nga rritja e kostos së lëndës së parë, e cila vjen kryesisht nga jashtë. Sikur të mos mjaftonin të gjithë këto probleme, ndaj këtij sektori qeveria është treguar indiferente deri në atë pikë sa eliminoi skemat subvencionuese me premtimin e zëvendësimit me të tjera më konkrete. E çfarë bëri? Nga 20 për qind që ishte masa e subvencionimit të TVSH-së për sektorin e bujqësisë, e uli në 6 për qind. Më parë, makineritë e pajisjet furnizoheshin me karburant pa akcizë, duke lehtësuar disi koston e prodhimit, e tani kjo skemë nuk funksionon, pasi u konstatuan sipas ministrisë përgjegjëse abuzime te procesi i shpërndarjes. Për të stabilizuar gjendjen, qeveria ka krijuar për 2008-n një fond prej 10 milionë dollarësh, i cili do t‘i shkojë fermerit si masë lehtësuese për të kultivuar kultura të ndryshme bujqësore. E kjo do të arrihet përmes Agjencisë së Pagesave, drejtori e re në varësi të Ministrisë së Bujqësisë, e cila, në fakt, nuk është ngritur ende. Të ndodhur përpara gjithë kësaj situate, fermeri shqiptar është i detyruar që produktin bujqësor ta shesë më shtrenjtë se fqinji (rasti konkret, maqedonas), për të arritur koston reale. Nëse qeveria shqiptare miratoi një fond prej 10 milionë dollarësh në ndihmë të sektorit, ajo maqedonase ka akorduar 45 milionë euro (55 milionë dollarë), pra 5 herë më shumë. Për statistikë, raporti i tregtisë së jashtme me Maqedoninë e nxjerr vendin tonë me rreth 75 milionë dollarë humbje. E thënë më ndryshe, kemi preferuar më shumë të blejmë nga ky vend sesa të shesim produktet tona. Morëm rastin e këtij vendi, me të cilën kryejmë tregti më tepër për mallra bujqësorë, por në fakt, e njëjta situatë vërehet edhe me vendet e tjera të Ballkanit (përjashto Kosovën).
Biznesi
Biznesi industrial në vend i kërkon qeverisë që të marrë masat e nevojshme, në mënyrë që kriza e çmimeve të larta të mos thellohet më shumë. Një ndër masat e kërkuara është mbështetja që i duhet dhënë sektorit të bujqësisë, i cili kontribuon deri në 23 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Aktualisht vendi ka të regjistruar një normë inflacioni 4,6 për qind, i ndikuar nga rritja e çmimeve të artikujve, që kryesisht ne i importojmë. "Është për t‘u theksuar se peshën kryesore në thellimin e deficitit tregtar dhe rritjes së inflacionit e kanë dhënë lëndët e para ushqimore dhe lëndët bujqësore e blegtorale, që shërbejnë si lëndë e parë për industrinë ushqimore në vend, duke kaluar shifrën shqetësuese prej 550 milionë dollarësh në vit" u shpreh, Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm i "Konfindustrias". Kjo këshillon qeverinë që të marrë masat e menjëhershme financiare, fiskale, institucionale për të nxitur me çdo kusht dhe sa më shpejt prodhimin vendas bujqësor dhe blegtoral, duke pasur parasysh të dhënat për vazhdim të zgjatur të krizës ndërkombëtare në prodhimet e mësipërme. Buxhuku e vlerëson si të papranueshme mbështetjen e pakët financiare që i jepet sektorit. "Shifrat prej afërsisht 5 milionë dollarësh për vitin 2007 dhe 10 milionë dollarë për vitin 2008, janë përsëri krejt të pamjaftueshme për të bërë të mundur daljen nga kriza e plotë që ka përfshirë prej kohësh prodhimin vendas", thotë administratori i "Konfindustrias". Lidhur me deficitin tregtar dhe konkurrueshmërinë me vendet e rajonit, Buxhuku thotë se, "rezultati arrihet jo vetëm duke pasur parasysh vlerën absolute të kërkesave të tregut të brendshëm për prodhimet e mësipërme dhe deficitin tregtar në thellim të vazhdueshëm, por edhe duke vlerësuar politikat e ndjekura nga vendet konkurrente fqinje, si p.sh. Maqedonia". Ky vend ka një bujqësi të strukturuar mjaft mirë në krahasim me ne, po ashtu një buxhet shtetëror pothuajse 30 për qind më të vogël sesa buxheti ynë, por e subvencionon bujqësinë e saj me 55 milionë dollarë, ndërsa ne 10 milionë dollarë. Në këto kushte, "Konfindustria" i kërkon qeverisë shqiptare që të shtojë detyrimisht ndihmën shtetërore për sektorin agro-ushqimor, të ndryshojë mënyrën e sotme të dhënies së kësaj ndihme dhe të rishikojë thellësisht politikat fiskale në shërbim të sektorit agro-bujqësor.