E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Dita e të pagjeturve" zbret në Gjakovë

Në Gjakovë u shënua dje Dita e të Pagjeturve të Kosovës, organizuar nga Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, bën të ditur Radiotelevizioni i Kosovës. Manifestimi kryesor i kësaj dite u mbajt në Lëndinën e Pikëllimit, në fshatin Mejë të Gjakovës (Kosova perëndimore). Në manifestim morën pjesë familjarë të të pagjeturve, qytetarë nga gjithë Kosova dhe drejtues të institucioneve politike e personalitete të vendit, thuhet në informacionin e RTK-së.

Kryetari i Këshillit Koordinues të Shoqatës së familjarëve të të pagjetur të Kosovës, Haki Kasumi, është shprehur në media se duhet të hartohen strategji dhe të gjinden forma presioni ndaj qeverisë së Beogradit për të zbardhur fatin e të pagjeturve. "Pa angazhim dhe përpjekje serioze të ekspertëve, zbardhja e fatit të të pagjeturve mund të zgjatë edhe me shekuj", ka thënë Kasumi. Këshilli Koordinues i Shoqatës së familjeve të të Zhdukurve të Kosovës organizoi para dy ditësh në Prishtinë një tryezë me mesazhin "Të pagjeturit duhet të gjenden".

Më 27 prill 1999, në Mejë të Gjakovës forcat serbe rrëmbyen dhe masakruan më se 380 shqiptarë, trupat e të cilëve pastaj i zhdukën, duke u përpjekur të humbin gjurmët e krimeve. Më se 12.000 shqiptarë të vrarë, 5980 të zhdukur dhe mbi 1 milion të dëbuar, ishte bilanci i terrorit, spastrimit etnik e gjenocidit që bënë forcat serbe në Kosovë deri në kohën e ndërhyrjes së NATO-s. Komisioni ndërkombëtar për personat e zhdukur (ICMP) publikoi të premten në Prishtinë një komunikatë ku shprehej shqetësimi i thellë për rreth 2000 njerëz që ende mbeten të pagjetur, që nga koha e konfliktit të Kosovës.

"Në Ditën e Kosovës për njerëzit e zhdukur, ICMP shpreh shpresën për një bashkëpunim të vazhdueshëm midis Beogradit dhe Prishtinës, i ngjashëm me procesin e përbashkët të zhvarrimeve në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe në Serbi, në zona me interes të përbashkët", thuhet në komunikatë. Pas më shumë se 10 muajsh ndërprerje, grupet teknike të punës të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, filluan të mërkurën e kaluar në Beograd bisedat për të zhdukurit, të kryesuara nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Në takim u bisedua dhe u shkëmbyen informacionet që këto grupe kanë mundur të sigurojnë për të bardhur fatin e të pagjeturve. Ata ranë dakord që takimi i radhës të mbahet në fund të qershorit. Deri tani autoritetet e Beogradit kanë kthyer në Kosovë mbetjet mortore të 707 shqiptarëve, në 18 kontigjente të veçanta, si dhe 90 qeska me mbetje mortore, të gjitha të zbuluara në varrezat masive në Serbi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›