Dështimi i atentatit, si i shpëtoi Clinton Bin Ladenit
Presidenti amerikan, Bill Clinton, shpëtoi vetëm në momentin e fundit, pak përpara se makina ku ai gjendej të kalonte mbi një urë në pjesën qendrore të Manilës.
Sulmi i dështuar ishte planifikuar gjatë vizitës së Presidentit Clinton në forumin e bashkëpunimit ekonomik të Azi-Paqësorit, në vitin 1996. Ishte parashikuar që gjatë qëndrimit në Manila, Clinton të vizitonte dhe një politikan vendor, rruga për te shtëpia e të cilit kalonte nga ura e përfolur. Në momentin që kolona e makinave të presidentit do të kalonte urën, shërbimi sekret mori mesazhe që sugjeronin se një sulm ishte plotësisht i mundshëm. Shërbimet sekrete kishin kapur fjalë si “dasmë” dhe “urë”, kur dihet që fjala dasmë në kodin e terroristëve do të thotë vrasje. Autokolona e presidentit amerikan menjëherë mori tjetër drejtim, derisa më vonë agjentët amerikanë zbuluan një bombë nën urë.
Hetimi i shërbimeve amerikane të sigurisë arriti në përfundimin se “sulmi ishte planifikuar nga një terrorist saudit që jeton në Afganistan, i quajtur Osama Bin Laden”.
Megjithëse Al Kaeda kishte pranuar se gjatë viteve ’90 kishte pasur si cak sulmi Presidentin Clinton, asnjëherë më parë nuk kanë dalë në dritë prova që tregonin se Bin Ladeni ka qenë i përfshirë në këto përpjekje.
Ken Gormley, profesor i së drejtës në Shtetet e Bashkuara, në librin e tij shkruan se “sulmi i dështuar për të vrarë Clinton-in, asnjëherë nuk u bë publik”. Informacioni i Gormley-t vinte direkt nga drejtori i shërbimit sekret amerikan të kohës.
Në atë kohë, mediat publikuan informacione për gjetjen e bombave në afërsi të vendit të takimit, por që autorësia iu vesh kryengritësve komunistë në Filipine dhe nuk u bë ndonjë lidhje mes grupeve të huaja që synonin të vrisnin presidentin amerikan.
Komentatorët në Shtetet e Bashkuara shtrojnë pyetjen pse u mbajt kaq sekret sulmi i dështuar, për më tepër kur Clinton-it më vonë iu desh të sulmonte bazat e Al Kaedës.
Ramzi Jusuf, i arrestuar për sulmin ndaj Kullave Binjake në vitin 1993, pranoi se ishte planifikuar një sulm ndaj presidentit Clinton. Në mesin e viteve ’90, në Manila jetonte dhe Khalid Sheikh Muhamed, i cili e ka paraqitur veten si trurin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Presidenti Clinton dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare janë akuzuar se kanë humbur disa mundësi për kapjen e Bin Ladenit. Clinton i ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se ka qenë “i fiksuar” pas kapjes së kreut terrorist.