Gallas pranë largimit nga Arsenali
Ish-kapiteni i Arsenalit, William Gallas, duket se është një hap pranë largimit nga Emirates Stadium.
Sipas "London Evening Standard", 32-vjeçari nuk e ka ndjekur fitoren e fundit prej 4-0 të Arsenalit ndaj Fulhamit, që ka zemëruar fansat e klubit.
Burime nga klubi kanë thënë se Gallas ka mbetur në Francë për të vazhduar trajtimin e tij mjekësor në prag të bashkimit me kombëtaren e Francës në Kupën Botërore, por disa lojtarë të tjerë të dëmtuar të klubit, si Cesc Fabregas, Aaron Ramsey, Alex Song dhe Manuel Almunia ishin bashkuar me bashkë-lojtarët tjerë për t'i dhënë fund sezonit.
Wenger në anën tjetër, duket se ka hequr dorë nga mënyra e trajtimit të lojtarëve mbi 30-vjeçar, të cilëve u ofron vetëm kontrata njëvjeçare, por Gallas, i cili mbush 33 vjeç në gusht, ka refuzuar të pranojë ulje të pagës që aktualisht është 80 mijë paund në javë.
Me asnjërën palë që nuk dëshiron të lëshojë pe, duket se Gallas do të largohet nga Emirates në muajin e ardhshëm, kur kontrata e tij skadon. Roma, Paris St-Germain dhe Milan janë disa prej klubeve që po përcjellin situatën e tij.