E Shtunë, 31 Tetor 2026

Depresion dhe shkallë e lartë vetëvrasjesh

Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në të gjithë botën vdesin çdo vit rreth një milion njerëz nga vetëvrasjet. OBSH bëri të ditur që vetëvrasjet në Rusi janë dyfishuar. Faktor ndikues: alkooli. Një ndërtesë dykatëshe në një bllok pallatesh në periferi të Moskës. Në dhomën e pritjes të klinikës rrjedh ujë në një akuarium. Klinika është e specializuar për terapi psikike. Ka 20 shtretër. Pacientët trajtohen në mënyrë ambulante ose shtrihen aty për më gjatë. Shumë vuajnë nga depresioni, shpjegon shefi i mjekëve dhe i klinikës, Vjaçeslav Davidov.
“Ne kemi kapërcyer nga socializmi në kapitalizëm. Ky është një proces i dhimbshëm. Më parë në kishim stabilitet. Njeriu e dinte: ai përfundonte shkollën ishte në një rrugë të përcaktuar, ai do të kishte punën, stabilitetin, rrogën, një banesë. Dhe gjithmonë diçka për të ngrënë. Sot ne nuk kemi stabilitet në Rusi. Dhe njerëzit nuk janë të gatshëm për krizën, nuk janë të mësuar. Për ne çdo krizë është një katastrofë. Dhe natyrisht kjo shkakton probleme psikike për shëndetin".
Pasojat: depresione, abuzime me alkoolin dhe shpesh vetëvrasje ose përpjekje për vetëvrasje, sepse në Rusi njerëzit, të cilët janë të sëmurë nga depresioni shkojnë edhe më rrallë se sa në vendet e tjera për të bërë terapi ose tek mjeku, thotë Vjaçeslav Davidov:
“Për fat të keq mentaliteti tek ne rusët është që më mirë ne shkojmë tek fqinji ose fqinja, aty të qajmë dhe më pas të ndjehemi më mirë. Pranimi, “unë jam psikikisht i sëmurë”, është për njerëzit një ankth. Të gjithë thonë se kur unë jam i sëmurë psikikisht, më duhet të shkoj në psikiatri dhe pse një jetë kam”.
Përveç kësaj, sistemi shëndetësor rus mbahet si i korruptuar. Dhe kjo po ashtu i pengon njerëzit. Sipas të dhënave të zyrës së statistikave të Rusisë, çdo vit 36 nga 100.000 vetë vrasin veten. Rreth dyfishi më shumë se sa në Evropën Perëndimore. Megjithatë, jo çdo vetëvrasje është përfshirë në këto statistika, si ato për shembull që hidhen nga dritarja ose para trenit. Ato mbahen në Rusi zyrtarisht si viktima aksidentesh.
E njëjta gjë ndodh edhe për rastet e të vdekurve nga alkooli. Veçanërisht i lartë është numri i vetëvrasjeve tek të rinjtë rusë. Sipas të dhënave zyrtare, çdo i 12-ti i ri rus mes moshës 15 dhe 19 vjeç bën një përpjekje për vetëvrasje. Më shumë nuk ka askund në botë. Ndërsa vetëvrasjet në metropolet ruso-perëndimore, në Moskë, Shën Petërsburg janë në nivel evropian, veçanërisht i lartë paraqitet ky fenomen në zonat e largëta të Rusisë, si për shembull në Rrethin Polar. Për qeverinë janë të njohura këto shifra, tha ministrja e shëndetësisë Tatjana Golikova gjatë prezantimit të raportit të saj vjetor në fund të vitit 2008: “Ndër shkaqet për vdekjet e njerëzve në vend të parë janë rastet e sëmundjeve të zemrës dhe tensionit të gjakut, si sëmundja e frymëmarrjes. Por i lartë është numri i vdekjeve nga aksidentet e komunikacionit, të vetëvrasjeve dhe të helmimit me alkool".
Vende të tjera, si për shembull, Finlanda, kanë zhvilluar prej vitesh një strategji për parandalimin e vetëvrasjeve. Aty diskutohej për vetëvrasjen dhe rrezikun për vetëvrasjet dhe u lehtësua dhënia e ndihmës psiko-sociale. Por në Rusi nuk ka në të gjitha qytetet linja telefonike të drejtpërdrejta për njerëzit me depresion. Të sëmurët shpesh nuk e dinë se me kë të kontaktojnë. Ministria e Shëndetësisë në muajin nëntor njoftoi se numri i vetëvrasjeve ka rënë lehtshëm, me gjithë krizën financiare dhe ekonomike aktuale.
Psikiatri Vjaçeslav Davidov kërkon që të përmirësohen vazhdimisht problemet shëndetësore: “Në kohën e Bashkimit Sovjetik, profilaksia bëhej me më tepër vëmendje. Ne kishim një profilaksi shëndetësore. Kjo ishte e centralizuar. Mjekët shkonin nëpër kopshtet e fëmijëve. Në shkolla kishte ditë të posaçme përkujdesjeje, ku fëmijët e të gjitha klasave shkonin në poliklinikë. Edhe në fabrika po ashtu, kishte një ditë për kontroll tek mjeku i syve, okulisti, një ditë tjetër për tek kirurgu e kështu me radhë. Secili duhet të shkonte çdo vit tek të gjithë mjekët. Edhe tek psikiatri”. Davidov paralajmëron edhe një problem tjetër: Mjekët rusë janë të përgatitur shumë keq nga ana profesionale. Në qoftë se pacientët e tyre janë në rrezik për vetëvrasje, ato nuk i njohin fare rrethanat.
“Një mjek duhet të ketë përvojë dhe njohuri për të diagnostikuar sa më shpejt dhe drejtë gjendjen e një njeriu. Për fat të keq kjo aftësi vazhdimisht po harrohet. Sepse kualiteti i shkollimit mjekësor në Rusi është gati shumë i keq. Nga të diplomuarit, ndoshta 10 për qind janë të kualifikuar si duhet". Davidov vetë ka punuar 12 vjet jashtë, në Poloni dhe në SHBA. Klinika e tij në Moskë është një klinikë private, qëndrimi aty kushton afërisht 200 euro në ditë. Kjo klinikë përballon vetëm pak pacientë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›