Deflacioni
Ekonomisti nobelist Joseph Stiglitz, ditët e fundit të tetorit 2009 paralajmëroi përsëri se ekonomia botërore është në buzë të një deflacioni që këmbëngul. Si shumë ekonomistë të tjerë të njohur, Stiglitz e mbështeti paralajmërimin e tij për rrezikun e deflacionit te rritja e sheshtë e indeksit të çmimit të konsumit, duke e krahasuar atë me muajt paraardhës dhe me një vit më parë, si rënien e shtatë pasuese vit pas viti (gjë që vihet re më shumë në rënien e qirasë së banesave një përbërës kyç të shportës). Paralajmërimi u bë në kontekstin e papunësisë së lartë, e cila bën presion për uljen e pagave (sepse, sipas Bloomberg, me papunësinë që rritet, bizneset mund të mos kenë nevojë të rrisin pagat për të tërhequr punëmarrës, madje edhe në ato raste kur ekonomia ngrihet) duke ndikuar kështu në zvogëlimin e kërkesës për mallra dhe shërbime, çka i detyron bizneset të ulin çmimet. Çmimet e ulëta favorizojnë konsumatorët, por ekonomia nuk përfiton, përkundrazi, goditen të ardhurat nga presioni për shkurtimin e pagave. Familjarët kështu mund të kenë më pak para për të paguar huat e marra në banka, duke shtyrë bankat të rrisin sekuestrimin e pasurisë së hipotekuar; bizneset mund të kenë më pak të ardhura për të paguar detyrimet e tyre duke mundësuar falimentimin e tyre. “Kreditimi privat po tkurret në të dy anët e Atlantikut. Të dhënat e parasë nga M3 po hedhin në ajër sinjale ndriçuese që paralajmërojnë krizën e deflacionit në vitin 2010 në pothuajse gjysmën e ekonomisë botërore”, - vinte në dukje ditët e fundit “Telegraph”, ndërsa një ekspert bankar britanik në komentin e tij këshillonte bankat qendrore perëndimore të “monetizonin” deficitet në shkallë shumë të gjerë për t’i dalë përpara deflacionit të borxhit. Deflacioni si zvogëlim i parasë dhe i huadhënies (kreditimit) ndodh kur sistemi ekonomik mban shumë borxhe, të cilat duhen mbështetur nga niveli i të ardhurave që gjenerohet nga veprimtaria ekonomike; deflacioni ndodh nga krijimi i borxhit shumë të madh për shkak të aseteve joprodhuese që nuk gjenerojnë të ardhura. Deflacioni është një proces korrigjues, atëherë kur tregu nuk është në gjendje t’i shërbejë borxhit, kështu që njerëzve nuk u ngelet gjë tjetër, veçse të dorëzohen. Ekonomisti i njohur që paralajmëroi krizën financiare botërore, Nouriel Roubini, thotë se politikëbërësit duhet të shqetësohen nga një bishë e çuditshme e quajtur “stag-deflation” (një kombinim ky i stanjacionit ekonomik / rënies ekonomike dhe deflacionit); kurtheve të likuiditetit kur përqindjet zyrtare të interesit i afrohen zeros dhe politika monetare tradicionale humbet efektivitetin dhe deflacionit të borxhit (rritjes së vlerës reale të borxhit nominal, rritjes së riskut të falimentimit për familjarët, bizneset, institucionet financiare dhe qeveritë e vendeve të varfra). Edhe pse mundësitë e deflacionit janë më të mëdha se të inflacionit në Eurozonë, risqet thonë ekspertët janë të vogla për vitet 2010 – 2012, veçanërisht në vitin 2009. Teknikisht deflacioni ndodh kur çmimet bien, por askush nuk ankohet, sepse pagat bien më shpejt, me një spirale të ankthshme dhe një periudhë e gjatë e rënies së çmimeve i bën konsumatorët t’i shtyjnë blerjet dhe t’i mbrojnë të ardhurat (paratë në duart e tyre). Në këto kushte punëmarrësit fillojnë të pranojnë rënien e pagave të tyre nominale. Dukuria e rënies së çmimeve në rastin e deflacionit nxit prirjen e njerëzve për të mos blerë derisa çmimet të ulen, duke ndikuar mbi ngadalësimin e prodhimit dhe duke shitur ata mallra që gjenden në treg. Gjithashtu, përqindjet zero të interesit nominal në një ekonomi me borxhe ua bëjnë të pamundur pagimin e borxheve të tyre familjarëve dhe bizneseve me të ardhura të zvogëluara dhe për këtë arsye mund të shkaktohet shkatërrimi i kreditimit si dhe një krizë më e madhe bankare. Rënia e çmimeve të prodhimit gjashtë muajt e fundit në Francë dhe Gjermani si dhe në shumë vende në zhvillim, si asgjë tjetër, ka gjasat e deflacionit masiv të kohës së Depresionit të Madh. Ekspertët dhe analistët më në zë i këshillojnë bankat qendrore të ruajnë stabilitetin e çmimeve dhe jo të hedhin para me shumicë në ekonomi. Deflacioni është produkt i kapacitetit të tejkaluar të ekonomisë botërore si rezultat i rritjes së kapacitetit botëror të produktivitetit nga globalizimi, përqindjet e larta të investimit, rritja e shpejtë e produktivitetit; kapacitetit të tejkaluar nga kërkesa si rezultat i shpërndarjes së padrejtë të të ardhurave ose nga ngopja e konsumatorëve që bën presion mbi çmimet; si dhe nga kurthi i likuiditetit që ndodh në atë kohë kur kërkesa nuk rritet edhe pse rritet paraja në qarkullim. Deflacioni si forcë madhore ekonomike në ekonomi dhe inflacioni që pritet është risku madhor që duhet përballuar në përpjekjet për të luftuar deflacionin, argumentojnë ekspertët dhe analistët, sepse i gjithë problemi qëndron te emetimi i monedhës dhe te depozitimi i tregjeve të kreditimit për të kompensuar kolapsin e tregut të kreditimit. Nobelisti Michael Spence thotë se tregjet nuk i zgjidhin mirë ose fare të gjitha problemet e caktimit të burimeve dhe kjo nuk është ide e re dhe e rëndësishme, thekson ai, është ajo se njerëzit dhe shoqëritë, nëpërmjet përgatitjeve dhe strukturave organizative, politike dhe institucioneve të tjera, vlerave, nxitësve dhe njohjes, si dhe menaxhimit me kujdes të informacionit, gjejnë mënyra për t’i zgjidhur këto probleme. “Në të vërtetë, - thotë Michael Spence, - shkenca ekonomike nuk është në mënyrë thelbësore mbi tregjet, por caktimin e burimeve dhe problemeve të shpërndarjes”. Përgatitjet alternative krijuese institucionale janë shpikur dhe përsosur me kalimin e kohës për t’u marrë me ato probleme që tregjet nuk i zgjidhin në mënyrë të përkryer. Kështu që institucionet, përfshi dhe bizneset krijohen pjesërisht për të zgjidhur problemet e caktimit të burimeve atje ku tregjet dështojnë. Nobelisti tjetër Robert Solow mendon se të thuash që ekonomia po përmirësohet nuk është e njëjta gjë me atë që ekonomia po ecën mirë, sepse diferenca ndërmjet rënies së PBB-së reale dhe rritjes së kapacitetit të ekonomisë tregon sa më pak prodhojmë nga ajo që do të donim të prodhonim më parë dhe ky boshllëk do ngushtuar për të zvogëluar papunësinë. Por dhënia e stimujve për shkak të deficitit të lartë nuk është e lehtë, thonë ekspertët dhe analistët, sepse vërtet ekonomia përmirësohet, por ajo nuk mund të bëjë më shumë se kaq, sidomos në kushtet kur shpenzimet e konsumatorit, si rezultat i ndikimit të krizës ekonomike botërore, veçanërisht, në vendet e vogla, në vitet që vijnë pritet të jenë më të dobëta. Nga këndvështrimi i bankave, në rast se bankat do t’u japin hua klientëve, në dorë do të kenë vetëm asetet monetare, vlera e të cilëve mund të luhatet lart e poshtë, sepse klientët normalisht i përdorin paratë e marra hua për investime, për të blerë pasuri të paluajtshme, mallra dhe shërbime. Nga perspektiva e klientëve ndikimi direkt i huas është i dyanshëm: a) forca shpenzuese rritet në një afat të shkurtër dhe b) të ardhurat në dispozicion të tyre, kur fillojnë pagesat për shlyerjen e huas, zvogëlohen në terma afatgjatë. Dhe kur kreditimi i ri të tejkalojë kreditimin e vjetër që është duke u paguar, do të krijojë presion inflacionist për periudhat që ndjekin menjëherë huan e dhënë; kreditimi i tepërt, thonë ekspertët dhe analistët, krijon presion deflacionist të qëndrueshëm menjëherë sapo të fillojë ripagimi i huas dhe, në vend të inflacionit dhe shërimit të ekonomisë, shtyrja e presionit deflacionist me stimuj për të huazuar para rrezikon të godasë ekonominë në periudhat që vijnë. Në kushtet e një ekonomie të vogël, kërkesa më e vogël për eksporte do të zgjeronte boshllëkun e prodhimit dhe një rënie e mëtejshme të çmimeve të importit do të përshpejtonte rënien e çmimit të konsumit. Krahasimi i kostos ndërkombëtare kundrejt një ekonomie të vogël, në kuptim të prodhimit për eksport dhe prodhimit industrial në vend do të inkurajonte spostimin e mëtejshëm të tregjeve të mallrave dhe të punës, duke zvogëluar investimet dhe punësimin. Për pasojë, bizneset prodhuese do të shkurtonin pagat dhe kosto të tjera për të përballuar humbjet e mëtejshme nga konkurrenca e çmimit ndërkombëtar, gjë që do të shoqërohej me lëvizjet e kursit të këmbimit dhe vlerën reale të monedhës vendase. Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare, në studimin e tij në lidhje me kapacitetin e korrigjuar të ekonomisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa i përket ndikimit të shock-ve të jashtme, përqendruar te tregjet e punës, vë në dukje se zëvendësimi i lartë i monedhës vendase me euron lidhet me kredibilitetin e ulët të bankave qendrore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku tregjet e punës luajnë një rol vendimtar. Në mënyrë të veçantë, për shkak të detyrimit në lidhje me karakteristikat e përgjithshme të procesit evropian të tranzicionit (për integrimin në BE) dhe pjesërisht për shkak të përqindjeve fikse të shkëmbimit (me përjashtim të Shqipërisë), tregtia dhe deficitet korente priren kah rritja e lartë ose shumë e lartë. Studimi në fjalë (mbi bazën e gjetjeve), sugjeron se në pjesën më të madhe nuk është ky rasti që elasticiteti i pagave dhe i rregullave të punësimit mbështesin nivelet e ulëta të punësimit dhe nivelet e larta të papunësisë. Studimi në fjalë, si arsye kryesore përcakton kapacitetin e ulët të eksportit, mishmashin e aftësive profesionale dhe problemet me konkurrencën në tregjet e produkteve. Duket se tregu i punës nuk ka influencë destabilizuese në balancat e jashtme dhe në këtë mënyrë edhe në përqindjet e shkëmbimit. Mbështetja e lartë e vendeve të Ballkanit Perëndimor mbi financimin e jashtëm i ekspozon ato kundrejt risqeve të një krize të veçantë, veçanërisht, vendeve ku alternativa e përqindjeve elastike të shkëmbimit është braktisur, për shkak të frikës që mund të shkaktojë risku i krizës së përqindjes së shkëmbimit. Për vendet ku dërgesat nga emigracioni janë të larta (Shqipëria p.sh. në vitet 2004 – 2006 i kishte 25 – 30 për qind të PBB-së) dhe me rënie të kërkesës së jashtme për eksporte, vënia në jetë e rekomandimeve të mëposhtme si: rritja e elasticitetit të tregut të prodhimit për të mbështetur dhe inkurajuar sipërmarrjen; zbatimi më i fortë i politikave të konkurrencës, me qëllim që të eliminohen monopolet dhe shtrembërime të tjera në treg dhe mbështetja e të rinjve që sapo kanë hyrë në treg; mbështetja për prodhimin industrial; ribalancimi i peshave relative të punësimit të sektorit publik dhe atij privat; investimi për rritjen e aftësive profesionale; trajnimi i të rinjve të papunë; përmirësimi i përqindjeve të ulëta të papunësisë së grave; heqja e barrierave për papunësinë e lartë rajonale; korrigjimi i politikave fiskale dhe stimujt për zvogëlimin e punësimit informal; mbështetja e politikës monetare nga politika e të ardhurave; zvogëlimi i mëtejshëm i punësimit në sektorin publik; dhe reforma e sigurimeve shoqërore, veçanërisht, pensioneve si një prioritet, nuk ka gjasa të jetë, thjesht, zbatimi i një recete aq më shumë në rast se marrim në konsideratë faktin e parashikimeve kontradiktore të zhvillimeve të pritshme të krizës ekonomike botërore.