E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, apel për shpalljen e liqenit një Park Kombëtar



SHKODER/ RITVAN DIBRA

"Liqeni i Shkodrës të marrë statusin Park Kombëtar, ashtu siç pala malazeze e ka shpallur pjesën e saj që prej 27 vitesh". Në ditën Botërore të Mjedisit nga Shkodra është bërë apel për ndërmarrjen e këtij vendimi. Vetë Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, pjesëmarrës në konferencën e djeshme me në qendër liqenin, kërkoi nga politika të lënë mosmarrëveshjet për t'u marrë me çështje që e kalojnë karakterin lokal apo atë të një institucioni të vetëm. E organizuar nga Agjencia Rajonale e Mjedisit REC, në këtë konferencë janë diskutuar tema mbi liqenin e Shkodrës, ekosistemin që ai përfshin në këtë zonë, me resurset e tij të mëdha natyrore, por dhe dëshirën e madhe të lektorëve shqiptarë që edhe pjesa e jonë e liqenit të Shkodrës të shpallet Park Kombëtar. Rektori i Universitetit të Shkodrës, Artan Haxhi, në fjalën e tij përshëndetëse ka uruar që liqeni i Shkodrës së shpejti të marrë statusin e Parkut Kombëtar, status ky të cilin pjesa malazeze e liqenit e ka fituar në vitin 1983. Ndërkohë që në mbështetje të kësaj ideje ka qenë edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu. "Mes dy palëve respektive, shqiptare dhe malazeze duhet të ketë një bashkëpunim, por njëkohësisht për çështje të tilla edhe politika duhet të bashkohet e t'i lerë mënjanë ndarjet", ka pohuar Mediu. Sipas tij, çështjet mjedisore nuk janë vetëm çështje të politikës lokale apo vetëm të një ministrie, por ato janë më shumë se kaq. "Duhet punë e madhe nga politikanët tanë për një çështje të tillë që ka të bëjë me mjedisin, me qëllim që të marrë një mbështetje unanime në Parlament nga të gjitha forcat politike, duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet apo diferencat. Këtë veprim politikanët e Malit të Zi e kanë bërë kohë më parë", ka pohuar ministri Mediu. Por në konferencë është pohuar se shpallja e liqenit Park Kombëtar nuk mund të arrihet pa mbështetjen dhe harmonizimin e të gjithë aktorëve që jetojnë në këtë territor, duke filluar nga qytetarët e Shkodrës, nga shoqatat mjedisore, si dhe nga drejtuesit vendorë, duke pasur një mendim të unifikuar dhe të specializuar për këtë temë. Por pa harruar koordinimin e mirë të projekteve edhe me vendin fqinj, të Malit të Zi. Ministri malazez i Mjedisit, Branimir Gvozdenoviç, pohoi se krahas institucioneve shtetërore apo shoqatave të ndryshme mjedisore një rëndësi të veçantë kanë edhe qytetet në të dy anët e kufirit për mbrojtjen e këtij ekosistemi të rëndësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›