E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fëmijët e vrasësit kërkojnë ndihmë

Vidohovë Babai kreu një krim të trefishtë, të vegjlit mbeten pa shkollë dhe ruhen me policë

Një krim i rëndë mund të sjellë nga pas jo vetëm viktima në njerëz. Vrasja e trefishtë në fshatin Vidohovë, e ndodhur më 29 janar të këtij viti, vazhdon të lërë gjurmë të hidhura. Viktimat nuk kanë qenë vetëm tre të rinjtë e ekzekutuar në mes të fshatit. Tragjedia e rëndë vazhdon të mundojë dhe viktimizojë fëmijët e mitur të autorit të vrasjes. Me një baba të burgosur dhe të dënuar me 25 vjet burg, tre fëmijët e Besim Karajt, jetojnë të ngujuar nën kujdesin e nënës dhe gjyshërve.

Hasmëria

Krimi ka lënë shije të hidhur dhe pasoja te të dyja familjet. Konflikti vazhdon të jetë i hapur që kur tre djemtë e familjes Mulliri ndërruan jetë të vrarë nga breshëria e armës së derdhur nga Besim Karaj. Pjesëtarët e dy familjeve që jetojnë në fshatin e thellë tashmë janë në hasmëri dhe kjo nuk i përjashton as fëmijët. Ata ndihen të kërcënuar se i pret i njëjti fat i hidhur, pas krimit të rëndë të kryer nga dora e babait të tyre.

Familja e Besim Karajt jeton e ngujuar dhe ende e rrethuar nga forca policore, që janë prezente në banesë 24 orë në 24 për të shpëtuar fëmijët nga një hakmarrje e mundshme. Nga ana tjetër e fshatit, ngrihet banesa e Mullinjve. Të afërmit e tre djemve të kësaj shtëpie, disa herë kanë kërcënuar hapur për vrasje dhe hakmarrje ndaj fëmijëve të 45-vjeçarit, që kishte ardhur në fshatin e tyre nga Thumana e Krujës. Dy punonjës policie me uniformë dhe të armatosur qëndrojnë para portës së shtëpisë së autorit për të siguruar mbrojtjen e të afërmve të tij.

Ngujimi

Tre muaj pas vrasjes së trefishtë në fshatin Vidohovë, familja e Besim Karajt vazhdon të jetë e ngujuar. Tre fëmijët e vegjël Gonxhja 12-vjeçare, Jonadori 9 vjeç dhe e vogla e fëmijëve, Grasiela 5 vjeçe, që nga dita e krimit të rëndë janë shkëputur nga shkolla për t’u izoluar dhe qëndruar në ngujim. Edhe pse të vegjël, fëmijët e kuptojnë se nuk mund të dalin nga shtëpia, sepse jeta e tyre është në rrezik. Ata janë shkëputur nga shkolla, nga shokët dhe lojërat e moshës. Nuk shoqërohen më me fëmijë të tjerë të fshatit, por qëndrojnë gjithë ditën në shtëpi nën kujdesin e nënës dhe gjyshërve të tyre. Gonxhja, vajza më e madhe, 12 vjeçe, thotë se nuk shkon në shkollë. Ajo është mbyllur në shtëpi nga frika e gjakmarrjes. “Kam tre muaj e gjysmë që nuk shkoj në shkollë. Dy herë ka ardhur mësuesi në shtëpi, por tani nuk vjen më. Dua të shkoj në shkollë, por kam frikë. E kalojmë kohën bashkë me vëllain e motrën në shtëpi. Nuk takohemi më me shokët dhe shoqet. Edhe ne kemi nevojë për shkollë”, tregon vajza e madhe e çiftit Karaj. Ndërkohë nëna e tyre, Eglantina, rrëfen se është takuar tre herë me bashkëshortin e burgosur. Ajo nuk punon dhe thotë se e ardhmja e fëmijëve po shkatërrohet. “Në këtë fshat ne nuk jetojmë dot më. Nuk kemi asnjë mundësi jetese. Për këtë vit fëmijët mbetën pa shkollë. Nuk mund t’i lëmë këtu”, thotë Eglantina. “Mësuesi nuk vjen më. Na thanë se do na sjellin mësues privat, por këtu nuk vjen njeri. Ne jemi pa shkollë dhe nuk dalim fare”, thotë me lot në sy Jonadori 9 vjeç. Bashkë me nënën e tyre, e cila u bë “molla e sherrit” për krimin e rëndë, tre fëmijët e Besim Karajt jetojnë në banesën e gjyshit, nga ana e të ëmës. Ramadan Hoxhalli thotë se nuk mund t’i mbajë më edhe për shumë kohë, pasi ka shumë vështirësi për të rritur tre fëmijët dhe për më tepër nëna e tyre nuk ka shtëpi dhe as punë. “Unë kërkoj që për hir të fëmijëve shteti të ndërhyjë, ose ndonjë shoqatë bamirësie. Nuk mund t’i mbaj gjatë në shtëpi, edhe pse ruhemi gjithë kohës nga policia”, rrëfen i moshuari. Familjarët e Besim Karajt nuk dalin më në rrugë. Në rast se e bëjnë këtë, duhet të shoqërohen patjetër nga uniformat blu. Në anën tjetër të fshatit jetojnë të afërmit e tri viktimave. Ata kalojnë shpesh aty ku kanë ngritur edhe lapidarin në kujtim të djemve të vrarë, ndërsa kërcënimet shkojnë te familja e Karajt përmes banorëve të tjerë të fshatit.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›