E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH, vendim për normën e interesit

Banka e Shqipërisë e rriti tri herë normën bazë të interesit për monedhën vendase, duke e çuar atë gjatë vitit 2007 në 6,25 për qind. Arsyet ishin të shumta, duke nisur nga rritja e çmimeve të lëndëve të para, luhatja e inflacionit 1,2 për qind mbi nivelin e synuar nga banka, e deri te kreditimi gjithnjë e në rritje i ekonomisë në tërësi. Për këto shkaqe, Banka e Shqipërisë shtrenjtoi interesat për kredi, njëkohësisht dhe të depozitave, duke synuar një forcim të lekut. Nëse për këtë të fundit mund të thuhet se banka ia ka arritur qëllimit (kemi një monedhë të fortë ndaj dollarit dhe qëndrueshmëri ndaj euros), për të tjerat situata mbetet e njëjtë, madje më e rënduar sikurse ishte në vitin 2007, kur norma u rrit me 0,75 për qind. Aktualisht kemi një nivel të çmimeve të rritura mesatarisht me 15 për qind, inflacion 4,6 për qind, si dhe nivel të konsiderueshëm kreditimi. Për këto faktorë, Banka Qendrore duhet të marrë një vendim rreth elementëve që do të përmbajë politika e saj monetare për muajt e ardhshëm. Dilema nëse kryetari i Këshillit Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, njëkohësisht guvernator i saj, Ardian Fullani, do të rrisë normën bazë të interesit apo do ta mbajë të pandryshueshme, nuk do të zgjasë më shumë se tri ditë. Këshilli Mbikëqyrës i bankës ka vendosur që në mbledhjen e ardhshme, e cila do të zhvillohet këtë të mërkurë, të marrë një qëndrim rreth politikës monetare që duhet të ndjekë. Kështu, burime zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë me dije se në rend të ditës në mbledhjen e kësaj jave do të diskutohet raporti "Mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe monetare", informacioni i të cilit do të ndikojë në marrjen e vendimit të politikës monetare. Në fakt, Banka ka dhënë shenja për një rritje të mëtejshme të normës së interesit, kur guvernatori Fullani është shprehur në Kuvend se rritja e çmimeve do të vijojë deri në një kohë të papërcaktuar.

Rendi

Përveç diskutimit mbi politikën monetare që do të ndiqet, Këshilli Mbikëqyrës parashikon të diskutojë për disa çështje të tjera, po aq të rëndësishme sa e para. Kështu, pritet të merret vendimi për projektrregulloren "Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave", projektin "Për sistemimin e veprimeve për marrjen në pronësi të sasisë së arit dhe metaleve të çmuara nga Banka e Shqipërisë", vendimin për informacionin "Për pasqyrat financiare të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2008" si dhe "Për realizimin e buxhetit dhe investimeve të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2008".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›