Rama deputetëve socialistë: “Për ju do të jem Enveri dhe Mehmeti së bashku”

Ndalohet diskutimi në Grupin Parlamentar Socialist. Akuzave se Rama po sillej si Enveri, ky i fundit u përgjigjet se do të jetë diktator i dyfishtë, si Enveri dhe Mehmeti së bashku. Por polemika e parë ka shpërthyer në të njëjtën ditë, kur Blendi Klosi ka deklaruar gabimisht në tv se deputetët socialistë do të kthehen në parlament para 7 marsit, kur u skadon afati kushtetues
Shfaqja e djeshme e grupit parlamentar socialist ka sanksionuar edhe thundrën që Edvin Rama ka vendosur mbi strukturat e PS-së. Në përfundim të fjalimit të tij, të mbushur me fraza kundër mazhorancës dhe kryeministrit Sali Berisha, por edhe me një klimë intimidimi ndaj ligjvënësve të pashuguruar socialistë, Edvini ka refuzuar t’u japë fjalën deputetëve dhe ankesa e njëri prej tyre, se bllokimi i fjalës po ndodhte njëlloj siç pat bërë më herët Enveri, Edvini iu përgjigj shkurt, por duket edhe me vendosmëri: “Për ju do të jem Enveri dhe Mehmeti së bashku”.
Sanksionimi i diktaturës së re të bolshevikëve të Edvinit ndaj menshevikëve, anëtarë të LMN-së, apo edhe oponencë e heshtur brenda grupit parlamentar, tregon për një fazë të re ku po shkon përplasja e re brenda së majtës. Klani i punistëve, me Ruçin, Doklen e Gjinushin duket se për momentin po luan rolin e mentorit për politikën më të re të socialistëve të Edvinit, por vendosja e diktaturës, nën togfjalëshin “Enver e Mehmet së bashku” parathotë se tashmë përplasjet nuk do të kenë fort zgjidhje brenda strukturave socialiste.
Duket se Rama është fort i interesuar se pastrimin e fundit të grupit parlamentar dhe largimin e deputetëve të LMN-së nga grupi, duke gjetur casus-in që do t’i përjashtojë ata. Arsyeja gjendet tek afrimi i 7 marsit, afatit final deri kur 65 deputetët do të marrin mandatet, në rast se do të kryejnë betimin në Kuvend, përndryshe lista do të zbresë tek emrat e tjerë, të PS-së apo partive të tjera aleate, sipas rastit. Vetë Blendi Klosi, në një intervistë të papritur televizive për Ora News, deklaroi dje në mesditë, se ishte e sigurtë, se brenda kësaj date, deputetët socialistë do të paraqiteshin në parlament e do të kryenin betimin. Por duket se pohimi s’i ka pëlqyer Edvinit, i cili ka patur dje një zënkë publike me Klosin, duke e akuzuar se e kishte tejkaluar limitin dhe se kishte dekonspiruar dosjen-shantazh të këtij fundviti.
Pra e gjithë pjesa e protestave dimërore, e grevave pa afat apo e thirrjeve për mosbindje civile s’janë gjë tjetër veçse një nxitim që prej destabilizimit të përkohshëm të nxirret një përfitim sa më i madh politik, përndryshe gjithçka do të kthehet në normalitetin e parlamentit, por nëse deri në këtë kohë deputetët disidentë të LMN-së apo të tjerë do të jenë ngutur e do të kenë thyer urdhrin e bojkotit, aq më mirë për Edvinin, i cili do të gëzonte më tej një grup parlamentar monolit e reaksionar në të njëjtën kohë, por edhe s’do të ndante pushtet me ta, kur të ishte puna për të ndarë tortën e pushtetit vendor, paçka se dardha e ka bishtin prapa dhe një fraksionim i ri i PS-së veç sa do të ulte gjasat e Ramës për një rizgjedhje në krye të bashkisë së kryeqytetit.