Sot hapen ofertat e tenderit të kolaudimit
Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, do të zhvillojë sot tenderin për dhënien me koncesion të shërbimit të kontrollit teknik të detyrueshëm të mjeteve me motor dhe rimorkiove. Hapja e ofertave për dhënien me konvencion të kolaudimit të makinave do të zhvillohet sot në orën 12:00. Në fazën e parë mësohet të jenë parakualifikuar tre kompani, ajo franceze “SAS SAKAR”, kompania ‘SGS’ nga Zvicra dhe ajo gjermane ‘TUV SUD’. Procedura e koncensionit do të jetë propozim i kërkuar, për një kohëzgjatje deri në 20 vjet. Aktualisht fatura financiare që paguajnë qytetarët për të kryer kolaudimin e makinës së tyre është 1200 lekë. Ndërkohë sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, një nga kriteret e vlerësimit do të jetë tarifat pasi nuk mund të lejohen tarifa të palimituara. Sipas tyre: “Do të jetë një nga kriteret e vlerësimit, pasi ne nuk mund të lëmë tarifa të palimituara. Është bërë një kombinim shumë i mirë i disa faktorëve, i faktorit investim, faktorit teknologjik, që do të përdoret por edhe i tarifës së aplikueshme. Edhe me tarifat që janë aktualisht, dhe që janë të përballueshme nga qytetarët, sektori i kontrollit teknik të automjeteve ka një të ardhur, pra ka një fitim. Sigurisht që kjo e ardhur do të mbetet në vlerësimin e ofertuesve, nëse kjo e ardhur është e mjaftueshme për të mbuluar gjithë investimet që kërkohen për të përmirësuar teknologjinë e kontrollit”. Ndërkohë sipas specialistëve të kësaj ministrie, me dhënien me koncesion të kësaj drejtorie, synohet që të përmirësohet cilësia e shërbimit, duke pasur kështu një kontroll teknik e profesional si në BE. Se liberalizimi i shërbimeve synon përmirësimin e tyre, aq më tepër që në këtë rast bëhet fjalë për rritjen e nivelit të sigurisë rrugore, që kohët e fundit ka qenë tepër problematik dhe ka qenë fajtor për shkaktimin e mjaft viktimave.