E Shtunë, 31 Tetor 2026

Histori tavolinash

TRU-KERMINJTE

Histori 1

Shqipja ka shumë fjalë, parafjalë e lidhësa me një a dy gërma vetëm dhe, meqenëse çmimi i telegrameve ndërkombëtare llogaritet mbi bazën e numrit të fjalëve, i bie që të rritet artificialisht çmimi i telegrameve që i dërgojnë ambasadat tona Ministrisë në Tiranë. Për këtë, një Ambasadë e jona jashtë Shqipërisë u mor vesh me administratën e telegrafave të atij vendi, nëse mund të bashkonte fjalët me një a dy gërma, për të ulur koston e telegramit që rëndonte mbi financat e vendit të tij të varfër. Zyrtarët, tregon ambasadori, më thanë se s‘kishin asnjë kundërshtim dhe kështu zura të bashkoj fjalët e shkurtra me fitim të madh për arkën e Ambasadës.

Mirëpo kishim lënë jashtë hesapit njerëzit-maqina të zyrave të Shqipërisë. Më thërresin në Ministri dhe një zyrtar më thotë se paskëshe shkelur rregullat. Flas me këtë zyrtar, që ka një fytyrë ku mungon çdo shenjë jete, as i ngrysur e as i buzëqeshur, me një zë pa ngjyrë, dhe ja shpjegoj punën. Eshtë kundrë rregullavet, më tha automati. Mundet, i thashë, po këto rregulla janë të liga dhe duan ndërruar. Pa pritur të dëgjojë përgjigjet e mia, automati u largua pa lëshuar pe.

Histori 2

Arkivi Qëndror i Ndërtimit, është ndër të paktët institucione ende të pashkatërruara të këtij vendi. Në vafsh atje për të nxjerrë ndonjë projekt, hartë a planimetri të vjetër që të duhet, të shërbejnë ca gra nga ato të modës së vjetër, që as nxehen e as mërziten kurrë të të shërbejnë. Mirëpo shteti me gjithë tru-kërminjtë e vet, ja gjeti anën ta ngatërojë edhe këtë punë.

Rregulli e do që, kur shkon të kërkosh ndonjë dokument, pasi e gjen atë që të duhet, mbush një fletë porosie dhe shkon në arkë për të paguar tarifën dhe duhet të kthehesh pas nja dy a tri ditësh që punonjëset e atyshme të të japin fotokopjet e atyre që kërkove. Meqenëse pagesa mund të jetë e tillë që i shkreti njeri mund të mos ketë me vete aq para sa duhen, kishin gjetur një zgjidhje të mënçur. Ti paguan në arkë parapagim vetëm një pjesë të vogël të paráve, ndërsa pjesën tjetër të faturës e paguan pas dy a tri ditësh, kur të vish të marrësh fotokopjet e hartave që ke kërkuar. Në këtë mënyrë, edhe punonjëset janë të sigurta që nuk i bëjnë fotokopjet kot (se klienti ka paguar një pjesë të parave), edhe ti nuk turpërohesh të thuash që nuk të gjenden me vete gjithë paratë që kushton fatura. Zgjidhje më logjike dhe dinjitoze, zor të bëhet!

Para ca ditësh, vajta të porosis nja dy harta në Arkivë dhe kur shkova të paguaj paradhënien, arkëtarja kthehet e më thotë se duhet të paguaj gjithë faturën menjëherë. I kujtoj rregullin e vjetër që kishin pasur dhe shtoj se, veç kësaj, nuk i kam me vete gjithë ato para. S‘kam ç‘bëj, më thotë, erdhi kontrolli dhe na i gjeti shkelje atë procedurë. Gjej para ku të duash, po pa parapaguar nuk bëhet. M‘u desh të shkoja në shtëpi, të merrnja të tjera para dhe të kthehesha sërisht për të paguar. Pastaj, m‘u desh të shkonj prapë pas ca ditësh, të marr hartat e porositura.

Zyrtarët e shtetit, ç‘prej kohës së egjiptianëve të lashtë, ekzistojnë vetëm për një gjë mbi këtë dhe: t‘u shërbejnë njerëzve dhe të vrasin mëndjen si e si të gjejnë udhë për ta bërë më të lehtë këtë shërbim. Këtu ndër ne, le që nuk e vret mëndjen njeri për këtë, por edhe kur gjejnë ndonjë gjë që u ka shpëtuar nga vëmendja dhe punon siç duhet, vrapojnë ta prishin e ta ngatërrojnë.

Histori 3

Ca vjet më parë, Shqipëria lidhi me një Fuqi të Madhe një marrëveshje që zë vendin e një traktati. Ministria, që dërgoi një marrëveshje me aq rëndësi në emër të Shqipërisë, as që u kujdes të mbajë një kopje të letrës në arshivat e saj. Kur Fuqia e Madhe kërkoi zbatimin e një nyjeje të marrëveshjes, Ministria e jonë mohoi se kish një marrëveshje të atillë. Ambasada e huaj shtroi përpara zyrtarëve-robotë dokumentin origjinal. Ministria u lut t‘i jepet një kopje. Ambasada i dha një. Pas ca jave Ministria e humbi kopjen. Kërkoi një të dytë. Ambasada i dha një të dytë. Shkuan ca muaj dhe Ministria humbi dhe kopjen e dytë. Kërkoi një kopje të tretë. Ambasada, e habitur po e duruar, i dha një të tretë.

Dua t‘ju kërcej nervat dhe ju thom se Ambasada e huaj, gjer më sot, nxori dhe i dërgoi Ministrisë sonë, jo më pak se pesë kopje të një dokumenti, për humbjen e të cilit tërë përgjegjësinë dhe tërë turpin, e kish Ministria jonë.

Histori 4

Para nja dy vjetësh bëra një goxha debat me Ministrinë e Kulturës të asaj kohe, Bujar mavria e thonë dhe ky, kur e pa keq, më tha në mes të debatit se do më çonte në burg. E mora thjesht si punë të marri që, kur i mbarohen llafet zë e gjuan me gurë, mirëpo gabohesha. Pas ca kohe, më thërresin dhe më thonë se Ministria e Turizmit më kish hapur gjyq. Më të madhe njollë se kjo s‘ka ku të vejë, po më zuri belaja dhe duhet ta hiqja.

Shkoj e shoh denoncimin e Ministrisë dhe atje ishin mbushur faqe pas faqesh me akuza ku, më e rënda dhe që përsëritej pa u lodhur, ishte se nëpër dosjet e Ministrisë mungonin dokumentat dhe unë paskëshe dhënë lejera pa qënë të plotësuara dosjet e kërkuesve. U përgjigjem e u them se kjo s‘bën vaki, se kur u ndërruan qeveritë, dosjet u dorëzuan me procesverbal dhe po të kishin qënë ato bosh si kish ngjarë kjo punë? Mirëpo kujt t‘i flisje? U them pastaj që, sipas praktikës, dokumentat që ata thonin se mungojnë, nuk bëheshin në një kopje, kështu që edhe në ka ngjarë çudia dhe ka humbur kopja e ministrisë, le t‘ua kërkonin atyre që kishin i marrë lejet dhe ata do t‘i sillnin menjëherë.

Ne jemi shtet, më thanë, s‘merremi me privatin. Si ore s‘u merrki, po me kë merreni ju me OKB-në? Dale, dale, ua ktheva ndryshe pastaj. Në u vjen ndoht nga njerëzia se helbete s‘janë të sërës suaj, nga një kopje të këtyre dokumentave e kini në zyrat e tjera të shtetit që kanë marrë pjesë në këto praktika, nëpër Bashkitë ku janë dhënë këto leje, në Kryeministri e ku t‘u them tjetër. Po prapë fola me murin. S‘kemi punë t‘i gjejmë ne, se ne të kemi akuzuar dhe ti vraj veten dhe gjeji më thanë. E shihja që ish një punë të marrësh, po me të marrin të gjen belaja, se me të mënçurin e gjen llafin. Kështu më ngjau me zyrtarët tru-kërminj të Ministrisë së Turizmës.

Fundi i historive

I lexuat mirë këto historira, që janë fund e krye të vërteta? Tani mësoni të vërtetën. E para dhe e treta, nuk janë të mijat. I kanë ngjarë Faik Konicës dhe i tregon ai vetë tek "Shqipëria si m‘u duk". Ndërsa e dyta dhe e katërta, më kanë ngjarë mua. Midis tyre kanë shkuar lart nga 80 vjet dhe të paktën tri breza njerëzorë, por në zyrat e Shqipërisë nuk ka rrjedhur as edhe një dekikë. Mund të ndërrojmë maqinat e shkrimit me kompjuterë dhe karregllat prej druri me poltrona me rrota, po kjo nuk bën fajde për të ndërruar kokat e zyrtarëve të urryer tru-kërminj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›