E Diel, 1 Nëntor 2026

"Dëgjuam të qara", rezultojnë të rreme telefonatat për Bleonën



KUKES - Mbushen plot dy javë nga zhdukja dhe ende nuk ka asnjë shenjë për gjetjen e Bleona Matës, vajzës 6-vjeçare, e cila humbi krejt papritur në një kullotë 500 metër sipër shtëpisë së saj. Policia dhe banorët kanë lënë pas 2 javë plot lodhje dhe stërmundim në kërkim të Bleonës, ndërsa familjarët qëndrojnë me ankth, pa e ditur fatin e vajzës së tyre. Në shtëpinë e Zamir Matës, në fshatin e thellë Zapod të Kukësit, këto ditë kanë qenë deputetët, drejtues të lartë të policisë, pushtetarë vendorë dhe hetues, duke u dhënë shpresë familjarëve se fëmija e tyre do të gjendet. Në policinë e Kukësit janë shoqëruar disa persona dhe pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Edhe nata e së premtes ka qenë një natë intensive kërkimesh për policinë e Kukësit dhe ekspertët e ardhur nga Tirana. Dy telefonata nga fshati fqinj, Bele, kanë lajmëruar se u është dukur se po dëgjohej një e bërtitur fëmije, diku në periferi të fshatit të tyre. Pavarësisht mbërritjes në kohë të forcave që janë përqendruar në Zapod dhe kërkimit në zonën e dyshuar, nuk rezultoi asgjë konkrete. Në dy javë kërkime dhe operacione në terren ka pasur dhe një bashkëpunim me shërbimin policor të Kosovës dhe policinë e Maqedonisë, por ende edhe në këto shtete nuk ka asnjë gjurmë. Policia ka përjashtuar pistën e rrëmbimit nga kafshët e po heton për një grabitje të mundshme për qëllime trafikimi të fëmijës. Aktualisht, çështja hetimore për zhdukjen e Bleonës është në duart e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prindërit e saj, të dëshpëruar, kanë apeluar që kushdo që e ka marrë vajzën e tyre ta kthejë në familje dhe ata i premtojnë jo vetëm që nuk do e denoncojnë në polici, por dhe se do e shpërblejnë në para. j.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›