“Çmontimi i mafias më të rrezikshme në Europë, çështja kryesore e mandatit të dytë qeverisës”
Beteja kundër mafias, Kryeministri njofton në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ngritjen pranë qeverisë të një Këshilli Ligjor
Pas publikimit të një dite më parë të një dosjeje voluminoze e mbushur fund e krye nga veprimtari anti ligjore të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz në Partinë Socialiste, kryeministri Sali Berisha njoftoi dje ngritjen pranë Kryeministrit dhe qeverisë, të një Këshilli Ligjor për luftën kundër mafias në vend. Duke njoftuar këtë vendim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë Berisha tha se lufta kundër mafias është emergjente dhe qeveria do të përdorë të gjithë forcën e ekzekutivit në këtë luftë. Berisha bëri të ditur se ky Këshill do të ketë ekspertët më të mirë ligjorë të vendit dhe si qëllim do të ketë sugjerimin e hapave ligjorë në luftën kundër mafias. Kreu i ekzekutivit paralajmëroi se gjatë mandatit të dytë qeverisës do të çmontohen tërësisht lidhjet e mafias që vazhdon të gjallojë në Tiranë dhe që në sajë të veprimtarisë antiligjore e në kurriz të qytetarëve ka arritur të qarkullojë 750 milionë euro, shumë kjo e siguruar nëpërmjet ndërtimeve në të gjithë Tiranën, duke siguruar lejen në mënyrë abuzive dhe në shkelje flagrante me ligjin. “Kjo betejë ka nisur dhe do të vazhdojë me metodat më rigoroze dhe më serioze”, u shpreh Berisha. Sipas kryeministrit secila agjenci të shqyrtojë bazën ligjore që ka në luftën kundër mafias dhe në rast se ka nevojë, të ndërmarrë hapat për përmirësimin e saj.